E nëse ai (burri) e ndan atë (për herë të tretë), pas kësaj atij nuk i lejohet më ta rimarrë, derisa ajo të martohet me një burrë tjetër. -
Pra, pas ndarjes së tretë, burrit nuk i lejohet më që ta kthejë gruan e tij, derisa të plotësojë disa kushte, si më poshtë: Së pari, ajo duhet të martohet me një burrë tjetër. Fjala “nikâĥ” (martesë), në Sheriat, nënkupton martesën e plotë, me të gjitha kushtet e saj, përfshirë edhe marrëdhëniet intime mes bashkëshortëve. Ky është një gjykim të cilin nuk e kundërshton askush. Pra, është kusht që gruaja të lidhet në martesë me një burrë tjetër, me një akt të rregullt procedurial, pas të cilit duhet të kryhen marrëdhënie intime mes bashkëshortëve. Së dyti, martesa e gruas me një burrë tjetër duhet të jetë me dëshirë dhe jo me qëllimin që ajo të mund të kthehet te burri i parë. Nëse martesa e dytë kryhet formalisht, sa për të bërë të mundur rikthimin te burri i parë, atëherë ajo është e pavlefshme dhe e paligjshme si martesë. Por nëse kjo martesë bëhet me dëshirë dhe mes çiftit kryhen marrëdhënie seksuale dhe pastaj divorcohen, vetëm atëherë i lejohet gruas që të rikthehet tek burri i parë, nëse e ndan burri i dytë. Duhet ditur që, nëse kjo grua është skllave dhe bën marrëdhënie me zotërinë e saj, kjo nuk e bën të lejuar rikthimin e saj te burri i parë, sepse zotëria i saj nuk konsiderohet si bashkëshorti i saj. Më pas, i Lartësuari thotë:
E nëse ky i fundit (burri i dytë) e divorcon atë, atëherë nuk ka pengesë për ata dy (gruaja me burrin e parë) të ribashkohen... -
Pas prishjes së martesës së dytë, me kushtet e sipërpërmendura, nuk është e ndaluar që gruaja të rimartohet me burrin e parë, duke bërë një akt martesor të ri, sipas kushteve të vendosura mes tyre. Në këtë martesë, është kusht pranimi i të dyja palëve dhe ata duhet të mendohen mirë që të plotësojnë detyrimet dhe përgjegjësitë ndaj njëri-tjetrit, siç thotë Allahu i Lartësuar:
...nëse, vërtet mendojnë se do t’i zbatojnë dispozitat e Allahut. -
Pra, nëse mendojnë se do t'i plotësojnë detyrimet dhe përgjegjësitë ndaj njëri-tjetrit, mund të kthehen përsëri në një martesë të rregullt. Në këtë martesë, ata duhet të pendohen dhe të largohen nga çdo lloj fjale a veprimi që çoi në ndarjen e tyre të parë. Nga vështrimi i ajetit anasjelltas kuptojmë se, nëse ata nuk mendojnë se do të rregullohet gjë në marrëdhëniet e tyre dhe se, përsëri do të shkelin detyrimet dhe përgjegjësitë mes njëri-tjetrit, atëherë ata marrin gjynah nëse i kthehen përsëri martesës, sepse nuk lejohet t’i hysh asnjë veprimi, me të cilin nuk ruhen kufijtë e Allahut dhe nuk zbatohen dispozitat e Tij. Ky ajet tregon se njeriu duhet të jetë i kujdesshëm në marrjen e përgjegjësive, të vogla apo të mëdha qofshin ato. Nëse ai sheh se mund t'i përballojë ato me sukses, atëherë le t'i hyjë punës. Por nëse sheh se nuk ka mundësi dhe forca t'i përballojë, atëherë duhet të frenohet dhe të mos i ndërmarrë ato veprime. Pas sqarimit të këtyre dispozitave, Allahu i Lartësuar thotë:
Këto janë dispozitat e Allahut, të cilat Ai ua sqaron njerëzve të ditur. -
Këto janë dispozita të cilat Allahu i ka sqaruar, por jo të gjithë njerëzit përfitojnë prej tyre. Vetëm të diturit janë ata që përfitojnë prej këtyre dispozitave, e madje u mundësojnë edhe të tjerëve që të përfitojnë. Ky ajet tregon vlerën dhe gradën e lartë të dijetarëve. Allahu i Lartësuar e ka bërë sqarimin e dispozitave që të përfitojnë veçanërisht dijetarët. Këta ka zgjedhur Allahu i Lartësuar për t'u bërë mirësi dhe dobi. Nga ky ajet kuptojmë, gjithashtu, se Allahu i Lartësuar dëshiron që adhuruesit e Tij të përpiqen dhe të thellohen për të kuptuar dispozitat e Tij, të cilat Ai ia shpalli profetit Muhamed (a.s.), si udhëzim për njerëzimin.