Disa munafikë ndërtuan një xhami të re pranë asaj që ndërtoi Profeti në Kuba. Me këtë, ata synonin përplasjen dhe përçarjen mes muslimanëve. Ata po përgatisnin kështu terrenin për një armik të Zotit, të Profetit të Tij dhe të besimtarëve. Ata e ndërtuan atë xhami sherri edhe për t’u shërbyer si vendmbrojtje në të ardhmen, kur t'u nevojitej. Por Allahu i Madhëruar ua nxori në shesh poshtërsinë dhe i bëri publike motivet e tyre:
Ata që ndërtuan xhami sherri e mosbesimi - për t'i përçarë besimtarët dhe si përgatitje për atë që më parë kishte luftuar kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij,... - Ajo ishte një xhami sherri, e ndërtuar për të dëmtuar besimtarët, që mblidheshin në xhaminë e devotshmërisë. Qëllimi që fshihnin ishte mohimi i Zotit, ndërkohë që xhamia e besimtarëve ishte e mbushur me besim e mirësi. Munafikët e ndërtuan xhaminë e tyre - ashtu sikurse thotë i Madhëruari - si një mundësi për të shkaktuar përçarje dhe konflikte mes muslimanëve. Gjithashtu, ata donin të përgatisnin terrenin për këdo që do të luftonte kundër Allahut dhe Profetit të Tij. Kështu, xhamia e tyre do të shërbente si vendtakimi për ata që kishin urrejtje dhe armiqësi për Islamin dhe pasuesit e tij. I tillë ishte Ebu Amru el Rahib, pjesë e parisë së Medinës, që pretendonte të bëhej udhëheqës i saj. Kur në Medinë erdhi Profeti, ai u largua nga qyteti, duke e mohuar Profetin a.s. Ai u përpoq kundër Profetit në Medinë, por kur nuk mundi të bindte njerëzit për të luftuar kundër tij, shkoi te Kajseri me qëllimin që të organizonte strategjinë e luftës kundër Profetit. Por ky i mallkuar vdiq gjatë rrugës dhe nuk arriti asgjë nga ato që shpresonte. I mjeri kishte lënë një pakt me munafikët e Medinës, që ta prisnin si triumfator kur të kthehej në Medinë. Ndër përgatitjet e tyre ishte edhe ndërtimi i kësaj xhamie sherri. Por Shpallja i erdhi pa vonuar Profetit për këtë plan të munafikëve, prandaj ai dërgoi njerëz që ta shembnin dhe ta digjnin atë ‘xhami’, dhe ashtu u bë. Pas kësaj, ajo u shndërrua në një vend plehrash.[1] Pasi përmendi qëllimet e tyre të këqija me atë xhami sherri, Allahu i Madhëruar na tregon shfajësimin që ata bënin:
...do të betohen se nuk kanë pasur tjetër qëllim, veç së mirës. Por Allahu dëshmon se ata janë mashtrues. - Ata shfajësoheshin se me ndërtimin e asaj xhamie synonin veçse të bënin mirë, të ndihmonim të varfrit, të pafuqishmit e të verbërit. Por Allahu dëshmon se ata ishin gënjeshtarë. Pa dyshim, dëshmia e Allahut për ta është më e madhe sesa betimet e pretendimet e tyre.
[1] Rrugës drejt Tebukut, Profeti a.s. arriti në një vend të quajtur Dhi Euan, i cili ndodhet një orë larg Medinës. Atje, një grup munafikësh që kishin ndërtuar këtë "xhami sherri", shkojnë te Profeti a.s., i cili po përgatitej për t’u nisur në udhëtim, dhe i thonë: “O i Dërguari i Allahut! Ne kemi ndërtuar një xhami për të sëmurët, nevojtarët dhe si strehë për t’u falur në netët e ftohta me shi, prandaj dëshirojmë që të vish dhe të falesh atje.” Profeti a.s. u tha: “Jam i zënë tani, jam gati për rrugë. Kur të kthehemi, në dashtë Allahu, do të vijmë dhe do të falemi.” Profeti a.s. ishte ende në Dhi Euane, kur i shpallet e vërteta nga qielli rreth kësaj xhamie. Atëherë Profeti a.s. thërret Malik Ibn Duhshumin, që i përkiste fisit Benu Seleme Ibn Aufit, dhe Mean Ibn Adij el Axhlanin, dhe u thotë: “Shkoni tek ajo xhami, e ndërtuar nga njerëz të këqij! Shembeni dhe digjeni atë!” Ata u nisën vrik, derisa mbërritën te fisi i Salim Ibn Aufit, dhe pikërisht te familja e Malik Ibn Duhshumit. Maliku i tha Meanit: “Më prit deri sa të marr një zjarr nga shtëpia ime!” Ai hyri në shtëpinë e vet, mori një degë palme dhe e ndezi flakë. Pastaj të dy shkuan në atë xhami, e shembën dhe e dogjën. Ata që ndodheshin brenda saj, dolën jashtë dhe u shpërndanë. Allahu i Lartësuar shpalli ajetin: “(Hipokritë) janë edhe ata që ndërtuan një xhami për t’u shkaktuar dëm (besimtarëve), për ta forcuar kufrin dhe për të krijuar përçarje në mesin e besimtarëve, duke iu shërbyer ajo si pusi atyre që qysh më parë luftonin kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Dhe, vërtet ata betohen: “Ne kishim për qëllim që të bënim vetëm një vepër të mirë”! Por Allahu dëshmon se në të
vërtetë ata janë gënjeshtarë.” (Teube 107). Ibn Ishaku thotë: “Këtë xhami e ndërtuan 12 burra, mes të cilëve edhe Ebu Thalebe Ibn Hatibi.” Ndërsa Othman Ibn Seid el Darimi thotë: “Na ka treguar Abdullah Ibn Salih, e këtij Muavije Ibn Salihi, ky prej Ali Ibn Ebu Talhas, e ky prej Ibn Abasit, që rreth ajetit të mësipërm, ka thënë: “Ishin disa ensarë që ndërtuan një xhami. Ebu Amir el Fasiku u dërgonte atyre mesazhe dhe thoshte: “Ndërtojeni xhaminë tuaj dhe përgatisni armët e forcat sa të mundeni, se unë do të shkoj te mbreti i romakëve dhe pastaj do të vij me një ushtri të madhe, për ta nxjerrë Muhamedin dhe shokët e tij jashtë Medinës.” Pasi ndërtuan xhaminë, ata shkuan te Profeti a.s. dhe i thanë: “Ne e mbaruam ndërtimin e xhamisë, dhe tani dëshirojmë që të vish të falesh atje e të lutesh për begati.” Atëherë Allahu i Lartësuar shpalli ajetet: “Ti mos u fal kurrë aty! Është më e drejtë të falesh në atë xhami, themelet e së cilës, prej ditës së parë, u ngritën si devotshmëri ndaj Allahut. Aty ka burra që dëshirojnë të dëlirësohen. Allahu i do ata që dëlirësohen. Atëherë cili është më i mirë - ai që e ngre ndërtesën për devotshmëri dhe për Kënaqësi të Allahut, apo ai që ngre një ndërtesë rrëzë një shkëmbi ranor që është gati të thepiset, e bashkë me të bie në zjarrin e Xhehenemit? Allahu nuk i udhëzon njerëzit e padrejtë. Ndërtesa që kanë ndërtuar ata do të vazhdojë të sjellë (dyshime e) pasiguri në zemrat e tyre, derisa ato t’u coptohen. Allahu është i Gjithëditur e i Urtë.” (Teube 108 -110). Zadul Mead vëll 3.