Dhe ata që janë të durueshëm, të drejtë, të devotshëm e dorëdhënës, dhe ata që në kohën e agimit kërkojnë falje. -
Pra, të devotshmit dallohen për durimin e tyre. Ata e nënshtrojnë veten në bindjen ndaj Zotit. Ata durojnë gjithçka, për të plotësuar urdhrat që i do dhe i pëlqen Allahu. Ata durojnë për t’u larguar nga çdo gjynah dhe mosbindje ndaj Allahut të Lartësuar. Ata janë të durueshëm përballë çdo përcaktimi të Zotit të tyre. Ata janë të kënaqur me caktimin e Zotit dhe janë durimtarë. Ata nuk tregojnë asnjë pakënaqësi apo zemërim me caktimin e Allahut të Lartësuar. Të devotshmit janë, gjithashtu, të vërtetë e të sinqertë në besimin e tyre. Veprat, fjalët, ndjenjat dhe besimi i tyre janë të çiltra. Ata nuk janë shtiracakë. Të devotshmit janë dorëdhënës. Ata shpenzojnë çdo lloj pasurie me të cilën Zoti i tyre i ka privilegjuar mbi të tjerët. Ata janë në ndihmë të vazhdueshme për krijesat e Zotit, e në mënyrë të veçantë për të afërmit e tyre. Të devotshmit kërkojnë falje gjatë kohës së agimit, dhe kjo është cilësi jashtëzakonisht e rrallë. Edhe pse gëzojnë virtyte të larta, si ato që u përmendën më sipër, ata e shohin veten me sy kritik dhe kurrë nuk pretendojnë se janë të devotshëm. Përkundrazi, ata mendojnë se janë shumë të mangët në fjalët dhe veprat e tyre, për të pretenduar një gjë të tillë. Për këtë arsye, ata e ndjejnë veten të detyruar që të kërkojnë falje nga Zoti i tyre i madhërishëm. Madje, ata nuk kërkojnë falje dosido, por përpiqen që këtë ta bëjnë në kohë të përzgjedhura, me qëllim që përgjigjja e Zotit të jetë më pranë dhe më e sigurt. Kjo dëshmon se me sa shumë ngulm e kërkojnë ata faljen nga Zoti i tyre. Ata luten në kohën e agimit, sepse atëherë e shpresojnë faljen nga Allahu i Madhëruar. Për shpjegimin e kësaj cilësie të të devotshmëve, Hasen el Basriu ka thënë: “Ata e zgjasin namazin e natës deri në kohën e agimit, pastaj ulen, shprehin pendesë dhe kërkojnë falje prej Zotit të tyre.” Këto ajete, ndër të tjera, flasin për:
- gjendjen e njerëzve në raport me kënaqësitë e kësaj jete të shkurtër;
- për mirësitë, zbukurimet dhe luksin e kësaj dynjaje, dhe për faktin që ato janë të papërfillshme në krahasim me jetën tjetër dhe bukuritë e saj të përjetshme;
- për bukuritë e mrekullueshme të Xhenetit dhe për çdo mirësi që gjendet në të, duke na nxitur që të bëjmë dallimin mes dy jetëve. Duke na nxitur që t’i studiojmë mirësitë e secilës jetë, para se të bëjmë përzgjedhjen tonë, Allahu i Lartësuar na tregon se Ai dëshiron prej nesh që t’i japim përparësi ofertës së Tij për të hyrë në Xhenetin e përjetësisë. E si mund të zgjedhim mirësitë e dynjasë të shkurtër, që e ka një fund, përpara mirësive të mrekullueshme dhe të përjetshme të Xhenetit?! Allahu i ka përshkruar banorët e Xhenetit, me cilësitë e tyre të rralla. Ata janë të devotshmit, të cilët i ruhen ndëshkimit dhe zemërimit të Zotit të tyre, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, të cilat Ai i ka sqaruar në Kur’ân dhe nëpërmjet Profetit të Tij. Allahu i tregon më konkretisht disa virtyte të të devotshmëve, me të cilat adhuruesi duhet ta stolisë veten e tij. Ato cilësi janë kritere për të gjykuar nëse mund të jesh prej banorëve të Xhenetit apo jo.