Mësoje se hipokrizia (nifâķ) është: Të shfaqurit e mirësisë, duke fshehur përbrenda të keqen. Në këtë përkufizim hyjnë dy lloje të hipokrizisë: ajo e cila shfaqet në veprime e sjellje dhe ajo që shfaqet në besim. Si shembull të llojit të parë mund të përmendim ato veprime e sjellje që i ka përshkruar Profeti (a.s) në hadithin e tij, kur thotë: “Shenjat treguese të hipokritit janë: Kur flet, gënjen, kur premton, e thyen premtimin, dhe kur i besohet diçka, të tradhton.”. Në një transmetim tjetër përmendet edhe kjo shenjë: “Kur polemizon, i tejkalon kufijtë (ose nuk përmbahet).” Ndërsa hipokrizia që shfaqet dhe lë gjurmë në besim, është ajo që e nxjerr njeriun nga Islami dhe është treguese e kufrit të tij. Pra, ai që e ka këtë lloj hipokrizie është kâfir (femohues, qafir), jashtë Islamit. Pikërisht për këtë lloj nifak-u flitet në ajetet e mësipërme. Në fakt, kjo lloj hipokrizie nuk ka ekzistuar dhe nuk është shfaqur para hixhretit (emigrimit të besimtarëve mekas) për në Medinë. Madje edhe pas hixhretit nuk pati shenja të tij, derisa ndodhi ngjarja e madhe e luftës së Bedrit, ku Allahu i Lartësuar, me fitoren që u dhuroi besimtarëve, tregoi fuqishëm krenarinë e tyre dhe ngriti lart famën e tyre. Në këtë moment, munafikët që jetonin në Medinë provuan poshtërimin dhe turpin. Shumë prej këtyre të poshtëruarve, për të ruajtur jetën, privilegjet dhe pasuritë e tyre, u shtirën sikur ishin në krahun e besimtarëve, ndërkohë që në zemrat e tyre fshihej mosbesimi dhe urrejtja. Por Allahu i Madhëruar, për të shprehur butësinë dhe mëshirën e Tij ndaj besimtarëve, e përshkruan me hollësi gjendjen shpirtërore të hipokritëve, si edhe cilësitë dalluese të tyre, në mënyrë që asnjë besimtar të mos mashtrohej nga ata. Ai i shfaqi cilësitë e tyre edhe për një arsye tjetër: që ata të frenoheshin dhe të largoheshin nga shumë vepra të pista dhe të poshtra, që i bënin haptazi dhe në mënyrë të paturpshme. Allahu i Madhëruar thotë në suren Teube, ajeti 64: “Hipokritët tremben se mos zbret ndonjë sure që u nxjerr në shesh atë që kanë në zemër.....”. Allahu i Madhëruar i përshkruan ata, duke nxjerrë në pah esencën e hipokrizisë së tyre, kur thotë:
“Ka nga njerëzit që thonë: “Ne besojmë në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit”, por (në të vërtetë) ata nuk janë besimtarë.” -
Ata shprehin me fjalë diçka që nuk ekziston në zemrat e tyre, por Allahu i Madhëruar e përgënjeshtron këtë pretendim kur thotë: “…ata nuk janë besimtarë.”. Që të meritosh emrin ‘besimtar’ duhet ai besim, për të cilin zemra dhe gjuha janë në përputhje të plotë. Ky pretendim bosh nga ata nuk është gjë tjetër, veçse një përpjekje e kotë për të mashtruar Allahun e Madhëruar dhe besimtarët që e adhurojnë Atë.