Thuaj: “O Allah! O Sundues i gjithçkaje! –
Këtu, Profeti udhëzohet se si t’i drejtohet Allahut të Madhërishëm. Pra, thuaj: “O Zoti im! Ti je pronari i çdo pasurie. Ti je Sunduesi i Plotpushtetshëm. Në dorën Tënde është gjithçka. Gjithçka është pronë e të Madhërishmit. Pushteti suprem të përket vetëm Ty. Çdo gjë është pasuri e Jotja dhe vetëm e Jotja. Askush tjetër nuk vepron dhe nuk rregullon çështjet e krijesave, veç Teje. Asgjë nuk lëviz në gjithësi pa lejen Tënde të bazuar në urtësi dhe mëshirë.” Pastaj përmenden disa vepra dhe gjykime që i përkasin vetëm Zotit të botëve:
Ti ia jep pushtetin atij që do, dhe ia heq pushtetin atij që do! -
Ky ajet është tregues se Allahu i Lartësuar do t’ia heqë pushtetin çdo tirani zullumqar dhe do t’ia dhurojë atë popullit që ndjek Muhamedin (a.s) dhe udhëzimin që ai solli prej Zotit të tij. Dhe, vërtet, Ai e bëri diçka të tillë. Marrja e pushtetit varet plotësisht nga vullneti i Allahut të Madhëruar. Por kjo nuk do të thotë që faktorët e forcimit dhe të mbajtjes së pushtetit, që Zoti i ka përcaktuar si të tillë, të jenë të pavlefshëm. Marrja dhe humbja e pushtetit varet nga disa shkaqe, që zakonisht e bëjnë të mundur një gjë të tillë. Në varësi të plotësimit të këtyre shkaqeve, që Zoti i ka lejuar të jenë të tilla, merret apo hiqet pushteti. Një gjë është e sigurt: asgjë në gjithësi, qoftë ajo shkak apo pasojë, nuk ndodh jashtë vullnetit suprem të Allahut. Është Ai që ka përcaktuar gjithçka me ekuilibër, i bazuar në dijen dhe drejtësinë e Tij. Asnjë shkak nuk mund të sjellë pasoja, nëse i Dituri e i Urti nuk e lejon një gjë të tillë. Disa nga shkaqet që Allahu i Lartësuar i ka përcaktuar si të tilla për të fituar pushtetin dhe sundimin në tokë, janë:
1. Besimi dhe veprat e mira. Besimi i pastër, i vërtetë, i bazuar në dije të saktë nga Zoti, dhe veprat e mira të bazuara në këtë dije dhe besim të saktë, janë shkaqe vendimtare që sjellin afrimin, vëllazërimin dhe unifikimin e radhëve të muslimanëve.
2. Përpjekja maksimale dhe pajisja me njohuritë dhe mjetet e nevojshme për arritjen e pushtetit. Pra, marrja e masave me të gjitha fuqitë mendore, fizike e shpirtërore.
3. Durimi, me të gjitha format e tij, dhe mospërçarja e radhëve të besimtarëve. Thotë Allahu i Lartësuar: “Allahu u ka premtuar atyre që besuan dhe bënë vepra të mira se do t’i bëjë sundues në tokë, ashtu si i pati bërë sundues ata (besimtarë të mirë) që ishin para tyre. Ai do ta forcojë fenë - atë që Ai e ka zgjedhur për ta dhe në vend të frikës do t’u dhurojë siguri dhe paqe. Ata më adhurojnë vetëm Mua e nuk më shoqërojnë askënd e asgjë. Por, kushdo që mohon pas kësaj, - ata janë të prishur (që kalojnë çdo kufi). Atëherë faleni rregullisht namazin dhe jepeni zekatin dhe bindjuni të Dërguarit që të mëshiroheni!” [Nur 55, 56]. Pra, besimi dhe veprat e mira janë faktorë shumë të fuqishëm të marrjes së pushtetit. I Madhërishmi thotë gjithashtu: “O ju që keni besuar! Kur të ndesheni me ndonjë forcë, qëndroni fort dhe përmendeni shumë (dhe shpesh) Allahun, që ta arrini fitoren e dëshiruar! Bindjuni Allahut e të Dërguarit të Tij, e mos u grindni ndërmjet jush, sepse kështu do të dobësoheshit e do t’ju linte fuqia. Bëhuni durimtarë sepse Allahu është me durimtarët.". [Enfal 45. 46]. Siç shihet, Allahu i Madhëruar na tregon se afrimi mes zemrave të besimtarëve, qëndrueshmëria e tyre në rrugën e drejtë, mospërçarja dhe bashkimi i tyre si një trup i vetëm, janë faktorë që sjellin fitoren mbi armiqtë e tyre. Nëse studion mbretëritë e muslimanëve, do të shohësh se shkaku i dobësimit dhe i rrëzimit të tyre ka qenë gjithnjë largimi nga feja e Zotit. Largimi nga besimi dhe nga veprat e mira ka sjellë përçarjen dhe armiqësinë e muslimanëve mes njëri-tjetrit, gjë të cilën e synojnë aq shumë armiqtë e Islamit.
Ti e lartëson atë që do dhe e poshtëron atë që do. -
Ti, o Zot, lartëson e nderon atë që Ti do, duke i dhënë sukses që të besojë të vërtetën dhe t’i nënshtrohet me bindje asaj. O Zot! Me drejtësinë dhe urtësinë Tënde, Ti e poshtëron atë që do, për shkak të poshtërsive dhe mosbindjes ndaj Teje.
Vetëm në dorën Tënde është çdo e mirë. Vërtet, Ti je i Fuqishëm për gjithçka.” -
Asgjë nuk del jashtë pushtetit Tënd! Çdo gjë i nënshtrohet pushtetit dhe dëshirës së Tij, e cila është e bazuar mbi drejtësinë, urtësinë dhe mëshirën e Tij.