Dhe kur atyre u thuhet: “Besoni në atë që e ka shpallur Allahu!” -
Pra, çifutët u urdhëruan që ta besonin Kur’ânin, të cilin Allahu i Lartësuar ia shpalli Profetit Muhamed (a.s), por ata refuzuan me mendjemadhësi, duke thënë:
“Ne besojmë atë që na është shpallur neve”, kurse atë (Shpalljen) që ka ardhur më pas e mohojnë, …” -
Pra, ata pretenduan se besonin vetëm ato shkrime hyjnore që iu ishin shpallur atyre, dhe mohonin çdo libër tjetër të mëvonshëm. Ky qe një pretendim i padrejtë nga ana e tyre, sepse ata e kishin të detyrueshme që të besonin gjithçka që Zoti i shpallte njerëzimit, pa bërë dallime mes shpalljeve. Vetëm kjo mënyrë besimi është e vlefshme dhe e dobishme, pra: besimi i të gjitha shpalljeve të Allahut të Lartësuar, drejtuar të gjithë profetëve. Nëse dikush bën dallime në besim ndërmjet profetëve dhe librave hyjnore, domethënë në pranimin e disave dhe mospranimin e disa të tjerëve, në fakt ai nuk ka besuar asnjërin prej tyre, dhe kjo vepër konsiderohet si kufër i vërtetë. Për këtë, thotë i Madhëruari në suren Nisa, ajetet 150-152: “Ata që e mohojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe dëshirojnë të ndajnë (besimin në) Allahun nga (besimi në) profetët e Tij, duke thënë “Disa i besojmë e disa nuk i besojmë” dhe duan të zgjedhin një rrugë të ndërmjetme, pikërisht ata janë mohuesit e vërtetë. Ne kemi përgatitur një dënim poshtërues për mohuesit. Ndërsa atyre që besojnë në Allahun dhe profetët e Tij, pa bërë asnjë dallim mes tyre, Ai do t'ua japë (të plota) shpërblimet e tyre. Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” Më pas, Allahu i Lartësuar e kundërshton gabimin e tyre me një argumentim të padiskutueshëm:
…edhe pse ajo është e vërtetë dhe vërteton atë që e kanë ata… -
Allahu i Lartësuar ua hedh poshtë mohimin atyre me dy fakte:
1. Duke thënë: ‘ue huel ĥaķķu’ (ajo është e vërtetë). Domethënë, Shpallja (ose Kur’âni) është e vërteta e sigurt në gjithçka që ajo përmban, nga të gjitha këndvështrimet. Ajo është e vërteta e sigurt, për sa u përket rrëfimeve që përmban dhe dispozitave për të cilat na urdhëron dhe na ndalon, dhe kjo për një arsye të thjeshtë: sepse është prej Allahut të Lartësuar. Kështu që mohimi i këtyre të vërtetave të pa kundërshtueshme të shpallura nga Allahu i Lartësuar, në të vertetë konsiderohet mohim dhe rebelim ndaj vetë Krijuesit, Allahut të Lartësuar.
2. Duke thënë: ‘muŝaddiķal-limâ meahum’ (vërtetuese e asaj që kanë ata). Pra, ajo është miratuese e të vërtetave që gjenden mes tyre, në librat e tyre. Por jo vetëm kaq. Ajo është, madje, edhe garantuese e argumentuese e vërtetësisë së tyre.
Atëherë, (thotë kuptimi i ajetit) përse e besoni atë që ju ka zbritur juve dhe e mohoni simotrën e saj? A nuk tregon kjo thjesht një ndjekje të egos tuaj? E pra, veprimi juaj nuk mund të konsiderohet kurrsesi si ndjekje e udhëzimit të drejtë, por ai është vetë humbja dhe pasimi i të kotës. Këtu shfaqet një çështje tjetër, që duhet kuptuar mirë. Meqë Kur’âni është vërtetues dhe sigurues i saktësisë së teksteve hyjnore që ata kanë në duart e tyre, kjo do të thotë që ata duhet të jenë besimtarët e parë të tij. Ata nuk kanë mundësi tjetër që të provojnë saktësinë dhe autenticitetin e ndonjë pjese nga librat që kanë në duart e tyre, përveç verifikimit që mund t’u bëjë Shpallja e fundit e Allahut. Shpallja e fundit është e vetmja dëshmi për ta, që mund të vërtetojë, pra, saktësinë e ndonjë pjese nga librat e tyre, dhe kjo për shumë arsye. Por si mund ta vërtetojnë saktësinë e librave të tyre, kur ata shpërfillin, mohojnë dhe nuk pranojnë të vetmen rrugë për ta arritur këtë? A nuk është kjo një marrëzi apo një mendjelehtësi e theksuar? Si përfundim, themi se ata, duke mohuar Shpalljen e fundit, në të vërtetë kanë mohuar edhe ato tekste që kanë në duart e tyre. Më poshtë, Allahu i Lartësuar sjell edhe fakte të tjera, të cilat tregojnë qartë se ata, edhe librin e tyre nuk e kanë besuar ashtu sikurse pretendojnë. I Lartësuari thotë:
Thuaju: “Nëse vërtet ju besoni, atëherë përse i vrisnit profetët e Allahut?” -
Kuptimi: Mos vallë, vrasja e profetëve konsiderohet si shenjë e besimit tuaj tek ata?!