Allahu ka fuqi për t’i ndihmuar ata (muslimanët). Ata, të cilët vetëm pse thanë “Allahu është Zoti ynë.” u dëbuan prej shtëpive të tyre pa kurrfarë të drejte. -
Vetëm Atij le t’i kërkojnë ndihmë dhe Atij t’i mbështeten për arritjen e fitores. Allahu do t'i ndihmojë besimtarët: "...të cilët, vetëm pse thanë: “Allahu është Zoti ynë.” u dëbuan prej shtëpive të tyre pa asnjë të drejtë.” Ata u detyruan të largohen nga shtëpitë dhe atdheu i tyre, për shkak të vuajtjeve e mundimeve që u shkaktoheshin padrejtësisht. I vetmi "krim" i tyre, për të cilin qafirët i urrenin dhe torturonin, ishte fakti se ata thoshin: “Zoti ynë është Allahu”. I vetmi shkak për të gjitha ato përndjekje e mundime ishte se ata njësonin Allahun e Madhëruar dhe adhuronin vetëm Atë me sinqeritet. Nëse ky veprim mund të konsiderohet gjynah, atëherë ky ishte gjynahu i besimtarëve, sipas mohuesve dhe keqbërësve. Kjo ngjan me fjalën tjetër të Allahut të Madhëruar: “Mallkuar qofshin ata që hapën hendeqet me zjarr, të mbushur me lëndë djegëse! Ata rrinin ulur rreth tij dhe dëshmonin atë që bënin me besimtarët. Ata i keqtrajtonin (besimtarët), sepse ata besonin Allahun, Ngadhënjimtarin e të Lavdëruarin, të Cilit i takon sundimi i qiejve e i Tokës. Allahu është dëshmitar për çdo gjë!” [Buruxh 4 – 9]. Ky ajet tregon qartë urtësinë dhe qëllimin kryesor të ligjërimit të xhihadit. Synimi i tij është që të mundësohet përhapja e fesë dhe besimit të pastër në Allahun e Madhëruar dhe frenimi i agresionit kundër besimtarëve. Kështu mund të ndalen provokimet e vazhdueshme të jobesimtarëve, të cilët janë gjithmonë parët që i nisin ato. U bë e ligjshme të luftohet kundër padrejtësisë dhe luftës së padrejtë të mohuesve, që gjithmonë ndezin konflikte. U ligjërua lufta, që njerëzve t’u mundësohet të adhurojnë Allahun hapur, duke shfaqur të gjitha shenjat e dukshme dhe simbolet e fesë së Tij, prandaj Allahu i Madhëruar thotë në vijim:
Sikur Allahu të mos i mbrapste disa me disa të tjerë, do të rrënoheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë ku përmendet shumë emri i Allahut. -
Kështu, nëpërmjet luftës së muxhahidinëve në rrugën e Tij, Allahu i Madhëruar largon armiqësinë dhe agresionin e mohuesve ndaj besimtarëve dhe botës. Nëse kjo nuk do të ndodhte, atëherë: “...do të rrënoheshin manastiret, kishat, havrat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut.." Pra, do të shkatërroheshin të gjitha këto vendadhurime të mëdha të bashkësive të ithtarëve të librit, të jehudive dhe krishterëve, por do të shkatërroheshin edhe xhamitë e muslimanëve, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut. Në to falet namazi, kryhen ritet fetare, lexohet libri i Allahut dhe përmendet emri i Allahut. Për këtë arsye, sikur Allahu i Madhëruar të mos i mbronte njerëzit me njëri-tjetrin, atëherë mohuesit e besimit do të sundonin mbi muslimanët, do t’i shkatërronin faltoret e tyre, do t’i torturonin dhe do t’i ndalonin nga feja dhe besimi i pastër. Kjo tregon se, në origjinë, xhihadi është ligjëruar për të ndaluar agresionin dhe padrejtësinë e mohuesve. Në të gjitha ato vende ku është vendosur qetësia, paqja e stabiliteti, ku është përhapur adhurimi i Allahut dhe ku janë ndërtuar e mbushur xhamitë, duke shfaqur haptazi simbolet e Allahut, të gjitha këto janë fryt i luftës të besimtarëve dhe mirësi nga sinqeriteti i tyre. Nëpërmjet këtyre të zgjedhurve, Allahu i Madhëruar largon të keqen e mohuesve. I Madhëruari thotë: “Sikur Allahu të mos i mbronte njerëzit me anë të disave prej tyre, toka do të shkatërrohej. Por Allahu është Bamirës i madh ndaj njerëzimit.” [Bekare 251]. Dikush mund të thotë se, në kohën e sotme, ne shohim që xhamitë mbushen me besimtarë edhe në shtete të vogla islame, të cilat janë të pafuqishme përballë shteteve të tjera të mëdha dhe nuk mund të luftojnë kundër tyre për të mbrojtur veten. Madje, shohim që edhe në shtetet e mëdha të sunduara nga jomuslimanë, ka shumë xhami, në të cilat besimtarët falen qetësisht dhe në paqe, edhe pse qeveritarët e atyre vendeve e kanë plotësisht mundësinë që t’i shembin dhe shkatërrojnë ato. Atëherë, si të kuptojmë fjalën e Allahut të madhëuar që thotë: "Sikur Allahu të mos i mbronte njerëzit me anë të disave prej tyre, toka do të shkatërrohej", ndërkohë që nuk shohim ndonjë ushtri islame që ta pengojë agresionin e tyre?! Përgjigjja për këtë pyetje gjendet brenda të njëjtit ajet, në kuptimin e tij gjithëpërfshirës. Edhe kjo është një prej mënyrave të mbrojtjes së Zotit, që përmendet në ajet. Çdokush që njeh gjendjen e shteteve dhe sistemin mbi të cilin ato ngrihen e kupton qartë se ato shtete e trajtojnë çdo popull e bashkësi si pjesë përbërëse të vendit dhe qeverisjes, sipas asaj që çdo bashkësi ofron, qoftë në aspektin e forcës, pasurisë, përqindjes numerike, qoftë në atë të punës e shërbimeve. Kështu, këto shtete u ofrojnë bashkësive përbërëse të tyre të drejtat përkatëse, fetare ose jo fetare. Ata kanë frikë se, nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, kjo do të çonte në çrregullim të sistemit të tyre dhe humbje të një pjese të bashkësisë. Pikërisht për shkak të këtij sistemi të ngritur realizohen shumë mirësi fetare. Pjesë e këtyre mirësive që arrihen janë dhe ndërtimi e funksionimi i xhamive, të cilat, edhe në vendet më të spikatura të mohimit ngrihen e mbushen rregullisht, lavdëruar qoftë Zoti. Këto shtete të mëdha, - edhe pse fshehin urrejtje e mospranim të Islamit dhe muslimanëve, - tregojnë kujdes ndaj bashkësisë islame, për përmbushjen e të drejtave të tyre, edhe për shkak të mosmarrëveshjeve e përçarjeve të vazhdueshme mes shteteve të krishtera, përçarje që do të vazhdojë mes tyre deri Ditën e Gjykimit. Edhe për ato vende të vogla islame, që nuk kanë fuqi të mbrohen vetë, Allahu i Madhëruar bën që të mbrohen nëpërmjet aleancave me të tjerët (jomuslimanë), të cilët janë vazhdimisht të përçarë mes njëri-tjetrit. Është i madhi Zot që e bën të mundur këtë lloj mbrojtjeje, edhe pse Ai është i Plotfuqishëm që t’u shfaqë besimtarëve fitore të Islamit dhe muslimanëve, ashtu siç edhe ka premtuar në Librin e Tij. Shenjat e kësaj ndihme të Allahut për Islamin dhe muslimanët po shfaqen qartë çdo ditë e më shumë, që kur muslimanët e ndien dhe kuptuan se sa e rëndësishme është kthimi në fenë e tyre me besim të pastër dhe me jetën sipas këtij besimi. Për të gjitha këto, lavdërimi dhe mirënjohja i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar. E lusim të Lartësuarin që ta plotësojë mirësinë e Tij ndaj nesh! Prandaj, Allahu i Madhëruar duke na treguar realitetin, që është në përputhje të plotë me premtimin e Tij të sigurt, thotë:
Allahu do t'i ndihmojë ata që ndihmojnë rrugën e Tij. -
Allahu do ta ndihmojë këdo që pranon fenë e Tij, jeton sipas saj dhe e përhap atë ndër njerëz. Këta të zgjedhur luftojnë e sakrifikojnë për hapjen e fesë së Zotit, me sinqeritet e devocion. Ata japin gjithçka për luftën në rrugën e Zotit, për të lartësuar fjalën e Tij.
Allahu është i Plotfuqishëm dhe Ngadhënjimtar. -
Allahu është i plotë në fuqinë e Tij. Ai është Krenar dhe Ngadhënjimtar, që nuk mposhtet kurrë. Ai i ka nënshtruar të gjitha krijesat dhe i ka të gjitha nën pushtetin e Tij. Pra, gëzohuni, o muslimanë! Edhe nëse jeni të dobët në përgatitje ushtarake e nga ana numerike, dijeni se ju keni një Mbështetës të Fortë e të Pathyeshëm, të Fuqishëm e Ngadhënjimtar! Ju i mbështeteni Atij që ju krijoi ju dhe gjithçka që ju bëni. Kryejini ato gjëra që jeni urdhëruar nga Zoti, dhe pastaj kërkoni nga Ai që t’ju ndihmojë e t’ju dhurojë fitoren! Nëse e bëni këtë, Ai patjetër që ka për t’jua dhënë fitoren. I Madhëruari thotë: “O ju që keni besuar! Nëse ju ndihmoni Allahun, Ai do t'ju ndihmojë dhe do t'jua forcojë këmbët tuaja!” [Muhamed 7]. Ngrihuni, o muslimanë, dhe jepini hakun besimit dhe punës sipas tij, se për ju është një premtim i mrekullueshëm. I Madhëruari thotë: “Allahu u premtoi atyre të cilët besojnë dhe bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë sundues në atë tokë, ashtu si bëri edhe ata që ishin para tyre. Ai do ta forcojë fenë, që e pëlqeu për ta dhe, në vend të frikës, do t’u dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë. Por kushdo që mohon pas kësaj, ata janë më të prishurit (që kalojnë çdo kufi). Faleni me rregull namazin, jepni zekatin dhe bindjuni të Dërguarit, që të mëshiroheni!” [Nur 55, 56]. Më pas, Allahu përmend disa shkaqe e cilësi të atyre që vërtet ndihmojnë e luftojnë për fenë e Tij. Nëse dikush pretendon se e ndihmon fenë e Zotit dhe nuk i ka këto cilësi, atëherë kuptohet se ai është gënjeshtar. I Madhëruari thotë: