Dhe mbështetju Allahut! Mjafton që Allahu të jetë Mbrojtësi yt. -
Allahu është më i miri, në dorën e të Cilit duhet të lihen veprat. Ai kujdeset më mirë për veprat e robit dhe zgjedh gjithmonë më të mirën për të, sepse Ai është i Gjithëditur dhe i Urtë dhe e di shumë mirë se cila është më e mira për robin, edhe pse robi vetë nuk e di. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar e ka plotësisht pushtetin që t'ia ofrojë robit atë që e ndihmon, ndërsa robi është tërësisht i dobët dhe i pafuqishëm. Allahu është më i mëshirshëm për robin sesa robi për veten e vet dhe sesa nëna për fëmijën e vet. Allahu është më i dashur për robin se çdokush tjetër dhe është kujdestari më i mirë, sidomos kur bëhet fjalë për robërit e Tij të zgjedhur. Për këta, Ai vazhdon të kujdeset dhe t'i edukojë e drejtojë drejt mirësive dhe vazhdimisht u dhuron mirësitë e begatitë e Tij, të dukshme e të fshehura. Ky kujdes dhe këto mirësi janë edhe më të shumta kur Ai vetë i urdhëron që t'i mbështeten Atij dhe t'ia lënë veprat e tyre në dorën e Tij, duke premtuar që, nëse e bëjnë këtë ashtu siç duhet, atëherë mos ki dyshim për lehtësimet dhe ndihmën që vjen nga Mëshirëploti. Çdo çështje thjeshtësohet, çdo vështirësi lehtësohet, çdo sprovë kalon më lehtë, çdo fatkeqësi largohet, çdo nevojë e robit pakësohet dhe përmbushet, begatitë e Zotit zbresin, ligësitë largohen e zhduken. Në të tilla kushte, mund të shohësh që një njeri i dobët, i cili i është mbështetur tërësisht Allahut, duke i lënë veprat në dorën e Tij, të përmbushë vepra të cilat edhe një grumbull i tërë njerëzish nuk mund t'i përballojnë. Këtij njeriu, Allahu ia lehtëson që të bëjë vepra që edhe më të fortët nuk mund t’i bëjnë. Allahut i kërkojmë ndihmë për çdo gjë të mirë që na afron tek Ai dhe të na ruajë nga çdo ligësi që na largon nga Ai!