Atë Ditë, kur ta shihni atë, çdo nënë do të braktisë foshnjën që ka për gjiri... -
Aq e madhe do të jetë frika, saqë edhe nëna që ka dashuri të papërshkrueshme për fëmijën e saj të sapolindur, do ta braktisë atë nga tmerri, edhe pse foshnja nuk mund të jetojë dot pa të.
dhe çdo shtatzënë do ta nxjerrë para kohe barrën e vet. - Kjo ndodh nga frika e madhe dhe e papërballueshme.
Ju do t'i shihni njerëzit që duken si turmë të dehurish, ndonëse nuk janë të dehur. -
Nëse i sheh njerëzit atë ditë, do të duken sikur janë të dehur nga pija, por në fakt nuk janë të dehur:
Dhe shumë i ashpër do të jetë dënimi i Allahut. -
Ndëshkimi ua ka dehur mendjen, ua ka tmerruar zemrën, aq sa ajo u arrin në fyt, ndërsa sytë u mbesin të hapur. Ajo është dita kur as prindi nuk e ndihmon dot fëmijën e vet dhe as fëmija nuk mund ta ndihmojë prindin, siç thotë Zoti: “Kur të vijë Ushtima, është dita kur njeriu ikën prej vëllait, nënës, babait, gruas dhe prej fëmijëve të vet. Atë ditë, çdo njeriu i mjafton çështja e vet.” [Abese 33 – 37]. Për atë ditë, Allahu thotë: “Për jobesimtarët, ajo do të jetë një ditë e vështirë. Atë ditë, zullumqari do të kafshojë duart e veta dhe do të thotë: “Oh, i mjeri unë, pse nuk ndoqa udhën e drejtë, së bashku me Profetin! Oh, i mjeri unë, të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më largoi mua prej udhëzimit, pasi ai m’u paraqit. Shejtani është ai që e humb njeriun dhe e lë të vetmuar.” [Furkan 26 – 29]. Atë ditë do të nxihen fytyrat e keqbërësve dhe do të zbardhen fytyrat e besimtarëve. Do të vendosen peshoret, që peshojnë edhe grimcën më të vogël të veprave, të mira dhe të këqija. Atë ditë do të llogariten edhe qëllimet e njerëzve, të vogla a të mëdha. Mbi Xhehenem do të vendoset ura. Xheneti do t’u afrohet të devotshmëve, ndërsa zjarri do t’u afrohet keqbërësve, të devijuarve dhe të larguarve nga rruga e Zotit. Në përshkrimin e asaj dite, i Madhëruari thotë: “Ne kemi përgatitur zjarr të fortë për ata që nuk besojnë Ditën e Gjykimit. Kur ai (zjarri) t’i shohë prej së largu, ata do dëgjojnë prej tij zemërim dhe ulërimë. Kur të flaken në një vend të ngushtë të tij, të lidhur, do të kërkojnë të asgjësohen. “Mos e kërkoni asgjësimin vetëm një herë, por shumë herë! [Furkan 11 – 14]. Kur të thërrasin Zotin që t’i nxjerrë nga zjarri, Ai do t’u thotë: “Heshtni aty e mos më flisni!” [Mu’minun 108]. Ajo është dita kur Zoti Mëshirëplotë do të zemërohet dhe mbi ta do të zbresë dënimi i dhembshëm dhe i përjetshëm. Ata do do të humbasin çdo shpresë për shpëtim. Të gjitha veprat e tyre do të dalin, pa asnjë përjashtim, sado të vogla qofshin. Ndërsa të devotshmit do të jenë në Xhenet, ku do të lumturohen mes mirësive e kënaqësive, në përjetësi, siç thotë i Madhëruari: “Ai (Xhehenemi) është më i mirë apo Xheneti i përjetshëm, i cili u është premtuar si shpërblim të devotshmëve? Ai është përgatitur si shpërblim dhe do të jetë vendqëndrimi i tyre. Ata do të kenë atje gjithçka që dëshirojnë dhe do të jenë të përjetshëm. Ky është një premtim i Zotit tënd, që Ai nuk e thyen.” Çdo njeri i logjikshëm që e di se kjo ditë do të vijë, duhet të përgatitet për të ashtu si i takon dhe kurrë nuk duhet të mashtrohet nga ëndrrat boshe dhe të lërë përpjekjen për ahiret. Devotshmëria ndaj Zotit duhet të jetë synimi, frika ndaj Tij duhet të jetë nxitësi, ndërsa dashuria për Zotin dhe përmendja e Tij të jenë shpirti dhe gjallëruesi i adhurimeve të tij.