Ata u udhëzuan për (të folur) fjalët më të mira dhe u udhëzuan në rrugën e Atij që i meriton (të gjitha) lavdërimet. -
Këta të zgjedhur janë udhëzuar plotësisht në të gjitha drejtimet: në fjalët, veprat dhe qëllimet e tyre. Allahu thotë: “Ata janë udhëzuar për fjalët më të mira...”. Nuk ka dyshim se fjala më e mirë dhe më e shpërblyeshme që ata thonë është fjala e teuhidit: “La ilahe il-l’Allah!” (Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Allahut). Pastaj vijnë sipas rëndësisë së tyre të gjitha fjalët e tjera, me të cilat kujtohet e lavdërohet Allahu ose që thuhen për bamirësi ndaj krijesave. Më pas, Allahu i Madhëruar thotë: “...dhe janë drejtuar në rrugën e veprave të lavdërueshme.” Pra, rruga e tyre ishte ajo e të lavdëruarve, një rrugë e lavdishme dhe e zgjedhur. Kjo është rruga e tyre, që simbolizon Sheriatin. E gjithë feja e Zotit është e ndërtuar mbi urtësinë dhe është e lavdëruar në të gjitha aspektet. Ajo urdhëron veçse për mirë dhe ndalon nga e keqja. Ajo është një ligj që është i ruajtur si nga teprimi, ashtu edhe nga mangësitë e cenimi. Kjo fe ndërtohet mbi dy baza të forta: dituria e dobishme, e saktë, e vërtetë dhe veprat e mira sipas kësaj diturie e me sinqeritet për Krijuesin. Ky ishte njëri nga kuptimet e ajetit. Pra, në këtë rast epiteti “e lavdishme” është për rrugën. Kështu: “janë drejtuar në rrugën e lavdishme”. Ndërsa kuptimi tjetër është: “janë drejtuar në rrugën e të Lavdëruarit” . Pra, El Hamid merret si cilësi e Allahut. Shpesh Allahu e quan rrugën e drejtë si “Rruga e Tij”, sepse kjo rrugë të çon drejt Allahut, nëse e ndjek me besnikëri e sinqeritet. Përdorimi i emrit të Allahut “El Hamid”, na jep të kuptojmë se këta të zgjedhur janë drejtuar në këtë rrugë nëpërmjet lavdërimit, përlëvdimit e falënderimit të Zotit, por, sigurisht, edhe nëpërmjet mëshirës e bamirësisë së Tij ndaj tyre. Për këtë arsye, këta të lumtur do të thonë në Xhenet: “I lavdëruar qoftë Allahu, i Cili na udhëzoi për këtë (lumturi). Ne kurrë nuk do të mund ta gjenim udhëzimin, sikur të mos na drejtonte Allahu! Vërtet, të dërguarit e Zotit na e sollën të vërtetën!” Dhe ata do të dëgjojnë thirrjen: “Ky është Xheneti, të cilin e trashëgoni si shpërblim për veprat tuaja (të mira)”. [A'raf 43]. Para se të tregonte shpërblimin e vepërmirëve, Allahu i Madhëruar tha se Atij i nënshtrohet gjithçka në qiell dhe në tokë: “A nuk e di se Allahut i nënshtrohet çfarë është në qiej dhe çfarë është në tokë: dielli, hëna, malet, bimët, shtazët dhe shumë njerëz...”. Njerëzit janë besimtarët, që e besojnë, e adhurojnë dhe i nënshtrohen Allahut me vullnetin e tyre të lirë. Më pas thotë: “Por shumë prej tyre e kanë hak dënimin”. Për shkak të mohimit dhe refuzimit të të vërtetës dhe Shpalljes, Allahu nuk ua mundëson që të udhëzohen në imanin e pastër dhe të vërtetë. Kështu, ata e meritojnë që Zoti t’i poshtërojë, prandaj thuhet në vijim: “Atë që e poshtëron Allahu nuk ka kush ta nderojë”. Allahu bën atë që dëshiron. Askush nuk mund ta kthejë e pengojë atë që Zoti dëshiron të jetë dhe askush nuk mund ta refuzojë vullnetin dhe gjykimin e Tij. Është Ai që udhëzon në rrugë të drejtë me urtësinë dhe mëshirën e Tij. Në këto ajete, i Madhëruari na tregon se të gjitha krijesat janë të përulura para madhështisë së Tij, të nënshtruara para krenarisë dhe pushtetit të Tij. Kjo tregon se Ai është i vetmi Zot, që meriton të adhurohet dhe Sunduesi i Lavdëruar. Kush ndjek rrugën e Tij, do të jetë i lavdëruar dhe i nderuar, ndërsa ata që i largohen rrugës së Tij do të jenë të poshtëruar dhe të humbur.