Shumë komentues të Kur'anit (Allahu i mëshiroftë!) kanë thënë se shkak për zbritjen e këtyre ajeteve të mrekullueshme u bë historia e Hatib Ibn Ebu Beltas.[1] Kur Profeti (a.s.) po përgatitej për të çliruar Mekën, Hatibi u shkroi kurejshëve, duke i njoftuar për qëllimin e Profetit (a.s.). Ai e bëri këtë veprim jo për shkak të hipokrizisë apo të ndonjë dyshimi në fe, por për shkak se familja e tij në Mekë ishte e pambrojtur, prandaj, me këtë shërbim ndaj kurejshëve, ai shpresonte të mbronte familjen e tij. Kështu, Hatibi e nisi mesazhin nëpërmjet një gruaje. Por Profeti (a.s.), që u njoftua menjëherë nga Allahu i Lartësuar për këtë veprim, dërgoi një grup burrash, të cilët e ndaluan gruan para se të mbërrinte në Mekë dhe ia morën mesazhin asaj. Profeti (a.s.) e qortoi rëndë Hatibin, i cili kërkoi ndjesë dhe paraqiti justifikimin e tij, të cilin Profeti (a.s.) e pranoi.[2] Në këto ajete ndalohet kategorikisht afrimi, miqësimi dhe aleanca me mohuesit, idhujtarët dhe armiqtë e Islamit. Nuk lejohet shfaqja e dashurisë dhe afrimitetit me ta, sepse kjo bie ndesh me imanin e vërtetë dhe është tërësisht në kundërshtim të plotë me fenë e Ibrahimit (a.s.), të dashurit të Allahut. Ky veprim është në kundërshtim edhe me logjikën e pastër e të drejtë, sipas të cilës besimtarët duhet të tregojnë kujdes shumë të madh në marrëdhëniet me armiqtë e tyre. Ata duhet të jenë shumë vigjilentë, sepse dihet mirë se pala kundërshtare nuk lë mënyrë pa provuar, për të realizuar qëllimet e tyre armiqësore. Ata shfrytëzojnë çdo rast që u jepet për të dëmtuar ose shkatërruar besimtarët. Thotë Allahu i Lartësuar:
O ju që keni besuar... -
Kështu, Allahu iu drejtohet besimtarëve pikërisht me cilësinë e tyre të besimit, duke i orientuar në këtë mënyrë që të kryejnë çdo detyrim që u dikton imani i tyre. Ndër veprat më të rëndësishme që kërkon imani është shprehja e dashurisë, afërsisë, solidaritetit dhe aleancës me ata që përpiqen të përsosen si besimtarë, nga njëra anë, dhe distancimi, mosafrimi dhe armiqësia me ata që janë armiq të besimtarëve, nga ana tjetër. Ky është kusht themelor i besimit të vërtetë. Atëherë, duke u nisur nga kjo shenjë dalluese e tyre, i Lartësuari thotë besimtarëve:
...Mos i bëni miq armiqtë e Mi dhe armiqtë tuaj, duke treguar dashuri ndaj tyre, sepse ata e mohojnë të vërtetën që ju ka ardhur! -
Kurrë mos nxitoni dhe të bini në atë gradë të ulët, duke u shprehur dashuri, afrimitet dhe mbështetje qafirëve dhe idhujtarëve! Kjo do të thotë që ne duhet të largohemi nga çdo shkak dhe rrugë që sjell një afrimitet të tillë. Nëse në zemrën e dikujt zë vend dashuria për ta, atëherë ajo, pa dyshim, do të pasohet nga solidariteti me ta. Ky veprim e nxjerr robin nga imani, duke e bërë atë njësh me mohuesit dhe duke e larguar nga besimtarët. Gjithashtu, miqësia dhe afrimiteti me qafirët është tregues i mungesës së personalitetit dhe logjkës së shëndoshë. Si është e mundur që një besimtar të miqësohet ose të ndihmojë armikun e përbetuar të tij, i cili synon veçse të keqen e tij, i cili kundërshton Zotin e tij dhe është armiku i miqve të tij, të cilët i duan të mirën, duke e këshilluar dhe ndihmuar për ta arritur atë të mirë?! Shkak tjetër i armiqësimit me qafirët është edhe fakti që ata e mohojnë të vërtetën, të cilën besimtarët e besojnë, jetojnë sipas saj dhe e propagandojnë. Pa dyshim, nuk ka arsye më të fortë për të urryer sesa kjo. Qafirët mohojnë themelet e fesë së besimtarëve dhe pretendojnë se ata janë të humbur, jo në rrugë të drejtë dhe jo të mbështetur në fakte. Ata mohojnë të vërtetën, e cila nuk të lë asnjë dyshim në saktësinë e saj, dhe dihet mirë se çdokush që refuzon të vërtetën, nuk ka asnjë argument e fakt që të vërtetojë saktësinë e mendimit të tij. Mjafton të njohësh të vërtetën dhe e kupton qartë kotësinë e çdo mendimi që e kundërshton atë. Përveç këtyre, muslimanët nuk duhet të harronin krimet dhe armiqësinë e mohuesve kundër Profetit (a.s.) dhe besimtarëve të tjerë. Për t’ua kujtuar këtë fakt, Allahu i Lartësuar thotë:
Ata kanë dëbuar të Dërguarin dhe ju, vetëm se besoni Allahun, Zotin tuaj. -
Ata ju kanë përndjekur dhe dëbuar nga vendi juaj pa asnjë të drejtë. I vetmi “krim” është se ju besoni Allahun, Zotin tuaj, ndërkohë që është detyrë për të gjitha krijesat, pa përjashtim, që synim kryesor të tyre të kenë përsosjen e adhurimit ndaj Tij. Të gjithë duhen të përkushtohen në adhurimin ndaj Allahut të Madhëruar, sepse Ai i krijoi, Ai i rregullon çështjet e tyre dhe përkujdeset për ta. Ai që u dhuron atyre çdo mirësi të dukshme apo të fshehur është Allahu i Lartësuar. Por mohuesit i kthejnë shpinën këtij qëllimi, i cili është detyrimi më madhor i të gjithë detyrimeve. Ndërsa besimtarët përpiqen ta plotësojnë këtë detyrim, qafirët tregojnë armiqësi duke i dëbuar nga vendet e tyre. Atëherë çfarë feje, personaliteti, logjike dhe arsyetimi i mbeten robit, nëse ai afrohet dhe miqësohet me jobesimtarët, që i kanë këto cilësi në çdo kohë dhe çdo vend?! Ata të mallkuar nuk i ndalon asgjë nga shfaqja e urrejtjes dhe armiqësisë së tyre kundrejt muslimanëve, veçse ndonjë pengesë e fortë ose frika e madhe.
Mos u miqësoni me ta, nëse vërtet keni dalë për hir të luftës në rrugën Time, duke kërkuar kënaqësinë Time ndaj jush! -
Nëse ju vërtet keni dalë të luftoni për të ngritur lart fjalën e Allahut dhe duke synuar kënaqësinë e Allahut, atëherë plotësoni kushtet që nevojiten për këtë qëllim. Sigurisht, një nga kushtet kryesore që duhet realizuar është dashuria, miqësia dhe ndihma e të dashurve të Allahut, si edhe urrejtja e armiqësia kundër armiqve të tyre. Ky është xhihadi në rrugën e Zotit, një nga veprat më të mëdha që afron besimtarët me Zotin e tyre.
Ju u shprehni fshehurazi atyre miqësi, por Unë e di shumë mirë se çfarë mbani të fshehur dhe çfarë shfaqni haptazi. -
Si është e mundur që ju u shprehni dashurinë, miqësinë dhe mbështetjen tuaj mohuesve të Zotit dhe të fesë së Tij, armiqve të besimtarëve, dhe pastaj mundoheni ta fshihni një gjë të tillë, ndërkohë që e dini se Allahu i Madhëruar është i Gjithëditur për ato që ju fshihni dhe shfaqni hapur?! Nëse ju arrini t’ua fshini ligësitë tuaja besimtarëve, dijeni mirë se Allahut të Lartësuar nuk mund t’i fshihet asgjë. Allahu i Lartësuar, me dijen e Tij absolute, ka për t’i shpërblyer robërit për të mirat dhe të këqijat e tyre, të bëra haptazi apo fshehtazi.
Kush vepron kështu, ka devijuar nga rruga e drejtë. -
Ata që zënë miq mohuesit dhe i mbështesin ata, pas këtij qortimi nga Allahu i Lartësuar, le ta dinë se i kanë hyrë një rruge, e cila bie ndesh me fenë e Zotit, me logjikën e drejtë dhe me dinjitetin njerëzor. Për të ngjallur urrejtjen dhe armiqësinë ndaj mohuesve, Allahu i Lartësuar u kujton besimtarëve egërsinë e mohuesve ndaj tyre:
[1]
Ngjarja e Hatib Ibn Ebu Beltas: Profeti
(a.s.) urdhëroi njerëzit që të përgatiteshin
për rrugë, si edhe familjen e tij që t’i
bënin gati pajimet. Ebu Bekri shkoi tek e
bija, Aishja, të cilën e gjeti duke
përgatitur disa pajime të Profetit (a.s.) –
“O bija ime, – e pyeti, – a ju ka urdhëruar
Profeti (a.s.) që të bëni gati pajimet për
udhëtim?” – “Po.”– “Për ku mendon se
do të niset?” – “Vallahi, nuk e di” – i tha
Aisheja. Pastaj Profeti (a.s.) i njoftoi
njerëzit se po synonte të sulmonte
Mekën, prandaj i porositi që të
përgatiteshin mirë dhe të ishin në
gatishmëri. Pastaj u lut: “O Allah! Bllokoi
shikimet e spiunëve dhe mos lejo që
lajmet të shkojnë te kurejshët, derisa t’i
zëmë në befasi në vendbanimet e tyre!”
Tashmë njerëzit ishin gati.
Ndërkohë, Hatib Ibn Ebu Belta shkroi një
letër për kurejshët, ku i tregonte për
objektivin e Profetit (a.s.). Këtë letër ia
dha një gruaje, të cilës i caktoi një
shpërblim, nëse do t'ua dorëzonte
kurejshëve. Ajo e fshehu atë në një nga
gërshetat e saj, dhe u nis për rrugë.
Menjëherë, Profetit (a.s.) i zbriti Shpallja,
që e njoftonte se çfarë kishte bërë Hatibi.
Kështu, ai dërgoi Aliun dhe Zubejrin në
kërkim të gruas. Sipas Ibn Ishakut, Profeti
(a.s.) dërgoi Aliun dhe Zubejrin, ndërsa të
tjerët thonë se me ta ishte edhe El
Mikdadi. Gjithsesi, Profeti u tha atyre:
“Keni për të marshuar, derisa të arrini në
Reudatu Hah (një vend ky midis Mekës
dhe Medinës, dymbëdhjetë milje nga kjo
e fundit). Atje do të gjeni një grua, e cila
bart me vete një mesazh për kurejshët.”
Ata u nisën me nxitim dhe e kapën gruan
pikërisht në atë vend. Atje e ndaluan dhe
i thanë: “Ti ke një letër për kurejshët?” –
“Jo, – i thotë ajo, – nuk kam gjë.” I
kontrolluan kafshën, por nuk gjetën gjë.
Atëherë, Aliu i thotë: “Betohem në Allah,
se as Profeti (a.s.) nuk gënjeu dhe as ne
nuk po gënjejmë! Vallahi, ose do ta
nxjerrësh atë letër, ose do të të zhvesh
mu këtu!” Kur ajo pa se ata e kishin
seriozisht, u tha: “Ktheni kokat e mos
shikoni!” Kështu, ajo e nxori letrën prej
flokëve të saj dhe ua dha atyre. Ata, me
të shpejtë, ia dorëzuan letrën Profetit
(a.s.).
[2] Profeti (a.s.) e thirri Hatibin dhe i tha:
“Çfarë është kjo, o Hatib?” – “Mos u nxito
në gjykimin për mua, o i Dërguari i
Allahut! Betohem në Allah se unë e besoj
Atë dhe Profetin e Tij. Kurrë nuk e kam
tradhtuar Islamin dhe as nuk e kam
ndryshuar fenë e Zotit! Arsyeja është se
unë nuk jam kurejsh, por i ardhur në
Mekë. Unë kam lënë mes tyre familje dhe
fëmijë pa mbështetje. Askush nuk i
mbron ata! Të gjithë këta që janë me ty
kanë të afërm atje, të cilët mund t'ua
mbrojnë familjet e tyre. Kështu, duke
qenë se nuk kam afërsi gjaku me
kurejshët, desha t’u bëja një nder, që, për
shkak të tij, të më mbronin familjen.”
Omeri i tha Profetit (a.s.): “Më lër, o i
Dërguari i Allahut, t’ia heq kokën, se ai
tradhtoi Allahun dhe të Dërguarin e Tij! Ai
e shfaqi hipokrizinë e vet.” Profeti (a.s.) ia
ktheu: “Por ai ka marrë pjesë në Bedër. E
ku e di ti, o Omer! Ndoshta Allahu i
Lartësuar i ka parë luftëtarët e Bedrit dhe
ka thënë: “Bëni çfarë të doni, se unë jua
kam falur të gjitha!” Duke i lotuar sytë,
Omeri tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij
janë më të ditur.” [Shih “Zad el Mead”, v.
3].