Në qoftë se ju përjetuat dhembje (në Uhud), të jeni të sigurt se edhe të tjerët (armiqtë tuaj) provuan dhembje si kjo juaja (në Bedër). –
Pra, ashtu si ju, edhe ata kanë ndier dhimbje dhe vuajtje. Porse mes jush ka një ndryshim të madh: ju shpresoni prej Allahut diçka që ata nuk e shpresojnë, sikurse thotë i Lartësuari: “Mos u tregoni të dobët kur të ndiqni armikun! Nëse ju ndieni dhimbje, (dijeni se) edhe ata, sikurse ju, ndiejnë dhimbje. Por ju shpresoni nga Allahu atë çka ata nuk e shpresojnë. Allahu është i Ditur e i Urtë”. [Nisa 104].
Ne i këmbejmë të tilla ditë mes njerëzve,... -
Prej urtësive të kuptuara nga këto ajete është edhe fakti se, kur është fjala për mirësitë e kësaj jete, Allahu i Lartësuar ua jep ato edhe besimtarëve, edhe qafirëve, edhe të mirëve, edhe të këqijve. Kështu i ndërron ditët mes njerëzve Allahu i Lartësuar: sot u jep disave një gjë, nesër ua jep atë të tjerëve. Kështu ndodh në këtë jetë, sepse kjo dynja është e parëndësishme dhe do të zhduket. Ndërsa në jetën e përjetshme çështja ndryshon, sepse mirësitë atje janë të posaçme vetëm për besimtarët.
...që Allahu ti nxjerrë në pah ata që besojnë... -
Edhe kjo është një nga urtësitë që fshihen pas sprovave që godasin besimtarët: të dalin në pah besimtarët dhe munafikët. Nëse fitorja do t'u takonte gjithmonë besimtarëve, atëherë Islamin do ta pranonin të gjithë, edhe ata që në të vërtetë nuk e dëshirojnë atë. Prandaj, duke ndodhur sprova të tilla, del në pah besimtari i vërtetë, që e dëshiron fort dhe e zbaton Islamin qoftë në kohë mirësie, qoftë në kohë fatkeqësie, qoftë kur i vjen lehtë, qoftë kur i duket i vështirë, dhe kështu del në pah edhe ai që nuk është i tillë.
...dhe për t’i zgjedhur disa prej jush si dëshmorë. -
Ja edhe një urtësi tjetër që zbulohet nëpërmjet sprovave të mëdha. Allahu i Lartësuar i zgjedh disa njerëz si dëshmorë. Martirizimi në rrugën e Allahut është nga gradat më të larta të besimatrit, dhe kjo gradë mund të arrihet veçse nëpërmjet të tilla situatash. Është shprehje e mëshirës së të Urtit, që u ka lënë adhuruesve këtë rrugë të dhimbshme dhe të vështirë për të arritur gradat e larta dhe mirësinë e përjetshme.
Allahu nuk i do të padrejtët. -
Allahu i Lartësuar nuk i do ata të cilët tregohen të padrejtë ndaj vetes së tyre, duke mos luftuar dhe përpjekur në rrugën e Allahut. Me këto fjalë, Allahu i Lartësuar tregon cilësitë e poshtra të munafikëve. Ata e urrejnë Allahun dhe luftën në rrugën e Tij dhe, për këtë arsye, Allahu i Lartësuar nuk ua dha mundësinë dhe nderin të merrnin pjesë në betejën e Uhudit. Në një ajet tjetër, i Lartësuari thotë: “Nëse vërtet do të kishin dashur të shkonin, me siguri do të kishin bërë ndonjë përgatitje. Por Allahu nuk e pëlqeu pjesëmarrjen e tyre; prandaj i sprapsi, duke u thënë: “Qëndroni aty me ata që rrinë!” [Teube 46].