E kush nuk ka mundësi (të lirojë një rob), le të agjërojë dy muaj rresht, para se të kryejë marrëdhënie. Kush nuk mundet as për këtë, atëherë le të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër. - Nëse burri nuk zotëron robër ose nuk ka pasuri për të liruar një rob, atëherë kompensimi i gjynahut është me agjërim dy muaj rresht, para se t’i kthehet marrëdhënieve normale. E nëse nuk mundet as të agjërojë në këtë mënyrë, atëherë le të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër me ushqimet bazë të përdorshme në vendin e tij, sikurse thonë shumë komentues të Kur'anit, ose të ushqejë çdo të varfër me një mudd-e (masë sa dy grushta) gruri, ose gjysëm sa-i me ushqime të tjera, sipas mendimit të një grupi tjetër komentuesish. Ky gjykim zbriti me qëllimin që:
Kjo, për të treguar se ju besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij. - Këtë besim ta shprehni duke zbatuar detyrimet me të cilat ngarkoheni. Përkushtimi në zbatimin e ligjeve të Zotit vjen prej besimit dhe është tregues i tij. Madje, zbatimi i ligjeve të Zotit është synimi kryesor i besimit. Nga ana tjetër, me zbatimin e ligjeve të Zotit, besimi shtohet dhe fuqizohet, derisa bëhet i patundur në zemrat e besimtarëve.
Këta janë kufijtë e Allahut dhe mohuesit kanë dënim të dhembshëm. - Këto janë kufijtë e vendosura nga Zoti, të cilët është e ndaluar t’i shpërfillësh apo t’i shkelësh. Ata duhen zbatuar rigorozisht. Nga këto ajete nxirren disa mësime:
1. Së pari, këtu dallohet butësia, mëshira dhe përkujdesi i madh i Allahut për robërit e Tij. Allahu i Madhëruar përmend në Librin e Tij ankesën e një gruaje në nevojë, madje Ai e largoi sprovën e saj, duke ia zgjidhur hallin. Jo vetëm kaq, por Ai solli një ligj gjithëpërfshirës, për të zgjidhur çdo situatë të ngjashme.
2. Dhihar-i është i trajtueshëm vetëm kur i bëhet bashkëshortes. Nëse dikush ia bën atë skllaves së vet, atëherë nuk trajtohet si dhihar. Pra, nëse një burrë vendos që të ndalojë veten nga marrëdhëniet me skllaven, nuk konsiderohet si dhihar, por trajtohet njëlloj si rasti kur i ndalon vetes një ushqim ose një pije të caktuar dhe, si i tillë, nëse e thyen këtë vendim, bëhet i detyrueshëm kompensimi i përcaktuar nga Sheriati për thyerjen e betimit.[1]
3. Dhihar-i nuk funksionon me një grua me të cilën burri ende nuk ka nënshkruar aktin e martesës, pasi gruaja konsiderohet si bashkëshorte vetëm kur bëhet akti i martesës. Kjo është njëlloj sikur t’i thuash një gruaje: “Të kam ndarë”, ndërkohë që ajo ende nuk është bërë bashkëshortja jote.
4. Dhihar-i është një vepër haram, e ndaluar me Sheriat, sepse Allahu i Madhëruar e ka quajtur ‘munkeran’ - ‘fjalë të urryera’ dhe ‘zura’ - ‘të pavërteta’.
5. Allahu i Madhëruar thotë: ‘...ato nuk janë nënat e tyre”, duke na kujtuar se çdokujt i duhet dhënë haku që i takon, pa i cenuar asnjë të drejtë. Ndaj secilit ekzistojnë detyrime dhe përgjegjësi, të cilat nuk mund të ndryshohen sipas qejfit.
6. Është e papëlqyeshme që burri të thërrasë bashkëshorten me emrat ose mënyrën se si thërret nënën ose motrat e tij, si p.sh.: “O nëna ime! “ ose: “O motra ime!” etj., sepse kjo i përngjan dhihar-it, edhe nëse nuk është për qëllim.
7. Kompesimi bëhet i detyrueshëm kur burri tërhiqet nga vendimi që ka marrë, sipas dy mendimeve të përmendura më sipër, dhe jo thjesht me veprimin e dhihar-it nga ana e tij.
8. Është detyrë plotësimi i kompensimit, cilido qoftë ai, para se burri t’i kthehet marrëdhënieve intime, sepse Allahu e ka përcaktuar vetë diçka të tillë kur thotë: “...para se të kontaktojnë...”. Një përjashtim të vogël bën rasti kur kompensimi bëhet duke ushqyer gjashtëdhjetë të varfër, pasi në këtë rast lejohet që çifti të kryejë marrëdhënie intime edhe gjatë kohës kur të varfërit janë duke u ushqyer, dhe nuk ka nevojë që të pritet derisa ata të mbarojnë ushqimin.
9. Është e detyrueshme që, nëse bëhet kompensimi me ushqim, ai t’u shpërndahet gjashtëdhjetë të varfërve. Me fjalë të tjera, nuk është e saktë nëse e mbledh të gjithë ushqimin dhe ia jep vetëm një të varfëri. Duhet të jenë patjetër gjashtëdhjetë të varfër, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “...le të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër”.
[1] Shih në suren Bekare, ajetet 224, 225
dhe tefsirin e tyre.