Ata thonë: “Ne nuk do të na kapë Zjarri më shumë se disa ditë të caktuara!” -
Pasi përmend veprat e tyre të shëmtuara, Allahu tregon edhe një tjetër cilësi të tyre të poshtër: faktin që ata lëvdohen dhe e paraqesin veten e tyre të pastër dhe larg gabimeve. Ata, me mendjemadhësi, pretendojnë se do të shpëtojnë prej ndëshkimit të Allahut dhe se do të shijojnë shpërblimin e Tij, duke thënë se Zjarri ka për t’i prekur veçse disa ditë të numëruara. Në këtë mënyrë, ata kryejnë njëkohësisht dy shkelje, pasi jo vetëm që bëjnë gjynahe, por edhe ndihen të sigurt prej ndëshkimit të Allahut. Megjithatë, Allahu i Lartësuar ua hedh poshtë këtë pretendim, duke sjellë një pyetje. Ai i thotë Profetit (a.s):
Thuaju: “A mos keni marrë prej Allahut ndonjë premtim dhe Allahu nuk e thyen kurrë premtimin e vet?”! -
Kuptimi: Thuaju atyre, o Profet (a.s): A kini marrë ndonjë premtim prej Allahut, se është vërtet kështu si thoni?! Dihet që premtimi i Allahut për ruajtje nga ndëshkimi dhe për dhënie shpërblimi është vetëm për ata që e meritojnë, dhe ato bëhen të meritueshme veçse kur pajisesh me iman dhe kur vepron sipas tij. Ky premtim është vetëm për ata që e besojnë vërtet Allahun dhe të Dërguarin e Tij, si dhe që iu binden atyre. Vetëm kundrejt këtyre është i vlefshëm premtimi i Allahut, dhe, pa dyshim, që ai do të shkojë në vend. Kështu që, kur ju shprehni të tilla pretendime, ose keni ndonjë premtim nga Allahu i Lartësuar, ose shpifni kundër Tij.
Apo po thoni për Allahun diçka që nuk e dini? -
Me këtë ajet, Allahu i Lartësuar na mëson se mëtimet e tyre mund të jenë:
- ose të mbështetura te ndonjë premtim i Allahut të Lartësuar, dhe në këtë rast do të ishin të sakta;
- ose ata shpifin ndaj Allahut të Lartësuar, dhe kështu pretendimet e tyre do të ishin të pavërteta, duke u bërë të meritueshëm për ndëshkimin dhe poshtërimin nga Allahu.
Vetë gjendja dhe e kaluara e tyre dëshmon se ata kurrë nuk e kanë marrë ndonjë premtim të tillë, sepse ata kanë qenë gjithnjë të famshëm për mohimin e shumë profetëve. Madje, kanë shkuar edhe më larg se kaq: ata kanë patur guximin dhe paturpësinë që t’i vrasin disa profetë. Mosbindja ndaj urdhrave të profetëve dhe thyerja e pakteve dhe e premtimeve ka qenë një cilësi e pandashme e tyre, përgjatë gjithë kohërave. Kështu që, me këtë biografi të përlyer, për ta është e pashmangshme mundësia e dytë, që: ata shpifin dhe mashtrojnë kundrejt Allahut. Ata flasin në emër të Tij pa patur dije dhe pa fakte, por dihet shumë mirë që, të flasësh në emër të Allahut pa dije dhe pa fakte, konsiderohet një prej harameve më të mëdha. Ky është një veprim shumë i shëmtuar. Më tej, Allahu i Lartësuar përmend një gjykim gjithëpërfshirës. Përballë këtij ligji janë njëlloi si bijtë e Israilit, ashtu edhe të tjerët, pa asnjë ndryshim. Ky është një gjykim i pakthyeshëm, në të cilin nuk ndikojnë as ëndrrat dhe dëshirat boshe dhe as pretendimet e pabaza. Thotë i Lartësuari: