Allahu i Lartësuar e porosit Profetin (a.s.) që t’u drejtohej atyre të cilët bënin haram ato që Ai i kishte lejuar dhe t’u thoshte:
Thuaju: “Ejani t’ju kumtoj ato që vërtet jua ka urdhëruar Zoti juaj ...” -
Ejani t’ju tregoj se cilat janë ato vepra të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë, pa përjashtim. Kjo porosi i përfshin të gjitha urdhëresat e ndalesat, qofshin ato në ushqime, pije, fjalë, vepra dhe besime.
Të mos adhuroni (askënd e) asgjë tjetër përveç Tij ... -
Ky është një ndalim kategorik rreth idhujtarisë, e vogël apo e madhe qoftë ajo. Thelbi i idhujtarisë është adhurimi i një krijese njëlloj sikurse adhurohet Allahu, ose madhërimi i një krijese ashtu sikurse madhërohet Allahu, ose t’i përshkruhet krijesës ndonjë atribut hyjnor që i takon vetëm Krijuesit të gjithësisë, Allahut të Lartësuar. Me fjalë të tjera, idhujtaria është e kundërta e teuhidit. Vetëm Allahu është Krijuesi, Sunduesi, Furnizuesi, Kujdestari, Rregulluesi i të gjitha çështjeve të krijesave. Vetëm Ai ka në dorë dobinë dhe dëmin, jetën dhe vdekjen, të mirën dhe të keqen. Dynjaja dhe ahireti janë pronë e Tij dhe nën sundimin e Tij. Këto janë atributet që i takojnë vetëm Allahut e askujt tjetër. Po kështu, të gjitha adhurimet i takojnë dhe duhet t’i dedikohen vetëm Allahut të Madhërishëm. Asnjë vepër të cilën Allahu e ka përcaktuar si adhurim nuk lejohet t’ia dedikosh dikujt tjetër veç Atij. Nëse njeriu largohet nga të gjitha format e idhujtarisë, atëherë bëhet njësues i vërtetë dhe i sinqertë ndaj Zotit në të gjitha gjendjet e tij. Njësimi i Allahut në çdo aspekt e fut mes robërve të zgjedhur të Tij, të cilët kanë patur mirësinë ta plotësojnë të drejtën e Allahut në këtë aspekt. Ata e kanë kompletuar teuhidin, dhe kjo mund të arrihet veçse duke u distancuar tërësisht nga idhujtaria, me të gjitha llojet dhe format e saj. Pastaj i Madhëruari rendit detyrën e dytë më të rëndësishme pas teuhidit, e cila është bamirësia dhe mirësjellja ndaj prindërve:
...të silleni mirë me prindërit... -
Ndaj prindërve të jeni të sjellshëm me fjalë dhe me vepra. Çdo fjalë dhe vepër që sjell lumturinë dhe gëzimin e prindërve është bamirësi, që Allahu e shpërblen me mirësi dhe begati të shumta. Nëse njeriu është plotësisht bamirës ndaj prindërve, atëherë është i ruajtur prej padrejtësisë ndaj tyre.
...të mos i vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë... -
Mos i vrisni fëmijët tuaj, meshkuj apo femra qofshin, nga frika e varfërisë! Kjo vepër e shëmtuar ishte e përhapur në kohën e injorancës paraislamike. Ajo ishte një periudhë e ashpër, e pamëshirshme dhe e egër. Islami e ndaloi atë krim të rëndë ndaj fëmijëve. Ndalimi i vrasjes së foshnjave nga frika e varfërisë tregon se vrasja e tyre pa ndonjë shkak tjetër ose vrasja e fëmijëve të të tjerëve është edhe më fort e ndaluar.
...sepse Ne ju furnizojmë ju dhe ata -
Është Allahu i Lartësuar që përkujdeset për furnizimin e të gjithëve. Nuk jeni ju që furnizoni fëmijët tuaj, madje as veten tuaj, prandaj kurrë të mos mendoni se fëmijët marrin nga pjesa juaj.
...të mos u afroheni gjynaheve - të hapura apo të fshehta qofshin... -
Allahu i Lartësuar na urdhëron që t’u largohemi këtyre gjynaheve, qofshin ato që bëhen haptaz apo fshehtaz, qofshin gjynahe me fjalë e vepra, qofshin me zemër dhe me shpirt. Vëreni me kujdes! Allahu i Lartësuar na ndalon që t’u afrohemi gjynaheve, dhe kjo është ndalesë më e plotë dhe më e fortë sesa urdhri për mosveprim të tyre, pasi mosafrimi në këto gjynahe na ndalon edhe nga mjetet dhe shkaqet që na afrojnë në to.
...dhe të mos vrisni atë që Allahu e ka ndaluar të vritet, veçse kur e do drejtësia. -
Ata që Allahu i Lartësuar i ka ndaluar që të vriten janë:
- Muslimanët, qofshin ata meshkuj apo femra, të vegjël apo të mëdhenj, të devotshëm apo gjynahqarë. Vrasja e tyre është e ndaluar, veçse në rastet e përcaktuara nga Sheriati.
- Jomuslimanët me të cilët është lidhur një marrëveshje që u siguron atyre jetën.
Allahu i Lartësuar thotë: “... veç rastit kur e do drejtësia”, domethënë, vrasja ekzekutohet vetëm në rastet që i ka përcaktuar ligji dhe ashtu si i ka përcaktuar ai, për shembull, i martuari që bën imoralitet, ai që kryen vrasje me dashje, tradhtuesi i fesë etj.[1]
Këto janë porositë e Tij, që ju të mendoni thellë. -
Qëllimi është që ju të mendoheni thellë rreth porosive të Tij, t’i mësoni dhe të punoni për t’i realizuar ato me korrektësi dhe sinqeritet. Ajeti tregon se, në varësi të logjikës së robit, do të jetë edhe masa e kujdesit të tij për plotësimin e porosive të Allahut. Thënë ndryshe, sa më korrekt të jetë robi në plotësimin e porosive të Allahut, aq më e plotë është logjika dhe arsyeja e tij.
[1] Sigurisht, këto dispozita egzekutohen nga instancat përkatëse të shtetit islam, me mënyrat e përcaktuara nga Allahu i madhëruar. (sh.p)