O ju që keni besuar! Kush prej jush largohet nga feja e vet, (le ta dijë se) Allahu do të sjellë një popull tjetër të cilin Ai i do ta dojë dhe ata do ta duan Atë;... -
Allahu i Madhëruar na tregon se Ai është i Pasur dhe i Jonevojtar për botën. Çdokush që e lë fenë e Tij nuk e dëmton aspak Atë, por dëmton veçse vetveten. Allahu ka robër adhurues të sinqertë, burra të çiltër dhe të vërtetë, të cilët Ai i ka udhëzuar dhe është përkujdesur për udhëzimin e tyre. I Gjithëmëshirshmi e Mëshirëploti i ka veçuar ata për Veten e Vet, duke na treguar se do të kujdeset Vetë që t’i sjellë në ekzistencë. Ata janë krijesat me cilësitë më të larta dhe me shpirtrat më të pastër. Cilësia më e mirë që ata kanë është që Allahu i do ata dhe ata e duan Allahun. Dashuria e Allahut për robin është mirësia më e madhe që Ai i ka dhuruar ndonjëherë robit dhe vlerësimi më i lartë për të. Kur Allahu i Madhëruar e do një rob, ia lehtëson atij shkaqet për ta realizuar këtë qëllim, duke i dhënë vullnet dhe sukses për të vepruar çdo të mirë dhe për të lënë çdo të keqe. Pas kësaj, edhe zemrat e njerëzve të tjerë fillojnë ta duan dhe nderojnë atë rob të zgjedhur dhe të përunjur ndaj Allahut, të cilin Ai e do. Një nga cilësitë e domosdoshme të një robi që e do Allahun dhe e madhëron Atë është pasimi rigoroz i Traditës së Profetit të Tij, në çështjet e jashtme e të dukshme dhe në ato të brendshme e të fshehura, në drejtim të fjalëve, punëve dhe gjendjeve të tij, sikurse thotë i Lartësuari: “Thuaj (o Muhammed): “Nëse e doni Allahun, atëherë më pasoni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet tuaja.” Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. Thuaj: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit!” Nëse ata refuzojnë, atëherë ta dinë se Allahu nuk i do jobesimtarët.” [Al Imran 32, 33]. Shenjë tjetër e dashurisë së Allahut për robin e Tij është dhe përpjekja e vazhdueshme e robit për t’u afruar tek Allahu i Madhëruar duke kryer vepra të mira të detyrueshme (farze) dhe të pëlqyeshme (nafile), sikurse ka përcjellë Profeti (a.s)thënien e saktë prej Allahut të Lartësuar: “Nuk afrohet ndonjëherë robi tek Unë me ndonjë vepër më të dashur për Mua sesa me atë vepër që ia kam bërë detyrë. Vazhdon robi që të afrohet tek Unë me vepra nafile të mira, derisa Unë e dua atë. Dhe kur Unë e dua atë, bëhem dëgjimi i tij, me të cilin ai dëgjon, vështrimi i tij, me të cilin ai vështron, dora e tij, me të cilën ai vepron, këmba e tij, me të cilën ai ecën. Nëse më kërkon, Unë i jap, nëse më kërkon mbrojtje dhe strehim, Unë e mbroj dhe strehoj”. Një detyrë e domosdoshme për të dashur Allahun e Madhëruar është njohja e Tij dhe shpeshtimi i përmendjes së Tij. Dashuria pa njohje është shumë e mangët, madje e paqenë, edhe nëse mund të pretendohet me fjalë. Gjithashtu, ai që e do Zotin, e shton përmendjen e Tij. Nëse Zoti e do një rob, e shpërblen atë shumë dhe për vepra tepër të vogla. Nëse Zoti e do robin, ia fal atij edhe gabimet apo rrëshqitjet e shumta. Cilësi tjetër e këtyre të përzgjedhurve fatlumë është edhe:
...modest e i butë ndaj besimtarëve, por i ashpër dhe i fortë ndaj mohuesve; -
Ata janë të thjeshtë dhe të butë ndaj besimtarëve, për shkak të dashurisë, mëshirës e dhembshurisë së madhe për ta. Ata vetë në përgjithësi kanë natyrë të butë dhe dashamirëse me njerëzit, prandaj butësia me besimtarët është mëse e pranueshme për natyrën e tyre. Ndërsa me qafirët, të cilët me arrogancë mohojnë Zotin, shpalljet hyjnore dhe profetët, me këta lloj njerëzish ata tregohen të fortë dhe të ashpër. Ata shfrytëzojnë të gjitha mundësitë dhe energjitë për të luftuar kundër qafirëve dhe për të triumfuar feja e Zotit dhe adhurimi i Tij si Një i vetëm. Ata përgatiten ashtu sikurse thotë i Madhëruari: “Përgatituni kundër tyre me sa fuqi të keni, përfshirë kuajt e luftës, në mënyrë që t'i fusni tmerrin armikut të Allahut dhe armikut tuaj, si dhe të tjerëve, të cilët mund të mos i dini, por të cilët i di Allahu. Çfarëdo që të shpenzoni në rrugën e Allahut, ajo do t’ju kompensohet dhe nuk do t’ju bëhet aspak padrejtësi.”. [Enfal 60]. I Lartësuari i ka përshkruar gjithashtu ata duke thënë: "Muhamedi është profet i Allahut. Ata që e shoqërojnë atë janë të ashpër me jobesimtarët dhe të mëshirshëm me njëri-tjetrin.” [Fet’h 29]. Kësisoj, ashpërsia dhe urrejtja kundër armiqve të Zotit është nga një nga veprat e mira që të afrojnë tek i Madhërishmi. Besimtarët i urrejnë qafirët dhe kufrin e tyre. Megjithatë, ashpërsia kundër qafirëve nuk duhet të ndikojë që të mos i ftojmë ata në Islam me mënyrat më të mira dhe më të bukura. Si ashpërsia ndaj tyre, ashtu edhe butësia e përdorur me ta kur i thërrasim në Islam janë në të mirë të tyre, për t’i zgjuar nga përhumbja dhe vdekja si mohues. Më pas, Allahu i Madhëruar tregon cilësi të tjera të të zgjedhurve:
...që lufton në rrugën e Allahut dhe që nuk i frikësohet kërcënimit të asnjë kërcënuesi. Kjo është dhurata e Allahut, që ia jep atij që Ai do. -
Ata luftojnë dhe përpiqen në rrugën e Zotit me pasurinë dhe veten e tyre, me fjalët dhe me veprat e tyre. Ata nuk i frikësohen kërcënimit të asnjë kërcënuesi. Ajo që ka rëndësi për ta është se si të kënaqin Zotin dhe si të ruhen nga ndëshkimi i Tij, e jo frika nga krijesat. Kjo tregon për fuqinë e vullnetit dhe të qëllimit të tyre, sepse kush ka zemër të dobët, edhe vullnetin e qëllimin i ka të dobët, dhe mjafton një vërejtje prej njerëzve, e ai dorëzohet. Kështu, fuqia e tij dobësohet gjatë përplasjes me kundërshtarët dhe qortuesit. Në zemrën e tij ekziston adhurimi i dikujt tjetër veç Zotit, në varësi të konsideratës që ai i kushton kënaqësisë dhe plotësimit të orekseve të njerëzve kundrejt urdhrave dhe porosive të Zotit. Zemra çlirohet nga adhurimi i çdo gjëje tjetër veç Allahut, veçse kur të mos ketë frikë dhe të mos i druhet askujt veç Allahut, kur vjen puna për zbatimin e porosive të Tij. Pasi i lëvdon të zgjedhurit e Tij për ato cilësi të cilat vetë Ai ua dhuron nga bujaria e Vet, dhe të cilat i nxisin besimtarët që të bëjnë shumë punë të mira, përveç atyre që u përmendën, Allahu i Lartësuar ua kujton sërish se të gjitha ato janë thjesht mirësi e bujari prej Tij. Ai e bën këtë që ata të mos mashtrohen e të vetëkënaqen, por të tregohen mirënjohës dhe t’i shtojnë edhe më shumë falënderimet ndaj Tij. Duke e falënderuar Dhuruesin dhe duke treguar mirënjohje dhe përunjësi para Tij, Ai do t’ua shtojë edhe më shumë mirësinë e dhuruar, madje mirësia dhe bujaria e Tij do të përfshijë edhe të tjerët rreth tyre. Mirësitë e Allahut janë të pakufishme dhe të panumërta, prandaj i Madhëruari thotë:
Allahu është Dhurues i madh e i Gjithëditur. -
Allahu është i Gjerë në mirësinë dhe bujarinë e Tij. Të shumta dhe të pakufishme janë mirësitë që Ai dhuron. Mëshira e Tij ka përfshirë gjithçka. Por të dashurve të Tij të zgjedhur Ai u jep mirësi të mrekullueshme, të cilat ua dhuron veçse atyre. Pa dyshim, Ai është i Gjithëditur për ata që meritojnë bujarinë dhe mirësinë e Tij të posaçme. Ai e di shumë mirë se kujt ia jep mirësinë e Tij themelore dhe pjesët e saj.