O ju që keni besuar! Nëse ndonjë i padrejtë ju sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, në mënyrë që të mos e lëndoni ndonjë njeri pa dashje, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë. -
Edhe kjo është këshillë për një virtyt të lartë, të cilin duhet ta ketë çdo njeri i mençur dhe i urtë. Kështu, nëse një njeri i prishur, apo siç e quan i Lartësuari “fasikun” (që shkel kufijtë e Allahut), përcjell një lajm të caktuar, besimtari nuk duhet të nxitohet dhe ta pranojë menjëherë atë ose të ndërtojë gjykim mbi të, por ta verifikojë mirë dhe me kujdes. Marrja si e vërtetë e çdo lajmi përbën një rrezik të madh dhe një shkak potencial për të rënë në gjynah dhe padrejtësi. Nëse marrim si të mirëqënë një lajm të rremë, do të gjykojmë duke u bazuar në të dhe, si rrjedhim, mund të dëmtojmë jetën, pasurinë ose nderin e njerëzve padrejtësisht. Pasojat janë shumë të rënda. Prandaj të mençurit nuk veprojnë kurrë kështu. Ata e dinë se është detyrë verifikimi i çdo lajmi që sjell një njeri i prishur. Më pas, nëse faktet tregojnë për vërtetësinë e atij lajmi, atëherë gjykohet dhe punohet sipas tij. Nëse faktet vërtetojnë të kundërtën, atëherë ai nuk pranohet dhe nuk punohet sipas tij. Nga ajeti kuptohet se lajmi i sjellë nga një njeri i sinqertë, i drejtë dhe i besueshëm, është i pranueshëm. Ndërsa lajmi i një personi që njihet botërisht si gënjeshtar është i papranueshëm. Nga ana tjetër, lajmi i një njeriu të prishur, domethënë, i atij që bën shumë gjynahe e shkel kufijtë e Zotit, shihet në varësi të fakteve të tjera plotësuese, pastaj gjykohet për pranimin ose jo të tij. Për këtë arsye, shumë dijetarë muslimanë të hershëm i prano-nin hadithet e sjella nga hauarixh-ët, të cilët nuk gënjenin në fjalët që transmeto-nin, edhe pse bënin gjynahe të tjera dhe kishin devijuar nga rruga e drejtë.[1]
[1]
Ngrihet pyetja: A lejohet transmetimi i
haditheve nga bidatçinjtë? Imam Muslimi
nuk e ka lejuar një gjë të tillë. Kurse imam
Neveviu, në parathënien e “Sahihu i
Muslimit”, thotë: “Dijetarët e hadithit të
fikh-ut dhe të usul-it janë unanimë në
mendimin se transmetimet e atyre që
bëjnë bidate kufri nuk duhet të
pranohen. Ndërsa për transmetimet e
atyre që nuk bëjnë bidate kufri ka
mendime të ndryshme. Disa thonë se ato
janë të papranueshme në mënyrë të
prerë dhe të padiskutueshme, sepse
bidatçiu e ka të cenuar pastërtinë e tij
fetare, e cila është kusht për
pranueshmërinë e transmetuesit. Disa
janë të mendimit se transmetimet e tyre
janë të pranueshme, përderisa në
medhhebin e tyre e kanë të ndaluar
gënjeshtrën dhe nuk e bëjnë atë të
lejueshme për hir të mbështetjes të
mendimit dhe rrugës së tyre. Këtu nuk
prish gjë fakti në e propagandojnë bidatin
e tyre apo jo, a i ftojnë të tjerët në
pasimin e medhhebit të tyre apo jo. Ky
dëshmohet edhe si qëndrim i imamit
tonë, Shafiiut (Allahu e mëshiroftë!), i cili
ka thënë: “Unë nuk e pranoj dëshminë e
bidatçinjve të quajtur el hattabije, nga
sekti i shiitëve, sepse ata e shohin si të
lejuar dëshminë e rreme, kur bëhet fjalë
për të qëndruar në medhhebin e tyre.”
Ndërsa disa dijetarë të tjerë bëjnë dallim
mes bidatçinjve që janë propagandues të
bidatit të tyre dhe atyre bidatçinjve që
nuk janë të tillë. Sipas këtyre,
transmetimet e të parëve nuk lejohen,
ndërsa të atyre të fundit lejohen. Ky, në
fakt, është mendimi i shumicës së
dijetarëve dhe, sigurisht, që është
mendimi më i drejtë në këtë çështje. Disa
nxënës dhe pasues të imam Shafiiut kanë
qenë unanimë në mendimin se
transmetimet e bidatçiut që propaga-
ndon dhe fton në pasimin e bidatit të tij
janë të papranueshme. Ndërsa për atë që
nuk është i tillë, ata kanë patur mendime
të ndryshme: a pranohet transmetimi i tij
apo jo. Ebu Hatim Ibn Hibani ka thënë:
“Imamët tanë janë unanimë në
qëndrimin se është i palejueshëm
argumentimi me transmetimet e sjella
nga bidatçinjtë që e propagandojnë
bidatin e tyre. Asnjë nuk e kundërshton
këtë qëndrim.” Për sa i përket mendimit
të parë në këtë çështje, ai është shumë i
dobët. Në të dy ‘Sahih’-ët dhe në librat e
imamëve të hadithit, ka shumë
transmetime të pranuara nga shumë
bidatçinj, të cilët nuk janë propagandues
të bidatit të tyre. Dijetarët e parë dhe ata
të mëvonshmit i kanë pranuar
vazhdimisht transmetimet e kësaj
kategorie bidatçinjsh. Ata vazhdimisht
kanë dëgjuar hadithe prej tyre dhe u kanë
mundësuar edhe atyre të dëgjojnë
hadithet që transmetonin imamët e
mëdhenj, pa kurrfarë vërejtjeje.
Sidoqoftë, Allahu i Lartësuar është më i
ditur. (Për më gjerë, shih parathënien e
imam Neveviut në “Komentari i Sahihut
të Muslimit”.) [Sh.p.].