Thuaj: “Kush është Ai që e ka dëshminë më të fortë?” -
Thuaju atyre: Pas qartësimit të gjithë këtyre argumenteve dhe pas qartësimit të udhës së drejtë ku duhet të ecni, a ka ndonjë që mund të sjellë fakte dhe dëshmi më të forta se Allahu i Madhëruar? A ka ndonjë dëshmitar më të vërtetë dhe më të besueshëm se Allahu, për të vërtetuar këtë themel të fesë: njëshmërinë e Tij në meritën e adhurimit?!
Thuaj: “Allahu është dëshmues mes meje dhe jush." -
Thuaju: Allahu është Ai që ka dëshminë më të fuqishme. Ai është dëshmitari mes meje dhe jush. Nuk ka dëshmitar më të madh dhe më të drejtë se Allahu. Ai dëshmon për besnikërinë time dhe urtësinë e Shpalljes së sjellë prej meje. Kjo dëshmi shprehet nëpërmjet miratimit të Allahut, si edhe në ndihmën konkrete për mua dhe rrugën time. Ai i miraton ato që unë ju kam thënë e porositur.[1] Po kështu thotë i Madhëruari në një ajet tjetër kuranor: “Unë betohem në atë që e shihni. Edhe në atë që nuk e shihni. Se, me të vërtetë ai (Kur'ani) është Fjalë që e kumton i Dërguari i ndershëm. Ai nuk është fjalë e ndonjë poeti; por ju nuk besoni. Nuk është as fjalë e ndonjë falltari; por ju nuk kujtoni. Ai është shpallje prej Zotit të botëve. Sikur ai të trillonte për Ne ndonjë fjalë, Ne do ta kapnim atë me fuqinë Tonë, E pastaj do t’ia këputnim arterien e zemrës. E askush prej jush nuk do të mund të ndërhynte për mbrojtjen e tij. Ai (Kur'ani) është këshillë për të devotshmit. S’ka dyshim se Ne dimë që ndër ju ka edhe mohues. Ai (Kur'ani) pa dyshim do të jetë dëshpërim për jobesimtarët. Ai (Kur'ani) është e vërteta e sigurt! Prandaj, ti lartësoje nga të metat Zotin tënd të Madhëruar!” [Haka 38-52.] Allahu i Madhërishëm është Hakim - i Urtë dhe Kadir - i Plotpushtetshëm. Nuk është e mundur që, me urtësinë dhe pushtetin e Tij absolut, Allahu të lejojë që dikush të gënjejë në emër të Tij, duke pretenduar se Allahu e ka dërguar si profet, ndërkohë që kjo nuk është e vërtetë; duke thënë se Allahu e ka urdhëruar që t’i ftojë krijesat në fenë e Tij, kur një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Si mund ta lejonte Allahu atë të luftonte kundër atyre që e kundërshtonin dhe t’ia bënte hallall pasuritë dhe robërit e tyre?! Dhe pas gjithë këtyre ndodhive, si mund ta miratonte atë Allahu me veprat e Tij, madje ta mbështeste me mrekulli të mëdha dhe fakte të pamohueshme?! Jo vetëm kaq, por Allahu i Madhëruar i ka poshtëruar dhe ndëshkuar ata që e kundërshtonin dhe e pengonin të Dërguarin e Tij. Atëherë, a ka dëshmi më të madhe sesa kjo?!
Mua më është shpallur ky Kur'an, që me të t’ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet. -
Kuptimi: Allahu i Madhëruar ma shpalli këtë Kur'an për dobinë dhe të mirën tuaj, që unë t’ju këshilloj dhe t’ju tregoj udhëzimin e drejtë, i cili ju shpëton nga ndëshkimi i dhembshëm. Qortimi bëhet me inkurajim dhe kërcënim, duke bërë të qarta ato vepra e fjalë, të shfaqura a të fshehta qofshin, të cilat, kush i zbaton, mund të thuhet se ka përfituar prej qortimit. Kur’ani ishte këshillë për ata të cilëve iu drejtua drejtpërdrejt dhe për këdo tek i cili ai mbërrin, deri në Ditën e Kijametit. Në Kur'an ndodhet çdo lloj udhëzimi i nevojshëm për rrugën e drejtë. Pasi deklaroi se dëshmia e Tij është më e madhja dëshmi për njëshmërinë e Tij, Allahu i Madhëruar thotë:
Vallë, ju po dëshmoni se veç Allahut, ka edhe zota të tjerë?!” Thuaj: “Jo. Unë nuk dëshmoj.”! -
Thuaju atyre që mohojnë profetët dhe shpalljet e Allahut: “Vallë, ju po dëshmoni se, veç Allahut, ka edhe zota të tjerë?!” Por edhe sikur ata të dëshmojnë, ti mos dëshmo! Gjykoji vetë këto dy dëshmi: njëra për vërtetësinë e njëshmërisë së Zotit dhe tjetra për mohimin e saj. Nga njëra anë qëndron dëshmia e më fjalëdrejtit, dëshmia e Allahut të Madhëruar, bashkë me dëshminë e më të sinqertit të krijesave të Allahut, dëshmia e Muhamedit a.s, e mbështetur gjithashtu me argumente të prera dhe fakte të pakundërshtueshme, që nuk lënë dyshim rreth njëshmërisë së Allahut në meritën e adhurimit si Një, i Vetëm dhe i Pashoq. Ndërsa nga ana tjetër është dëshmia e idhujtarëve, mendja e të cilëve është e prirur drejt dyshimeve dhe paqartësive, ndërsa morali i tyre është i prishur. Aq të mjerë janë, saqë çdo njeri i logjikshëm do të qeshte me logjikën e tyre të dobët dhe të ulët. Mund të thuhet me bindje se, me dëshminë e tyre, ata bien ndesh edhe me natyrshmërinë e pastër. Argumentet që ata paraqesin për të vërtetuar hyjninë e idhujve të tyre janë kontradiktore, të dobëta dhe të papranueshme. Zgjidh, atëherë, për veten tënde njërën prej dy dëshmive për të besuar, nëse vërtet ke logjikë! Ne do zgjedhim dëshminë e Allahut të Madhëruar, që ia dhuroi Profetit të Tij dhe na urdhëroi ta pranojmë. I Madhëruari thotë:
Ai është vetëm Një Zot, (që meriton adhurimin) -
Allahu është i Vetëm, i Pashoq, i Pashembullt e Unik në meritën e adhurimit. Askush tjetër, veç Tij, nuk meriton dhe nuk duhet adhuruar. Allahu është i vetëm në këtë aspekt, ashtu sikurse është i vetëm në statusin e Tij si Krijues dhe Kujdestar i çështjeve të krijesave.
...dhe unë distancohem nga gjithçka që ju adhuroni (përveç Tij) -
Kuptimi: Unë distancohem nga çdo idhull dhe i adhuruar tjetër, që ju i përkushtoheni. Ky është thelbi i njësimit të Zotit: pohimi se vetëm Ai meriton të adhurohet dhe mohimi i adhurimit të çdo gjëje tjetër veç Tij. Pasi tregoi për dëshminë e Tij dhe të Profetit mbi vërtetësinë dhe detyrimin e njësimit të Tij në adhurim; pasi foli, gjithashtu, edhe për dëshminë e idhujtarëve, të cilët nuk kanë dituri dhe fakte për të kundërtën, Allahu i Madhëruar përshkruan gjendjen e ithtarëve të Librit, jehudë e të krishterë bashkë. Ai thotë:
[1]
Fjalë rreth profecisë së Muhamedit (a.s.).
Le të sjellim këtu një bisedë që imam Ibn Kajjimi ka zhvilluar me një prej dijetarëve të krishterë rreth profecisë së Muhamedit (a.s.). Ai tregon: Njëherë kam zhvilluar një diskutim me një nga dijetarët e tyre, rreth profetësisë së Muhamedit a.s. I thashë atij: “Nëse ju prekni e cenoni Profetinë e Muhamedit (a.s.), atëherë ju keni shpifur kundër Zotit të Lartësuar, Krijuesit të qiejve dhe të tokës, keni cenuar madhërinë e Tij duke i mveshur cilësi të ulta, duke e quajtur si më të padrejtin e të padrejtëve, duke e cilësuar si të lehtë dhe shkatërrimtar. Zoti qoftë i Lartësuar nga të gjitha këto!” Ai pyeti: “E si mund të lidhen këto dy çështje të ndryshme?” Unë vazhdova: “Madje unë ju them me bindje se ju nuk mund ta mohoni Profetinë e Muhamedit (a.s.) pa mohuar ekzistencën e Zotit, i Cili e dërgoi dhe e ndihmoi atë. Dëgjoji me vëmendje arsyet. Kështu, nëse Muhamedi për ju nuk është Pejgamber i sinqertë, i vërtetë nga Zoti, por një mbret i padrejtë, atëherë ne kemi një sërë pyetjesh, që presin përgjigje dhe shpjegime. Së pari, si është e mundur që ai të shpifte ndaj Allahut dhe të fliste në emër të Tij gjëra që Ai nuk i kishte thënë, dhe këto shpifje të jetonin kaq gjatë? Si është e mundur që ai të vazhdonte të kishte sukses me këtë krim kaq të madh, deri në atë fazë sa të caktonte dispozita lejuese dhe ndaluese në emër të Zotit, të ekzekutonte “pasuesit e vërtetë” të pejgamberëve, t'u skllavëronte atyre gratë dhe fëmijët, të trashëgonte pasuritë dhe pronat e tyre, e të gjitha këto të vazhdonin derisa të pushtonte tokën! Më e bukura është se në të gjitha këto vepra ai thoshte se zbatonte urdhrin e Zotit dhe se Ai e donte dhe e mbështeste atë! A mund të ndodhmin gjëra të tilla, dhe Allahu të rrinte e të shihte se çfarë bënte ai me “pasuesit e denjë” të pejgamberëve, madje për 23 vjet rresht! Si ka mundësi që, gjatë këtyre viteve të gjata, Ai ta mbështeste atë, ta ndihmonte, t’i dhuronte fitore pas fitoreje, ta lartësonte kauzën dhe famën e tij, duke i dhënë madje disa fitore jashtë çdo mundësie njerëzore. Më “e çuditshme” është gjithashtu se Zoti u përgjigjej lutjeve të tij dhe ia shkatërronte armiqtë, shpesh pa asnjë veprim njerëzor prej tij dhe pa shkak, madje Ai e bënte këtë pa qenë fare nevoja që Muhamedi (a.s.) t’i lutej Atij. Si është e mundur që Zoti t'ia plotësonte atij çdo nevojë dhe çdo gjë që ai ia kërkonte? Si është e mundur që Ai t’i bënte shumë premtime të bukura dhe lumturuese, dhe pastaj t’ia përmbushte të gjitha këto në formën më të plotë?! Si mund t’i ndodhnin gjëra të tilla një “mashtruesi” – siç thoni ju – që ka arritur kulmin e gënjeshtrave, shpifjeve dhe padrejtësive?! A ka më mashtrues se ai që gënjen rreth Allahut dhe që është i vazhdueshëm në këtë krim?! A ka më zullumqar sesa ai që shfuqizon ligjet dhe mësimet e pejgamberëve dhe të dërguarve të Zotit, dhe synon t’i zhdukë ato, duke i zëvendësuar me ligje që ai i “dëshiron” dhe i “shpik” – sipas jush – nga mendja e vet?! E kush mund të jetë më i poshtër sesa ai që vret “të dashurit e Allahut”, “palën e Tij”, “pasuesit” e pejgamberëve të Tij, dhe kjo gjendje të ishte ende kështu, “e pashpresë”?! A është e mundur që gjëra të tilla të vazhdonin aq gjatë dhe Allahu përsëri ta miratonte e të mos ia këpuste arterien e zemrës këtij “shkatërrimtari”?! Aq më tepër që ai dëshmonte dhe lexonte një thënie, për të cilën “pretendonte” se ishte fjalë e Zotit: “E kush është gjynahqar më i madh sesa ai që trillon gënjeshtra ndaj Zotit, ose thotë: “Mua më vjen Shpallje”, ndërkohë që nuk i shpallet asgjë,ose që thotë: “Unë mund të zbuloj diçka të ngjashme me atë që ka zbritur Allahu”?! Eh, sikur t’i shihje keqbërësit kur janë në agoni të vdekjes, ndërsa melekët kanë shtrirë duart e veta e u thonë: “Jepeni shpirtin! Tani do të vuani dënimin poshtërues sepse ju thoshit të pavërteta për Allahun dhe ndaj shenjave të Tij tregoheshit kryeneçë.”. (En’am 93). Ose: "Unë betohem në atë që e shihni.Edhe në atë që nuk e shihni. Se, me të vërtetë ai (Kur'ani) është Fjalë që e kumton i Dërguari i ndershëm. Ai nuk është fjalë e ndonjë poeti; por ju nuk besoni. Nuk është as fjalë e ndonjë falltari; por ju nuk kujtoni. Ai është
shpallje prej Zotit të botëve. Sikur ai të trillonte për Ne ndonjë fjalë, Ne do ta kapnim atë me fuqinë Tonë, E pastaj do t’ia këputnim arterien e zemrës. E askush prej jush nuk do të mund të ndërhynte për mbrojtjen e tij. Ai (Kur'ani) është këshillë për të devotshmit. S’ka dyshim se Ne dimë që ndër ju ka edhe mohues. Ai (Kur'ani) pa dyshim do të jetë dëshpërim për jobesimtarët. Ai (Kur'ani) është e vërteta e sigurt! Prandaj, ti lartësoje nga të metat Zotin tënd të Madhëruar!" [Haka 38-52]. E pra, pas gjithë këtyre që thashë, ju nuk keni mundësi të tretë, por: ose të thoni se kjo botë nuk ka Krijues dhe as Rregullator të çështjeve të saj, pasi po të kishte Krijues, Ai duhet të jetë Rregulluesi i çdo çështjeje, i Plotpushtetshëm për gjithçka, i Urtë në çdo përcaktim, dhe, një i tillë, domosdoshmërisht do të ndëshkonte çdo kriminel – sipas jush, – të të tilla përmasave. Ky Krijues do ta bënte atë mësim për zullumqarët e të gjithë kohërave, pasi sunduesit nuk mund të tolerojnë të tilla gjëra në mbretërinë e tyre. Atëherë si mund të mendohet një gjë e tillë për Mbretëruesin dhe Sunduesin e qiejve dhe të tokës, për Atë që zotëron Urtësinë absolute?! Ose, mundësia juaj e dytë është, që t’i mveshni Zotit të gjithësisë cilësi dhe vepra, nga të cilat Ai qëndron shumë lart. Të pranosh të tilla ndodhi (si ato të përmendura më sipër), do të thotë që ta akuzosh Zotin për padrejtësi, injorancë, krim, devijim të krijesave përgjithmonë". Madje me keq se kaq: kjo do të thotë që të pretendojmë se Ai ndihmon kriminelët dhe mashtruesit, se u mundëson atyre pushtet të plotë në tokë, e u përgjigjet lutjeve të tyre. Kjo do të thotë që Ai e lartëson pushtetin dhe famën e tyre ndër njerëz edhe pas vdekjes së tyre, do të thotë që e lejon që, shekull pas shekulli, ai të pranohet si Pejgamber, dhe kjo të dëshmohet haptazi dhe me zë të lartë, kudo në faqen e dheut. Po si mund të pranohet kjo si vepër e më të Urtit dhe më të Mëshirshmit me krijesat e Tij?! Vërtet, me të tilla pretendime, ju keni bërë shpifjen më të madhe ndaj Zotit të botëve, i keni bërë akuzën më të ulët, madje e keni mohuar totalisht ekzistencën e Tij. Edhe ne e besojmë, dhe nuk e mohojmë, se gjatë historisë ka pasur mashtrues, të cilëve u është dhënë fuqi dhe pushtet. Por kurrë nuk ka ndodhur që qëllimet e tyre të plotësohen dhe as që koha e tyre të zgjatet. Madje Allahu i Lartësuar gjithmonë i ka ndihmuar pejgamberët e Tij dhe pasuesit
e tyre të denjë që t'i shfarosin dhe të zhdukin çdo gjurmë e ndikim të armiqve të Tij; dhe ata gjithmonë janë çrrënjosur dhe shfarosur. Ky është rregulli i Tij, i vendosur për krijesat e Tij, për sa kohë ekziston kjo dynja.”Kur ai dëgjoi fjalët e mia ai tha: “Zoti na ruajtë! Ne nuk themi se ai është i padrejtë dhe gënjeshtar. Madje çdo i krishterë që gjykon me drejtësi e pranon se, çdo kush që ndjek rrugën e tij dhe pason gjurmët e Tij, ai do të jetë i shpëtuar dhe i lumtur në jetën tjetër. Unë e pyeta: “Po si mundet që, ai që ndjek rrugën e mashtruesit dhe që pason gjurmët e tij të jetë prej të shpëtuarve dhe të lumturve?” Dhe kështu ai nuk kishte rrugë tjetër, por veçse të pranonte që Muhamedi ishte profet i Zotit, por pretendoi se ai nuk ishte profet për të krishterët. Unë i thashë: “Me sa duket, nuk ke rrugë tjetër, prandaj duhet të pranosh edhe morinë e madhe të argumenteve të pakundërshtueshme, që tregojnë se ai ishte pejgamber i Allahut për të gjithë njerëzimin. Atë Zoti e dërgoi për ata që Ai u kishte dhënë libër më parë dhe për të tjerët. Muhamedi (a.s.) i ftoi ehlul kitab-ët që ta pasonin fenë e tij dhe luftoi kundër të gjithë atyre që nuk pranuan ta adhuronin Allahun si Një të vetëm. Ehlul kitab-ët që nuk pranuan të pasonin fenë e tij paguan xhizjen, të nënshtruar dhe të përulur.” Kur dëgjoi këtë, ai brofi në këmbë dhe u largua prej aty. [Shih “Zadul Mead”, vëll 3].