Në kohën e injorancës paraislamike, arabët, për shkak të paditurisë dhe ashpërsisë së tyre, nuk u bënin pjesë në trashëgimi të dobtëve, siç janë gratë dhe fëmijët. Trashëgiminë ata e ndanin vetëm mes burrave të fortë, sepse - sikurse justifikoheshin - vetëm ata ishin krah për luftë, grabitje e plaçkitje. Për këtë arsye, Zoti i Gjithëmëshirshëm dhe i Urtë caktoi këto dispozita për robërit e Tij, që të vendosej barazpeshë mes të drejtave të burrave dhe grave, të të fortëve dhe të dobtëve. Fillimisht, Zoti i Gjithëmëshirshëm u bëri një parapërgatitje të përgjithshme shpirtrave, që ata të ishin gati të pranonin dispozitat e Tij. Më pas, Ai solli urdhrat e detajuar, të cilët do të gjenin terren të përshtatshëm në shpirtrat e përmalluar për t’i zbatuar ato urdhra dhe për të flakur tutje zakonet e ulta të injorancës.
Meshkujve u takon pjesë nga pasuria që kanë lënë prindërit dhe të afërmit e tyre. Edhe femrave u takon pjesë nga ajo që kanë lënë prindërit dhe të afërmit, qoftë pak apo shumë. -
Si burrave, edhe grave u takon me ligj pjesa e përcaktuar nga trashëgimia që lënë pas prindërit ose të afërmit. Në ajet vjen, fjala e përgjithshme “të afërmit” vjen pas kategorisë së veçantë, që janë prindërit, për të treguar rëndësinë e këtyre të fundit. Dikush mund të pyesë: Pjesa për secilin grup, a përcaktohet sipas traditës së popullit, apo është e përcaktuar nga ligji i Zotit? Përgjigjja vjen nga i Lartësuari, që thotë:
Këto janë pjesë të përcaktuara (nga Zoti). -
Pra, këto janë pjesë të përcaktuara dhe të detyrueshme nga ligji i Zotit. Është Allahu i Gjithëditur e i Urtë Ai që i ka përcaktuar pjesët, të cilat do të shtjellohen më poshtë, inshallah. Dikush mund të pretendojë e të thotë se gratë dhe fëmijët mund të përfitojnë vetëm në raste kur pasuria që ndahet është e madhe, por edhe ky pretendim merr përgjigje nga i Gjithëdituri, kur thotë: “...qoftë pak apo shumë.”. Pra, grave u takon pjesë nga trashëgimia, qoftë ajo trashëgimi e madhe apo e vogël. I Lartësuar dhe i Lavdëruar qoftë Allahu!