Këta janë ata që do të shpërblehen me vendin më të lartë në qiell për shkak se ishin durimtarë... -
Ato janë grada shumë të larta dhe vendbanime të bukura, në të cilat është mbledhur çdo kënaqësi që të kënaq sytë dhe shpirtin. Të gjitha këto shpërblime janë produkt i durimit të tyre, siç thotë i Lartësuari: "(Për ta janë përgatitur) Xhenetet e Adnit, ku do të hyjnë ata dhe prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre, të cilët kanë qenë vepërmirë. Melekët do t’i vizitojnë ata, duke u hyrë nga çdo portë: “Selamun alejkum! Me durimin tuaj gjetët shpëtimin. Sa e mirë është Shtëpia e tyre e përjetshme!”[Ra'd 23, 24]. Prandaj këtu thotë:
dhe aty do të priten me përshëndetje dhe selam. - Selami u vjen prej Zotit, prej melekëve dhe prej njëri-tjetrit. Gjithashtu, ata janë në paqe dhe të sigurt për çdo gjë që i shqetëson nga lodhja e pakënaqësia. Janë në lumturi dhe prehje. Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar i ka përshkruar adhuruesit e Tij të dashur me disa cilësi. Ata ecin të mbuluar nga qetësia dhe prehja, janë me moral shumë të lartë dhe edukatë të pashembullt, mëshirë e butësi, falje e tolerancë. Janë falës ndaj atyre që u bëjnë padrejtësi dhe që i fyejnë me fjalë, largohen plot finesë dhe mirësjellje nga ata injorantë, ata falen shumë gjatë natës me sinqeritet e pastërti për Zotin, janë të frikësuar nga zjarri i Xhehenemit, prandaj luten me përunjësi dhe përgjërim që të shpëtojnë nga ky ndëshkim. Ata japin nga pasuria e tyre, për shpenzime të detyrueshme ose të pëlqyeshme, por duke qenë të matur: ata nuk e teprojnë as duke dhënë e as duke mos dhënë. Atëherë, duke qenë të matur në këtë aspekt, - që zakonisht njerëzit e kanë të vështirë të jenë të matur, - në çështje të tjera janë edhe më të matur: ata janë të ruajtur nga gjynahet e mëdha dhe janë të kujdesshëm me sinqeritetin ndaj Zotit në të gjitha adhurimet. Ata ruhen nga derdhja e gjakut të pafajshëm dhe cenimi i nderit të ndokujt. Edhe nëse ndodh që të gabojnë, ata me të shpejtë pendohen dhe kthehen. Ata e ruajnë veten dhe nuk marrin pjesë në ato vende ku bëhen gjynahe qoftë me fjalë, qoftë me vepra, sepse ruhen që të mos i bëjnë vetë. Ata nuk thonë fjalë të ulta dhe nuk bëjnë vepra të shëmtuara ose të kota, në të cilat nuk ka mirësi. Kjo tregon për personalitetin, dinjitetin dhe humanizmin e tyre të plotë. Ata respektojnë dhe nderojnë veten duke u larguar nga çdo gjë e ulët, me fjalë apo me vepra. Ata i dëgjojnë me vëmendje dhe respekt ajetet e Allahut dhe përpiqen të kuptojnë drejt kumtet e tyre e t’i zbatojnë ato. Ata përpiqen me të gjitha mundësitë për të përmbushur ligjet që Zoti u ka ngarkuar. Ata dinë t’i drejtohen Zotit me lutjet më të përkryera dhe më të dobishme, lutje të cilat jo vetëm u sjellin dobi atyre, por edhe të tjerëve që janë të lidhur me ta. Nga këto lutje kanë dobi të gjithë muslimanët, sepse ato synojnë rregullimin e grave, miqve, fëmijëve e pasardhësve në përgjithësi. Këto lutje tregojnë, veç të tjerave, se ata përpiqen shumë për edukatën dhe mësimin e diturisë së dobishme fetare për gratë e pasardhësit e tyre. Gjithashtu, ata janë të vëmendshëm në këshillimin dhe përmirësimin e tyre. Në këtë mënyrë, kush kërkon të arrijë të mirën, duhet patjetër të përpiqet për atë dhe t’i lutet Allahut për t’ia mundësuar dhe ndihmuar, se kështu ka për t’ia arritur qëllimit. Edhe ata e lusin Allahun që t’i ngrejë në gradat më të larta të mundshme për ta, pra, që t’i bëjë imamë të të devotshmëve dhe në gradën e të sinqertëve. Subhanallah! Sa të larta janë këto cilësi! Sa të larta janë ambiciet dhe vullneti i këtyre njerëzve! Ata kanë, gjithashtu, qëllime të mira dhe shpirt të pastër. Ata janë më të zgjedhurit dhe më të dalluarit tek Zoti i tyre.