Mos vallë ai po ju premton se pasi të vdisni, të bëheni dhé e eshtra, do të nxirreni sërish (të gjallë)?” Sa e largët (dhe e pamundur) është ajo që ju premtohet! -
Është shumë e largët dhe e pabesueshme ajo që premton ai, pra, ringjallja. E si mund ta besoni që, pasi jeni tretur e bërë një me dheun e kockat t'ju jenë tharë, të risilleni në jetë?! Por ata të mjerë e kishin shikimin të kufizuar, prandaj mendonin për Zotin ashtu si për veten e tyre, që e kishin të pamundur të bënin diçka të tillë. Ata të mjerë e krahasonin pushtetin absolut të Krijuesit me dobësinë dhe aftësitë e tyre të kufizuara. Ata e mohuan fuqinë e Allahut për të ringjallur të vdekurit duke shpifur e përshkruar Atë me diçka që nuk i shkon madhështisë së Tij. Ata e harruan faktin se Zoti i kishte krijuar herën e parë, duke i bërë të ekzistonin kur nuk ishin fare. Kështu, rikthimi i tyre pasi të jenë tretur në tokë është më i lehtë për Allahun, për të Cilin gjithçka është e lehtë. Përse nuk e mohonin faktin që Ai i kishte krijuar herën e parë nga hiçi dhe kështu të tregonin se si ishin në të vërtetë: mendjemëdhenj dhe refuzues edhe të fakteve të prekshme dhe të dukshme! Më mirë le ta bëjnë këtë, dhe kështu diskutimi të bëhet fillimisht për ekzistencën e Zotit, Krijuesit të Madh dhe jo për ringjalljen. Për ringjalljen është përmendur edhe një argument tjetër, fakti që Ai e ringjall tokën pas vdekjes e shkretimit. Atëherë, është po Ai që do t’i ringjallë të vdekurit dhe Ai është i Plotpushtetshëm për gjithçka. Po kështu është edhe një argument tjetër që Zoti e ka sjellë si përgjigje ndaj mohuesve të ringjalljes, në ajetin kuranor: “Po. Ata u habitën që nga gjiri i tyre u erdhi një profet. Jobesimtarët thonë: “Kjo është, vërtet shumë e habitshme. Vallë, (do të ringjallemi) pasi të vdesim e të bëhemi dhé?! Ai kthim është larg.” [Kaf 2 – 3]. Në përgjigje ndaj tyre, Allahu tha: “Ne dimë se ç’ha toka prej tyre. Ne kemi librin që ruan gjithçka. Ata e mohojnë të Vërtetën, kur ajo u vjen, dhe janë vazhdimisht të luhatur. [Kaf 4]. Në vijim ata thanë: