Nëpërmjet Shpalljes, Allahu i Lartësuar tregon gjykimin e Tij për mënyrën e sjelljes së një besimtari kur ndodhet mes qafirëve dhe gjynahqarëve. Ai thotë:
Juve ju është shpallur në Libër (Kur'an) që, kur të dëgjoni se mohohen shenjat e Allahut dhe po bëhet tallje me to, mos rrini me ata, derisa të hyjnë në një bisedë tjetër. -
Është detyrë për çdo të përgjegjshëm ligjërisht që t’i besojë, respektojë, madhërojë dhe shenjtërojë simbolet e Allahut dhe të fesë së Tij. Shenjat e Allahut dhe të fesë së Tij janë vendosur në tokë pikërisht që të respektohen, madhërohen dhe shenjtërohen. Ai i krijoi njerëzit dhe xhindet që ta adhurojnë Atë nëpërmjet respektimit dhe zbatimit të ligjit të Tij, prandaj mohimi dhe shpërfillja e këtyre porosive bie ndesh me besimin. Tallja me shenjat e Allahut dhe fjalët e Tij bie ndesh me madhërimin dhe respektin e tyre. Tallje konsiderohet edhe polemika që mohuesit ose munafikët bëjnë për të hedhur poshtë argumentet e Allahut të Madhërishëm dhe për të arsyetuar kufrin e tyre. Po kështu, edhe çdo arsyetim dhe polemikë që bidatçinjtë bëjnë për të mbrojtur kotësitë e tyre konsiderohet si tallje dhe nënvlerësim i ajeteve të Allahut, që tregojnë veçse të vërtetën dhe të drejtën. Gjithashtu, tallje konsiderohet edhe pjesëmarrja në vendet ku kryhen gjynahe, fliten poshtërsira dhe shkelen urdhrat e Allahut. Ne jemi të ndaluar që të marrim pjesë në të tilla vende, derisa njerëzit aty të ndalen dhe të kalojnë në tjetër bisedë.
Përndryshe, ju do të ishit si ata. -
Kuptimi: Nëse ju uleni dhe rrini së bashku me ta në të tilla gjendje, atëherë ju do të konsideroheni si ata, sepse tregoni pëlqim të kufrit dhe talljes së tyre. Bashkëjetesa me gjynahet është njëlloj si kryerja e tyre. Për këtë arsye, kush merr pjesë në të tilla vende, e ka detyrë që ta ndryshojë të keqen nëse ka mundësi, dhe nëse jo, atëherë të largohet prej andej.
Allahu do t’i tubojë në Xhehenem të gjithë munafikët dhe mohuesit. -
Ashtu sikurse munafikët bashkohen me qafirët në dynja, ashtu do t’i bashkojë Zoti në ndëshkim në ahiret. Munafikëve nuk do t’u bëjë dobi fakti që në dynja shtiren si besimtarë, sikurse thotë i Lartësuari: “Atë Ditë do t'i shihni besimtarët dhe besimtaret tek u ndriçon drita përpara dhe në të djathtë të tyre. (Atyre do t'u thuhet:) “Përgëzim për ju sot janë kopshtet, nëpër të cilët rrjedhin lumenj e ku do të jeni përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe.” Atë Ditë munafikët dhe munafiket do t'u thonë besimtarëve: “Na prisni pak, që edhe të ndriçohemi prej dritës suaj!” Atyre do t'u thuhet: “Kthehuni pas (në dynja) dhe kërkoni atje ndonjë dritë!” Atëherë, ndërmjet tyre vendoset një mur, që ka një derë. Nga brenda tij është mëshira, ndërsa nga jashtë tij është dënimi. Ata (munafikët) u thërrasin (besimtarëve): “A nuk kemi qenë edhe ne së bashku me ju!?” - “Po, por ju e shkatërruat veten, sepse ju prisnit kob të zi për besimtarët, dyshonit në çështjet e fesë dhe ju mashtroi jeta e dynjasë, derisa ju erdhi kaderi i Zotit. Gënjeshtari ju mashtroi rreth Allahut. Sot prej jush (o munafikë) nuk pranohet asnjë lloj kompensimi dhe as prej jobesimtarëve. Zjarri është vendi juaj, sepse atë meritoni. Sa përfundim i keq është ai!”” [El hadid 12 - 15]. Më pas, Allahu i Lartësuar përshkruan më hollësisht armiqësinë dhe pabesinë e munafikëve ndaj besimtarëve: