Të pyesin ty për jetimët. -
Kur Allahu i Lartësuar zbriti ajetet e sures Nisa që flasin për jetimët, kjo i rëndoi pak muslimanët. Në njërin prej tyre, i Lartësuari thotë: “Ata që e hanë pa të drejtë pasurinë e jetimëve, në të vërtetë hanë atë që ua mbush barkun me Zjarr. Ata do të hidhen në Zjarrin e ndezur fort.” [Nisa, 10]. Kështu, pas shpalljes së këtyre ajeteve, besimtarët filluan që t’ua veçonin edhe ushqimin jetimëve që kishin nën përgjegjësi, duke u frikësuar se mos hanin prej pasurisë së tyre. Pra, edhe pse sipas zakonit të asaj kohe, ishte normale që të shoqëroje jetimët në ushqimin e tyre, muslimanët hoqën dorë nga ky veprim, nga frika se mos quhej ngrënie e padrejtë e pasurisë së jetimit, për të cilën Allahu i Lartësuar kërcënon aq ashpër në ajetin e sipërcituar. Ky qe shkaku pse ata e pyetën Profetin (a.s.) rreth kësaj çështjeje, domethënë, deri ku është kufiri i të vepruarit me pasurinë e jetimëve? Dhe Allahu i Lartësuar u ktheu përgjigje:
Bamirësia ndaj tyre është punë e mirë. -
Kuptimi: Qëllimi juaj duhet të jetë gjithmonë që ta ruani dhe ta shtoni pasurinë e jetimit me mënyrat e lejueshme.
Nëse jetoni bashkë me ata (dijeni se) janë vëllezërit tuaj.” Allahu di ta dallojë keqbërsin nga bamirësi. -
Kuptimi: Lejohet që të përzihen pasuritë tuaja me të tyret, nëse qëllimi është bamirësia ndaj tyre dhe kujdesi për të mos i dëmtuar. Ata duhet t'i konsideroni si vëllezërit tuaj, dhe dihet që vëllezërit përziejnë me njëri-tjetrin shumë gjëra, qoftë edhe ushqimin. Siç kuptohet, në të tilla raste, përcaktimin e bën qëllimi i mirë dhe puna e pastër. Nëse Allahu i Lartësuar sheh që dikush kërkon ta ndihmojë jetimin, pa patur asnjë qëllim që të abuzojë me pasurinë e tij (jetimit), atëherë Ai është Falës i Madh e Mëshirëplotë. Edhe nëse dikush përfiton diçka prej pasurisë së jetimit, pa qëllim të keq dhe pa abuzuar, për atë nuk është gjynah. Allahu i Lartësuar e ka bërë atë kërcënim pikërisht për ata që synojnë të përfitojnë prej pasurisë së jetimit dhe të abuzojnë me të. Një normë islame thotë: “Mjetet gjykohen njëlloj si qëllimet e tyre.” Ky ajet tregon se lejohet bashkëveprimi dhe përzierja në çështjen e ushqimit dhe në çdo fushë tjetër të marrëdhënieve ndërnjerëzore. Ky lehtësim është tregues i mëshirës dhe mirësisë të Zotit ndaj nesh. Më tej, Allahu i Lartësuar thotë:
Sikur të kishte dashur, Allahu do t’ju kishte vënë në vështirësi. Vërtet, Allahu është Ngadhnjimtar e i Urtë. -
Allahu i Lartësuar thotë se, po do të dëshironte Ai, edhe mund të na e vështirësonte çështjen dhe ne të binim në gjynah, sepse Allahu është i Plotfuqishëm dhe ka fuqi që të nënshtrojë gjithçka. Ai është, gjithashtu, i Urtë, dhe çdo vepër e Tij është në bazë të urtësisë dhe përkujdesit të Tij për krijesat. Duhet ditur se plotfuqishmëria e Allahut nuk bie ndesh me urtësinë e Tij. Disa njerëz thonë se Allahu i Lartësuar bën çfarë të dojë, qoftë ajo në përputhje me urtësinë e Tij ose në kundërshtim me të. Por kjo shprehje është shumë e gabuar. Ajo nuk duhet thënë e as menduar. Ne duhet të themi, duke qenë të bindur, se veprat dhe ligjet e Allahut burojnë gjithmonë nga Urtësia e Tij. Ai nuk ka krijuar asgjë kot, pa qëllim apo pa kuptim. Në çdo vepër të krijuar prej Tij ka një urtësi, pavarësisht në e kuptojmë ne apo jo. Po kështu, edhe ligjet që Allahu i ka bërë për njerëzit burojnë nga urtësia e Tij dhe janë plot urtësi. Kurrë nuk mund të mendohet se ndonjë ligj i Tij është pa ndonjë urtësi të caktuar. Për çdo gjë që ka urdhëruar, Allahu i Lartësuar e ka bërë veçse për shkak të mirësisë e dobisë që gjendet në të. Ajo mirësi mund të jetë ose pa asnjë të keqe në vete, ose dobia e saj mund të jetë më e madhe se ndonjë e keqe që përmban. Në të njëjtën mënyrë, Allahu na ndalon nga ndonjë gjë veçse për shkak të së keqes që gjendet në të, qoftë ajo e keqe e pastër, pa asnjë të mirë në të, qoftë e keqe me ndonjë dobi të vogël në të. Të gjitha këto tregojnë për urtësinë dhe mëshirën e Allahut të Madhëruar.