Allahu është Bamirës me robërit e Vet. -
Këtu Allahu i Lartësuar na tregon se Ai është Bamirës, Bujar e i Dashur me robërit e Vet. Ai përkujdeset për ta, që ata ta njohin, ta duan, ta kërkojnë bamirësinë e Tij dhe ta arrijnë atë. Bamirësia është një nga cilësitë e Allahut të Lartësuar, që tregon për dijen e Tij të gjerë, për butësinë, mëshirën dhe përkujdesjen e Tij të madhe për krijesat. Është Ai që di në imtësi se çfarë fshehin gjokset dhe çdo të fshehtë tjetër. Është Allahu që i udhëzon dhe ua lehtëson robërve , në veçanti besimtarëve, rrugët e mirësive, rrugë që ata nuk i dinë dhe as nuk i mendojnë. Pikërisht prej bamirësisë së Tij, Ai i ka udhëzuar besimtarët, adhuruesit e Tij, ashtu si atyre kurrë nuk u shkonte ndër mend më parë, duke ua lehtësuar çdo shkak dhe ndihmues udhëzimi. Allahu u ka dhuruar atyre një natyrë të pastër. Ai i ka pajisur besimtarët me një dashuri të natyrshme për të vërtetën dhe me vullnet të mjaftueshëm për ta pasuar këtë të vërtetë. Është Allahu që i bën melekët e Tij të mbështesin e ndihmojnë besimtarët, t’i nxisin ata për vepra të mira dhe për bindje ndaj Tij, të hedhin në zemrat e tyre dashuri të mjaftueshme për fenë, punët e mira dhe për bindjen ndaj Tij, duke ua zbukuruar e lehtësuar të gjitha këto. Thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “… por është Allahu Ai që jua bën të dashur besimin dhe jua zbukuron atë në zemrat tuaja, ndërsa mosbesimin, shfrenimin dhe kundërshtimin, jua bën që t’i urreni. Këta dhe vetëm këta janë të udhëzuarit (në Rrugën e Drejtë).” [Huxhuratë 7]. Ose: “Ata të lavdërohen ty që u bënë muslimanë. Thuaju: “Me pranimin tuaj të Islamit, mos më thoni se ma dini për faleminderit mua, sepse Ai që e meriton falënderimin tuaj për udhëzimin në besim, është vetëm Allahu, nëse jeni të sinqertë”.”. [Huxhuratë 17]. Prej bamirësisë së Allahut janë edhe rregullat e dispozitat e mrekullueshme, me të cilat Ai ndihmon besimtarët në plotësimin dhe ruajtjen e udhëzimit, që po Ai ua jep. Me këtë qëllim, për shembull, Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët për disa adhurime kolektive, të cilat forcojnë vullnetin e tyre për të punuar, madje tek ta lind natyrshëm dëshira për të garuar në vepra të mira dhe për të përfituar nga virtytet e njëri-tjetrit. Prej bamirësisë së Allahut është edhe fakti që Ai, me bujarinë dhe mëshirën e Tij, u mundëson robërve forcën, mundësinë, mjetet e kushtet e nevojshme për t’i penguar nga rruga e keqe dhe gjynahet. Kështu, Allahu i Gjithëditur e i Gjithëmëshirshëm e di mirë se dynjaja, pasuria dhe pushteti, për arritjen e të cilave garojnë njerëzit në përgjithësi, mund të bëhet pengesë për ndonjë adhurues, madje mund ta çojë atë në pakujdesi, poshtërsi dhe në largimin nga bindja dhe nënshtrimi ndaj Atij, prandaj me urtësinë dhe butësinë e Tij, Allahu ia largon ose ia pakëson ato. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë në vazhdim:
... dhe begaton atë që Ai do. Ai është i Gjithëfuqishmi, Ngadhnjimtari. -
Allahu u dhuron rizk robërve aq sa kërkon urtësia dhe bamirësia e Tij. Është Ai që zotëron begatitë e qiejve dhe të tokës, të dynjasë dhe ahiretit. Nuk ka fuqi për robin dhe ndryshim të gjendjes së tij pa ndihmën e të Plotfuqishmit e Ngadhënjimtarit. Të gjithë janë të nënshtruar para pushtetit dhe sundimit të Tij gjithëpërfshirës. Pastaj i Lartësuari thotë: