E përse të mos e hani atë mish që është therur duke u përmendur emri i Allahut, kur Ai tashmë jua ka shpjeguar plotësisht atë që është e ndaluar për ju, përveçse kur jeni të detyruar (nga nevoja)?! -
Nuk ka asnjë arsye që njeriu të privojë veten nga konsumimi i kafshëve të lejuara që theren me “bismilah”, sepse Allahu i Lartësuar i ka qartësuar plotësisht robërit e Tij se çfarë u ka bërë haram, duke mos lënë asnjë hije. Ata nuk kanë pse të privojnë veten nga ato gjëra që Zoti i ka bërë të lejuara, të dobishme, të pastra dhe të mira. Ajeti tregon qartë se çdo ushqim, pije apo çdo gjë tjetër në origjinë është e lejuar. Nëse nga feja nuk ka ndonjë tregues se diçka është e ndaluar, atëherë ajo mbetet në origjinën e saj, pra, është e lejuar. Me fjalë të tjera, çdo gjë për të cilën Sheriati nuk ka përcaktuar gjykim, ajo është e lejuar dhe trajtohet si e tillë, sepse Allahu i Lartësuar e ka qartësuar haramin për robërit e Tij. Megjithatë, në raste domosdoshmërie, Allahu i Lartësuar e ka lejuar edhe haramin. Në suren Maide, ajeti 3, Allahu i Lartësuar thotë: “Haram janë për ju: të ngordhurat, gjaku, mishi i derrit, ajo kafshë që theret jo në emrin e Allahut, ajo që është mbytur me lak në fyt, ajo që është vrarë me goditje, ajo që është rrëzuar nga lartësitë, ajo që është shpuar, ajo që është ngrënë nga egërsirat, përveç asaj që arrini ta therni, ajo që është therur për idhuj dhe që ta kërkoni fatin me short. Të gjitha këto janë gjynah (e të ndaluara nga Zoti). Sot u dëshpëruan ata që mohuan dhe humbën çdo shpresë që t'ju largojnë prej fesë suaj. Mos i kini frikë ata, por më kini frikë vetëm Mua! Sot e përsosa fenë tuaj për ju, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj. Kush detyrohet nga uria, duke mos e tepruar dhe duke mos pasur qëllim gjynahun, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” Më pas, Allahu i Lartësuar na urdhëron që të ruhemi nga shumë njerëz dhe nga rreziku që vjen prej tyre:
Vërtet, të shumë janë ata që, me dëshirat e tyre të shfrenuara, i devijojnë të tjerët nga e vërteta, duke mos pasur aspak dituri. Pa dyshim, Zoti yt i di më së miri ata që i shkelin kufijtë. -
Këta njerëz janë shumë të rrezikshëm, sepse ata janë të prirur të pasojnë dëshirat e tyre të shfrenuara dhe nuk bazohen në asnjë lloj diturie për rrugët e humbjes në të cilat ftojnë. Kujdes nga këta lloj njerëzish! Shenja dalluese e tyre, ashtu sikurse ua përshkruan Allahu robërve të Tij, është se ftesa e tyre nuk është e mbështetur në argumente të qarta dhe ata nuk kanë fakte të konsideruara si të vërteta nga Ligji i Zotit. Ajo çka ata paraqisin janë thjesht hamendësime, hipoteza të prodhuara nga dëshirat e tyre të prishura dhe arsyetimet e tyre të mangëta. Ata janë armiqtë dhe urryesit më të përbetuar të Shpalljes së Zotit. Ata janë kundërshtarët më të betuar të adhuruesve të Allahut, të cilët përhapin të mirën dhe fenë e drejtë. Por le ta dinë ata të mjerë se Allahu i Lartësuar nuk i do armiqtë e së vërtetës dhe të bartësve të saj. Ndryshe është gjendja e të udhëzuarve, që janë edhe udhëzues në rrugën e drejtë. Ata i ftojnë njerëzit në të vërtetën e padiskutueshme dhe në rrugën e drejtë, të sjellë nga Zoti nëpërmjet profetëve dhe shpalljeve të Tij. Ata e mbështesin ftesën e tyre në argumente të shuma logjike dhe tekstuale, të marra nga shpalljet e Zotit. Me ftesën e tyre, ata synojnë veçse të kënaqin Allahun e Lartësuar dhe të afrohen pranë Tij.