Ndërtesa që kanë ndërtuar ata do të vazhdojë të sjellë (dyshime e) pasiguri në zemrat e tyre, derisa ato t’u coptohen. - Pasiguria, paqartësitë e dyshimet kanë zënë rrënjë të thella në zemrat e tyre. Ato vazhdojnë t'ua coptojnë shpirtin, nëse nuk gjejnë rrugën e kthimit të sinqertë drejt Zotit. Vetëm pasi të pranojnë ta njohin Zotin e tyre dhe t'i druhen Atij, ata mund të gjejnë prehje, me faljen dhe mëshirën e Tij. Po vazhduan me të tilla ndërtesa përçarjeje dhe vepra hipokrizie, zemrat e tyre do të vazhdojnë të mbushen me dyshim e pasiguri, me hipokrizi e ligësi. Është Allahu Ai që, me diturinë dhe urtësinë e Tij, pastron atë që Ai dëshiron:
Allahu është i Gjithëditur e i Urtë. - Allahu është i Gjithëditur për gjithçka, për të shfaqurat dhe të fshehurat, të dukshmet dhe të padukshmet. Allahu i di ato që robërit fshehin brenda zemrave të tyre apo ato që i publikojnë. Allahu është i Urtë në çdo Ligj që vjen prej Tij. Veprat dhe ligjet e krijimit të Tij janë të urta, ashtu si edhe ligji i Sheriatit me gjithë urdhëresat e ndalesat e Tij, janë absolutisht të urta. Ato janë të vetmet që i mundësojnë njeriut lumturi në të dy jetët. Edhe ligjet e shpërblimit dhe ndëshkimit të Tij ndërtohen mbi urtësinë absolute, mbi drejtësinë dhe bamirësinë e Tij. Allahu është i lavdëruari për gjithçka që ka krijuar, që ka ligjëruar dhe që ka premtuar. Ky ajet përmban shumë mësime, si:
- Ndërtimi i një xhamie pranë një xhamie tjetër, që shkakton përçarje mes muslimanëve, është i ndaluar, madje është detyrë shembja e saj, nëse mësohen qëllimet e liga të ndërtuesve.
- Veprat, edhe nëse në dukje shfaqen si të mira, është nijeti ai që bën dallimin. Nijeti i keq e kthen një vepër, që në dukje është e mirë, në vepër të ndaluar dhe të dënueshme. Kështu ndodhi me ndërtuesit e xhamisë së armiqësisë.
- Çdo vepër që shkakton përçarje mes besimtarëve është e ndaluar, ashtu sikundër çdo vepër që sjell bashkimin dhe forcimin e lidhjeve mes muslimanëve është e detyrueshme dhe e shpërblyeshme. Allahu i Lavdëruar, ashtu siç urdhëroi shkatërrimin e xhamisë së sherrit, po ashtu urdhëron që të ndërtohet çdo gjë që ndihmon fenë e Tij dhe forcon lidhjet mes besimtarëve.
- Është e ndaluar të falet namazi në vendet ku kryhen gjynahe. Ato janë vende që vetëm duhet t’u largohesh dhe kurrë të mos u afrohesh.
- Gjynahet lënë gjurmë edhe në vendin ku ndodhin, sepse pikërisht për shkak të gjynaheve të bëra në të, xhamia e sherrit u dogj dhe u shndërrua më pas në vend mbeturinash. Po kështu, edhe veprat e mira dhe bindja ndaj Zotit që kryhen në një vend sjellin mirësi e begati në të, ashtu si ndodhi me xhaminë Kuba. Vetë Allahu i Madhëruar e ka lavdëruar këtë xhami kur ka thënë: "Është më e drejtë të falesh në atë xhami, themelet e së cilës, prej ditës së parë, u ngritën si devotshmëri ndaj Allahut.” Kjo xhami kishte një vlerë të veçantë për Profetin, prandaj e vizitonte atë çdo të shtunë, madje ka nxitur besimtarët për t’u falur në atë xhami. Nga analiza e këtyre ajeteve përfitohen rregulla të rëndësishme, si:
- Çdo vepër dëmtuese për muslimanët ose që është mosbindje ndaj Zotit, është haram.
- Çdo vepër që është burim ose pasojë e mosbesimit është haram. Çdo vepër që sjell përçarje mes muslimanëve është haram. Të ndihmosh ata që luftojnë kundër Allahut dhe Profetit të Tij është haram. E kundërta vlen për të kundërtën.
- Veprat e këqija, që burojnë nga mosbindja ndaj Zotit, e largojnë vazhdimisht robin nga Zoti i tij. Vetëm një gjë e ndalon këtë largim: braktisja e të gjitha veprave të liga dhe pendimi i plotë e i sinqertë, aq sa zemra të coptohet nga keqardhja dhe dëshpërimi.
- Nëse për xhaminë e Kubas thuhet në Kur'an se është xhami e ndërtuar mbi bazën e devotshmërisë, atëherë Xhamia e Profetit e meriton më tepër këtë përshkrim, sepse ajo u ndërtua nga vetë duart e Profetit. Vetë Allahu i Madhëruar e zgjodhi atë xhami që të ndërtohej nga duart e Profetit të Tij dhe që ai të falej në të.
- Vepra e cila plotëson dy kushtet e pranimit të saj: sinqeritetin dhe pasimin e Profetit, quhet vepër e ndërtuar mbi devotshmërinë. Me fjalë të tjera, devotshmëria arrihet veçse përmes veprave të sinqerta, por edhe të kryera sipas porosive të Zotit dhe Profetit. Këto janë veprat që të çojnë në Xhenetin e mirësive të përjetshme. Veprat e ndërtuara mbi qëllimet e këqija dhe të pabaza në fenë e Zotit të çojnë buzë greminës dhe Xhehenemit. Ato e zhysin njeriun në fatkeqësi dhe humbje, dhe dihet se Allahu i Lartësuar nuk i udhëzon zullumqarët e zhytur në padrejtësitë e tyre.