Allahu nuk fal që të adhurohet dikush a diçka tjetër veç Tij, ndërsa gjynahet e tjera ia fal kujt të dojë...-
Allahu i Lartësuar na bën të ditur se Ai nuk e fal që robi të adhurojë dikë a diçka tjetër veç Tij, kushdo dhe çfarëdo gjëje qoftë ajo. Adhurimi i takon vetëm Zotit dhe idhujtaria është e pafalshme para Tij. Ndërsa kur flitet për gjynahet e tjera, Ai ia fal ato kujt të dëshirojë, sipas urtësisë së Tij. Për gjynahet poshtë idhujtarisë (shirk) Allahu i Lartësuar ka vendosur shkaqe për faljen e tyre, si: veprat e mira, fatkeqësitë dhe vuajtjet në jetën e dynjasë, vuajtjet në jetën e varrit dhe në Ditën e Gjykimit, lutjet e besimtarëve për njëri-tjetrin apo ndërmjetësimi në ahiret. Nëse me gjithë këto shkaqe, gjynahet ende nuk fshihen, se janë të shumta, atëherë mbetet mëshira e Allahut, që Ai e ka veçuar për ata të cilët e kanë besuar pa bërë shirk. Ndërsa idhujtari ia ka mbyllur vetes portat e faljes dhe të mëshirës së Zotit. Çdo punë e mirë apo adhurim është i pavlefshëm nëse njeriu nuk distancohet nga çdo lloj idhujtarie. Njeriu është i ngarkuar pikësëpari të dëshmojë njësimin e Allahut në meritën e adhurimit, pra, është urdhëruar për teuhid, dhe pastaj i llogariten veprat e mira apo adhurimet, nëse ka bërë. Nëse nuk ka dëshmuar dhe nuk ka besuar njëshmërinë e Zotit në meritën e adhurimit dhe nuk është distancuar nga idhujtaria, atëherë prej tij nuk pranohet asgjë. Atë nuk e pastrojnë nga gjynahet as fatkeqësitë në jetën e dynjasë, as vuajtjet në varr dhe as vuajtjet në Ditën e Gjykimit. Për atë nuk do të ketë as ndërmjetësim, që të mund ta ndihmojë dhe shpëtojë nga ndëshkimi. Kështu, idhujtaria është krim i madh dhe i pafalshëm.
Kush adhuron dikënd a diçka tjetër veç Allahut, ka bërë një gjynah të madh. -
Pra, ka bërë faj të rëndë. E ku ka padrejtësi më të madhe që një krijesë të dobët, të krijuar nga dheu, të varfër, të varur dhe nevojtare për kujdesin e Zotit, të mangët në çdo aspekt, e paaftë t’i bëjë vetes mirë apo keq, e pamundur që të japë apo ta marrë jetë, ta krahasosh me Krijuesin e gjithçkaje, të Plotin dhe Absolutin në çdo drejtim, të Pasurin, që nuk ka nevojë për asnjë krijesë të Tij, me Atë në dorën e të Cilit është e mira dhe e keqja, dhënia dhe privimi, me Atë prej të Cilit vjen çdo mirësi që kanë krijesat? E pra, nuk ka padrejtësi më të madhe se kjo. Për këtë arsye, ai që bën këtë krim dënohet përjetësisht në Zjarrin e Xhehenemit, duke u privuar plotësisht nga mirësitë e Zotit. Në një ajet tjetër thotë i Lartësuari: “Bëjnë kufër ata që thonë: “Allah është Mesihu, biri i Merjemes”. Por Mesihu ka thënë: “O bijtë e Israilit! Adhurojeni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj! Kushdo që adhuron zota të tjerë përveç Allahut, Allahu do t'ia ndalojë Xhenetin dhe Zjarri do të jetë vendbanimi i tij. Për zullumqarët nuk ka asnjë ndihmëtar.” [Maide 72]. Por, sigurisht, kjo vlen për ata që nuk pendohen derisa i kap vdekja. Ndërsa për sa u përket atyre që pendohen para këtij çasti, atyre iu falet idhujtaria dhe çdo lloj gjynahu tjetër, sikurse thotë i Lartësuari: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut, sepse vërtet Allahu i fal të gjitha gjynahet. Ai është Falësi i Madh e Mëshirëplotë!” Kthehuni te Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë. Përmbajuni më të mirës që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi befas, pa e kuptuar! Dhe pastaj të mos thotë kush: “O i mjeri unë, që kam shpërfillur adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut e që isha prej atyre që talleshin!” Ose të thotë: “Ah, sikur të më kishte udhëzuar Allahu e të kisha qenë i devotshëm!” Apo, kur ta shohë dënimin, të thotë: “Sikur të isha kthyer edhe një herë e të isha bërë vepërmirë!” Jo, ty të patën ardhur argumentet e Mia, kurse ti i mohove ato, u bëre arrogant dhe jobesimtar.” [Zumer 53-59]. Përfundimisht, Allahu i Lartësuar i fal të gjitha gjynahet e atyre që pendohen dhe kthehen tek Ai të nënshtruar.