Njerëzit ishin dikur një bashkësi e vetme dhe Allahu dërgoi profetët, si përgëzues dhe si qortues. -
Pra, në fillim, njerëzit ishin të gjithë në rrugë të drejtë dhe adhuronin një Zot, vetëm Allahun. Kështu vazhduan për rreth dhjetë shekuj pas kohës së profetit Nuh (a.s.). Pastaj ata u ndanë në dy grupe të mëdha: një grup i qëndroi besnik rrugës së drejtë, duke e adhuruar Zotin të vetëm dhe duke iu bindur veç Atij, ndërsa grupi tjetër filloi të adhuronte zota të tjerë veç Allahut dhe u larguan nga bindja dhe nënshtrimi ndaj Tij. Atëherë, Allahu i Lartësuar dërgoi mes njerëzve, gjatë gjithë kohërave, profetët e Tij, për t'u përcjellë krijesave të vërtetën, të argumentuar dhe të provuar. Ata vinin me argumente të qarta, që nuk u linin krijesave asnjë justifikim para Zotit të tyre, nëse do vazhdonin të ndiqnin rrugën e humbjes. Disa mendojnë se ajeti tregon se njerëzit ishin të gjithë të bashkuar në rrugën e humbjes. Pra, sipas këtij mendimi tjetër, të gjithë ishin në humbje, të zhytur në kufër, mosbindje ndaj Allahut dhe në shkatërrim total, duke mos pasur as dritë, as iman. Pastaj Allahu i Lartësuar, nga mëshira e Tij, u dërgoi profetë, si përgëzues dhe qortues. Profetët ishin përgëzues për ata që do t’i bindeshin Allahut. Përgëzimi i tyre ishte se frytet e bindjes ndaj Allahut janë nga më të mirat: furnizim i bollshëm, hallall dhe i ndershëm, forcë në trup, mendje e shpirt dhe një jetë e këndshme. Por, pa dyshim, fryti më i mrekullueshëm që sjell bindja e nënshtrimi ndaj Allahut është arritja e kënaqësisë së Tij dhe e Xhenetit të përhershëm. Zoti i dërgoi profetët edhe si qortues e paralajmërues. Ata qortonin dhe paralajmëronin njerëzit që nuk bindeshin dhe nuk i nënshtroheshin Allahut, se do të shijonin frytet e hidhura të mosbindjes, të cilat janë: furnizimi i vështirë, dobësia, poshtërimi dhe jeta e trishtuar. Por më i hidhur nga gjithçka është zemërimi i Allahut dhe zjarri i Xhehenemit, ku ata do të qëndrojnë përjetësisht.
Ai u zbriti atyre edhe Librin me të vërtetën... -
Allahu i Lartësuar u shpalli profetëve të vërtetën e u dha urdhra të drejtë. Çdo gjë në librat e Zotit është e drejtë dhe sqaruese e themeleve të besimit, të ligjeve dhe dispozitave për jetën. Vetëm nëpërmjet këtyre librave mund t'u jepet zgjidhje kundërshtimeve mes krijesave, siç thotë Allahu i Lartësuar:
...për të gjykuar midis njerëzve në çështjet që kundërshtoheshin mes tyre.
Kështu, librat e Zotit kanë zbritur pikërisht për t’u sqaruar njerëzve çështjet për të cilat ata nuk pajtohen me njëri-tjetrin. Për këtë arsye, kurdoherë që ka kundërshtime mes njerëzve, është detyrë për ta që ta gjejnë zgjidhjen në udhëzimet e Allahut të Lartësuar, të cilat gjenden në Kur’ân dhe në Sunetin e Profetit (a.s.). Nëse Kur’âni dhe hadithet e Profetit (a.s.) nuk do të mjaftonin për zgjidhjen e konflikteve mes njerëzve, Allahu i Lartësuar nuk do të na udhëzonte që t’i kërkonim zgjidhjet në ato dy burime. Megjithatë, edhe pse ndjekja e mësimeve të Zotit në librat e shenjtë mundëson bashkimin e njerëzve, ata përsëri u përçanë, sepse i kundërshtuan këto mësime, për shkak të smirës dhe urrejtjes:
Pas qartësimit të argumenteve, askush nuk kundërshtoi më, përveç arrogantëve të verbuar nga zilia dhe armiqësia për njëri-tjetrin. -
Pra, ata u përçanë, për shkak të smirës dhe urrejtjes që vlonte në zemrat e tyre, edhe pas zbritjes së argumenteve të qarta. Ata kundërshtuan mësimet dhe librat e Zotit, ndërkohë që duhet t’u besonin dhe t'i nënshtroheshin atyre. Me këtë veprim, ata humbën dhe u larguan shumë larg nga rruga e drejtë. Ndërsa besimtarët e nënshtruar, respektuesit e mësimeve të Zotit, u udhëzuan drejt të vërtetës, me mëshirën e Zotit të tyre:
Me mëshirën e Tij, Allahu i udhëzoi besimtarët tek e vërteta e çështjeve, për të cilat kishin kundërshtime. -
Allahu i Lartësuar i ka udhëzuar besimtarët e sinqertë të këtij umeti, që të gjejnë të vërtetën në të gjitha çështjet ku janë kundërshtuar popujt e tjerë që kanë patur libër hyjnor dhe që tashmë kanë humbur rrugën dhe kanë devijuar. Ky ummet është udhëzuar prej mëshirës së Allahut të Lartësuar dhe me vullnetin e Tij, prandaj ka mundur të gjejë rrugën e drejtë për çdo çështje që ka patur kundërshtime.
Allahu udhëzon në rrugë të drejtë atë që Ai dëshiron. -
Allahu i Lartësuar ia bën të gjitha krijesave ftesën e Tij për të ndjekur rrugën e drejtë, sepse Ai është i Drejti. Kështu, krijesat nuk do të kenë asnjë justifikim Ditën e Gjykimit kur të dalin para Tij, siç thotë Allahu: “Kujto kur Zoti Yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë, duke u thënë: “A nuk jam Unë Zoti juaj?” - “Po, - thanë ata, - dëshmojmë për këtë!”. Atëherë, mos thoni Ditën e Kijametit: “Ne s’kemi ditur gjë për këtë.”. Ose që të mos thoni: “Etërit tanë ishin idhujtarë, ndërsa ne jemi thjesht pasardhës të tyre. Atëherë do të na ndëshkosh për atë që bënë ata pasues të kotësive?” Kështu i shtjellojmë Ne argumentet me hollësi, që ata të kthejnë rrugë (drejt nesh).” [Araf 172-174]. Pavarësisht nga kjo, jo të gjithë iu përgjigjën ftesës së Tij. Jo të gjithëve iu dha suksesi që t'i nënshtrohen dhe dorëzohen Atij, por vetëm ata të cilët Ai i zgjodhi për t'i mëshiruar dhe për t'u dhënë sukses, vetëm ata e gjetën rrugën e vërtetë. Pra, kush është në rrugën e drejtë, e ka gjetur atë vetëm me mëshirën, butësinë, bujarinë dhe bamirësinë e Zotit të Tij. Ndërsa ata që mohojnë, nuk i përgjigjen ftesës, sepse kështu ka vendosur drejtësia dhe urtësia e Allahut të Lartësuar.