Ai (Allahu) tha: “T’u dha ajo që kërkove, o Musa.” - Do të t’i jap të gjitha sa më kërkove. Allahu do ta zgjerojë gjoksin, do t’i lehtësojë çështjet, do ta zgjidhë gjuhën, që njerëzit të të kuptojnë qartë dhe që ta kryesh misionin me sukses. Për këtë mision nuk do të jesh vetëm, sepse do të të shtojmë mbështetjen më vëllanë tënd, Harunin. Veç kësaj, Allahu i tha: “Ne do të ta shtojmë përkrahjen me vëllanë tënd dhe do t’ju japim pushtet me shenjat Tona, që ata të mos ju afrohen. Ju të dy dhe ata që ju pasojnë, do të jeni ngadhënjimtarë”. [Kasas 35]. Këto lutje të Musait tregojnë për diturinë e tij të thellë rreth Zotit të Madhëruar. Ato tregojnë për mprehtësinë dhe mençurinë e tij në trajtimin e çështjeve. Gjithashtu, ato dëshmojnë për dëshirën e mirë të Musait për të rregulluar dhe për të sjellë sa më shumë dobi për njerëzinë. I tillë duhet të jetë mësuesi dhe ftuesi i njerëzve në të mirën, në mënyrë të veçantë kur ka të bëjë me njerëz inatçorë, arrogantë e tiranë, kryeneçë e të pabindur. Përballë kësaj kategorie njerëzish, ftuesi ka nevojë të ketë gjoks të zgjeruar dhe zemër të madhe e durimtare, të mbushur me butësi e mëshirë, tolerancë e falje, në mënyrë që t’i bëjë ballë çdo lloj mundimi me të cilin do të përballet, t’i bëjë ballë furtunës me fjalë të shëmtuara e fyese, që do të derdhen mbi të. Ai ka nevojë për oratori dhe një gjuhë të zhdërvjellët e të mprehtë, të ëmbël dhe të aftë për të sqaruar sa më mirë të vërtetën. Oratoria dhe elokuenca në të tilla çështje është element i domosdoshëm, sepse përballjet në këto raste janë të forta dhe të mprehta. Është e nevojshme që, nëpërmjet fjalëve, të paraqesësh të vërtetën në formën më të bukur. Përveç kësaj, daveti kërkon mendje të urtë dhe stil të përshtatshëm komunikimi, sepse duhet t’i drejtohesh njerëzve ashtu siç u shkon për shtat, për të qenë sa më i dobishëm dhe që misioni të dalë me sukses. Mbi të gjitha, këtu është e nevojshme që Allahu të të lehtësojë çdo çështje, në mënyrë që ta nisësh nga ana e duhur, që t’i ftosh njerëzit në rrugën e drejtë me urtësi e butësi, që edhe polemikën ta bësh me mençuri dhe të jesh bindës. Në përfundim, është e nevojshme që Zoti të të japë mbështetës e bashkëpunëtorë të mirë në misionin tënd. Sa më shumë zëra të ngrihen për të mbrojtur e përhapur të vërtetën, aq më ndikues do të jenë ata. Kështu, Musai i dinte mirë këto çështje, prandaj u lut për to, dhe Allahu ia plotësoi të gjitha. Nëse studion historinë e profetëve, sheh se ata të gjithë i kanë patur këto cilësi dhe aftësi. Sigurisht, më i miri i të gjithëve është Muhamedi (a.s), i cili qëndron në nivelin më të lartë. Me gjoksin më të zgjeruar, atij iu lehtësuan të gjitha veprat, iu dha elokuencë e plotë dhe bukuria e të shprehurit. Atij iu dhanë shokët dhe mbështetësit më besnikë dhe durimtarë. Atij iu dha një popull pasues, që qëndron i palëkundur në fenë e tij.