Ja, kështu. Kush madhëron Shenjtëritë e Allahut, kjo është më e mirë për të te Zoti i vet. -
Kështu, të gjitha këto dispozita që ju mësuam përmbajnë madhërim e respekt të shenjtërive të Allahut, i Cili dëshiron prej besimtarëve që t’i respektojnë shenjtëritë e Tij. Ky lloj nderimi i tyre të afron tek Allahu. Kush i respekton shenjtëritë dhe ligjet e Zotit, Ai do t’i japë shpërblime të mëdha dhe shumë të mira në fe e në të dyja jetët. Shenjtëri të Allahut quhen të gjitha ato adhurime që Ai ka urdhëruar të kryhen e të respektohen, si dhe ato kohë e vende ku jemi urdhëruar për kryer këto adhurime. Të tilla konsiderohen të gjitha adhurimet, si: haxhi, ihrami, kurbanet etj. T’i nderosh këto shenjtëri do të thotë t’i respektosh ato me zemër, t’i duash dhe t’i përkryesh, e jo t’i nënvlerësosh dhe as t’i bësh me përtaci e rëndesë. Më pas i Lartësuari përmend mirësinë dhe mëshirën e Tij që u lejoi njerëzve të përfitojnë nga kafshët dhe bagëtitë, si: devetë, lopët, delet etj. Ai mundësoi, gjithashtu, që nëpërmjet bërjes kurban të këtyre bagëtive, besimtarët t’i afrohen Atij. Pra, Ai u dhuroi dyfish mirësi:
Juve ju janë lejuar kafshët (për ushqim), përveç atyre që ju janë thënë (në këtë Shpallje). -
Përveç atyre që do t’ju lexohen në këtë Kur'an, siç është ajeti: “Haram janë për ju: të ngordhurat, gjaku, mishi i derrit, ajo kafshë që theret jo në emrin e Allahut, ajo që është mbytur me lak në fyt, ajo që është vrarë me goditje, ajo që është rrëzuar nga lartësitë, ajo që është shpuar, ajo që është ngrënë nga egërsirat, përveç asaj që arrini ta therni, ajo që është therur për idhuj dhe që ta kërkoni fatin me short. Të gjitha këto janë gjynah (e të ndaluara nga Zoti). Sot u dëshpëruan ata që mohuan dhe humbën çdo shpresë që t'ju largojnë prej fesë suaj. Mos i kini frikë ata, por më kini frikë vetëm Mua! Sot e përsosa fenë tuaj për ju, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj. Kush detyrohet nga uria, duke mos e tepruar dhe duke mos pasur qëllim mëkatin, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë." [Maide 3]. Nuk ka dyshim se është tregues i mëshirës së gjerë të Allahut fakti që Ai ua bëri njerëzve të ndaluara këto gjëra dhe i porositi që të ruhen prej tyre. Ai dëshiron t’i pastrojë ata nga çdo ndyrësi, t’i shpëtojë nga shirku, fjalët mashtruese dhe shpifja kundër Tij, prandaj thotë:
Largohuni nga ndytësia e idhujve... – Ndyrësi (er-rixhsu) quhet çdo gjë e pështirë dhe e neveritshme. Të tillë janë idhujt e çdo gjë që ju, o idhujtarë, adhuroni përveç Allahut. Madje këto janë llojet më të pështira të ndyrësive. Ajeti na ndalon nga të gjitha llojet e poshtërsive e ndalesave dhe, ndër to, madje më të rëndësishmet, janë idhujt dhe idhujtaria. Kjo është arsyeja që Allahu e përmend ndalesën për idhujt në mënyrë të veçantë, edhe pse ajo përshihet te poshtërsitë e ndyrësitë në përgjithësi.
... dhe largohuni nga shpifjet! - Ajeti urdhëron që t’u largohemi të gjitha fjalëve të ndyra e të ndaluara. Të gjitha ato konsiderohen si ķauluz-zûr - fjalë mashtruese. E tillë është edhe dëshmia e rreme. Pasi urdhëroi të largohemi nga çdo poshtërsi, ndyrësi dhe fjalët mashtruese, i Madhëruari urdhëron që të jemi hunefâ, duke thënë: