(Allahu ua pranoi pendimin) Edhe atyre të treve, që mbetën mbrapa, aq sa edhe toka iu ngushtua, me gjithë gjerësinë e saj (nga ndjenja e fajit). - Allahu i Madhëruar i fali dhe ua pranoi pendimin edhe atyre të tre personave që nuk dolën së bashku me muslimanët për në luftën e Tebukut. Këta të tre ishin Kab Ibn Maliku dhe dy shokët e tij. Historia e tyre është e njohur nga hadithet e sakta dhe është e përhapur në referencat e hadithit.[1] Ata u dëshpëruan aq shumë, saqë Allahu i Lartësuar thotë:
Edhe shpirtrat e tyre u ngushtuan dhe u bindën se nuk mund të gjesh strehim gjetiu, veçse tek Allahu. - Toka dhe qielli iu dukën të ngushtë, aq sa u merrnte frymën, madje nuk po duronin dot as veten e vet. Kjo ndodhi për shkak të një shqetësimi që ua pushtoi shpirtrat. Ngushtimi i tyre nuk mund të përshkruhet me fjalë. Ata i dhanë përparësi kënaqësisë së Zotit dhe Profetit të Tij dhe këmbëngulën për të qenë të sinqertë me Të. Allahu i Lartësuar thotë për këta besimtarë, që ata “u bindën se nuk mund të gjesh strehim gjetkë, veçse tek Allahu.” Ata ishin të sigurt dhe të palëkundur në bindjen se askush tjetër nuk të shpëton prej ngushtive, veçse Allahu i Madhëruar i Vetëm dhe i Pashoq. Ata humbën çdo shpresë dhe mbështetje nga krijesat, për t'iu dorëzuar dhe mbështetur tërësisht Allahut të Madhëruar, Zotit të tyre të Dashur dhe të Urtë. Ata e kuptuan shumë mirë se, për t’i shpëtuar ndëshkimit të Tij, duhet të vraposh pa u vonuar drejt Tij. Pritja e tyre e dhimbshme që Zoti t'ua pranonte pendimin zgjati rreth 50 ditë e net, të gjata si shekuj për ta. Por pas kësaj pritjeje kaq të gjatë, i Lartësuari tha:
Ai i mëshiroi ata që të pendoheshin. - Ishte Allahu që ua mundësoi të pendoheshin dhe pastaj e pranoi pendimin e tyre.
Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë. - Allahu është Falës i madh, Pranues i pendimit dhe Mbulues i gabimeve e dobësisë së njerëzve. Ai ka mëshirën më të madhe, që vazhdimisht zbret dhe e përfshin krijesat, në çdo kohë e çast. Përmes kësaj mëshire rregullohen punët e njerëzve në këtë jetë, por edhe çështjet e besimit dhe të fesë së tyre. Nga këto ajete kuptojmë se pendimi tek Zoti duhet të jetë një nga pikësynimet më të larta të njeriut, prandaj ai duhet të investojë në këtë drejtim çdo forcë e mundësi për ta arritur. Allahu i Lartësuar na tregon se pendimi i sinqertë është cilësia më e spikatur e robërve të Tij më të zgjedhur, për të cilën edhe i ka lëvduar dhe i ka nxitur që ta arrijnë. Në emër të këtij pendimi, të përzgjedhurit kryejnë ato vepra të mira që Zoti i do dhe i pëlqen. Ajetet na tregojnë, gjithashtu, se Allahu i Lartësuar kujdeset për besimtarët e Tij të sinqertë dhe u gjendet pranë në çastet më të vështira dhe më dëshpëruese. Ai kujdeset t'ua shtojë imanin, edhe kur çdo gjë tjetër i shtyn në rrënim dhe devijim. Por një gjë është e sigurt: askush nuk mund ta devijojë atë që është i sinqertë me Zotin e vet. Ajetet tregojnë se ibadetet e vështira kanë një vlerë të jashtëzakonshme dhe sjellin dobi më të mëdha sesa ato të thjeshtat. Sa më të vështira të jenë adhurimet, aq më i madh është shpërblimi dhe dobia që ato sjellin. Pranimi i pendimit ka lidhje shumë të ngushtë me keqardhjen dhe pendesën e thellë në zemrën e gabimtarit. Pendimi i pranohet atij që vërtet ndjen keqardhje të madhe për gabimin e bërë. Ndërsa ai që kryen gjynahe dhe nuk ndihet keq apo nuk shqetësohet për to, edhe nëse thotë që është penduar, ai nuk është i çiltër. Nga ajeti kuptohet se një shenjë e mirë dhe treguese e ardhjes së zgjidhjes së hallit, është kur njeriu e lidh zemrën fort me Allahun e Lartësuar, duke u shkëputur plotësisht nga krijesat. Në ajet vërehet dashuria dhe mëshira e madhe e Zotit për tre besimtarët e penduar. Duke përshkruar mospjesëmarrjen e tyre në luftë, Allahu i Madhëruar zgjodhi një mënyrë të veçantë duke thënë: “ata që mbetën mbrapa”. Kjo është një shenjë që tregon se ata të tre nuk qëndruan pas për t’i bërë bisht të mirës dhe shpërblimit të madh të xhihadit në rrugën e Zotit, por ishte veçse një moment dobësie, që përfundoi me mosnisjen në kohë bashkë me ushtrinë. Por ky qëndrim i tyre i shqetësoi e dëshpëroi tej mase ata. Edhe kur munafikët shkuan të shfajësoheshin te Profeti, ata nuk e bënë, sepse ishin të sinqertë për gabimin që kishin bërë. Ata shpresonin veçse faljen dhe mëshirën e Zotit. Allahu i Madhëruar i lëvdoi ata pikërisht me sinqeritetin, me të cilin mbushi zemrat e tyre. Madje, i Lartësuari na nxit për të qenë si ata, për të qenë të sinqertë, kur thotë:
[1] Justifikimet e atyre që nuk morën pjesë në luftë. Me t’u kthyer në Medinë, kur Profeti a.s. hyri në xhami, fali dy rekatë namaz dhe pastaj u ul mes njerëzve. Me radhë filluan të vinin ata që nuk morën pjesë në luftë, duke u justifikuar e duke u betuar. Ata ishin mbi tetëdhjetë vetë. Profeti a.s. ua pranoi atyre justifikimet dhe betimet që paraqisnin dhe kërkoi falje për ta, ndërsa të fshehtat e tyre ai i la në dorën e Allahut të Lartësuar për t’i gjykuar. Te Profeti a.s. shkoi edhe Kab Ibn Maliku. Kur ai i dha selam, Profeti a.s. i dha një buzëqeshje prej të zemëruari dhe i tha: “Afrohu.” Kabi tregon: “Vazhdova të afrohem, derisa u ula para tij". Ai më tha: “Çfarë të pengoi? Nuk e kishe blerë kafshën tënde?” Unë i thashë: “Po si jo”. Betohem në Allahun se, nëse do të isha para dikujt tjetër, veç teje, do t'ia kisha dalë mbanë ta largoja zemërimin e tij nëpërmjet justifikimit që do të sillja, me aftësinë time për të bindur dhe sqaruar. Por unë betohem në Allahun, se jam shumë i sigurt, se nëse të gënjej sot për t'u kënaqur ti me mua, Allahu ka për të të zemëruar ndaj meje. Nëse të flas sot sinqerisht, ndoshta do të zemërohesh ndaj meje, por shpresoj që Allahu të më falë mua. Nuk kam asnjë justifikim. Kurrë nuk kam qenë më i fuqishëm dhe më në gjendje sesa atë ditë që nuk erdha me ty.” Profeti a.s. tha: “Ky ka thënë të vërtetën. Çohu, derisa Allahu të gjykojë për çështjen tënde.” Unë u ngrita për të ikur. Pas më ndoqën disa burra prej fisit të Benu Seleme, duke më qortuar e duke më thënë: “Vallahi, s’të kishim parë të bëje ndonjë gabim para kësaj. Kaq të vështirë e pate të justifikoheshe, sikurse vepruan të tjerët? Do të ishte e mjaftueshme që Profeti a.s. të kërkonte falje për ty”. E kështu vazhduan të më flisnin gjatë, aq sa po mendoja të kthehesha te Profeti a.s. dhe të mohoja ato që kisha thënë. Pastaj u thashë atyre: “A veproi kush tjetër si unë?” – “Po. Dy burra të tjerë thanë një lloj sikurse the ti dhe iu kthye e njëjta përgjigje.” – “Kush ishin ata të dy?” – “Murara Ibn el Rabia el Amiri dhe Hilal Ibn Umeje el Uakifi.” Ata ishin dy burra që kishin marrë pjesë në Bedër. Thashë me vete: “Ata janë shëmbull për mua”, dhe ashtu vazhdova. Profeti a.s. i ndaloi muslimanët që të na flisnin ne të treve, ndryshe nga ç'u veprua me të tjerët që nuk morën pjesë në luftë dhe që paraqitën justifikimet e tyre. Njerëzit na u larguan. Të gjithë ndryshuan sjelljen karshi nesh. Toka po më dukej e huaj, e panjohur. Kjo vazhdoi për pesëdhjetë net. Dy shokët e mi u ngujuan në shtëpitë e tyre dhe vetëm qanin. Ndërsa unë isha më i riu i tyre dhe më i qëndrueshmi. Unë dilja mes njerëzve dhe falja namazin në xhami me muslimanët. Dilja nëpër tregje, e megjithatë nuk më fliste. Pas namazit unë i jepja selam Profetit a.s., dhe më pas shihja: a do t’i lëvizte buzët vallë? Ndonjëherë falesha pranë tij dhe i hidhja ndonjë vështrim vjedhurazi. E ndieja se kur falja namaz, ai më shikonte, por kur hidhja sytë tek ai, ai kthehej. Ditët po më dukeshin tepër të gjata nën trysninë e kësaj gjendjeje. Një ditë, hipa mbi avllin e kopshtin e Ebu Katades, djalit të xhaxhait tim, nga njerëzit më të dashur për mua. E përshëndeta me selam, por, betohem në Allah se nuk ma ktheu selamin. Atëherë unë i thashë: “O Ebu Katade! Për hir të Allahut po të pyes: A nuk më njeh mua si një njeri që e do Allahun dhe Profetin e tij?!” Ai heshti. Vazhdova ta pyes disa herë, derisa më tha: “Allahu dhe i Dërguari i tij janë më të ditur.” Sytë m’u mbushën me lotë. U ktheva prapa, u ngjita në avllinë e kopshtit të tij dhe u largova. Një ditë, duke ecur në tregun e Medinës, një bujk prej Shamit, që shiste prodhimet e veta në Medinë, pyeste njerëzit: “A ma tregoni mua kush është Kab Ibn Maliku?” Njerëzit i bënë me shenjë atij drejt meje, dhe ai m’u afrua. Erdhi dhe më zgjati mua një letër, që ma dërgonte mbreti i Gasanëve. Në të, ndër të tjera, shkruhej: “Kam marrë vesh se shoku yt të ka braktisur. Por dije se Allahu nuk ka për të lënë ty në një vend ku të poshtërohesh e të mos të të njihen të drejtat. Bashkohu me ne, të gjesh ngushëllim....” Kur e lexova, thashë me vete: “Edhe kjo është pjesë e sprovës sime” dhe e hodha atë në zjarr. Pasi kishin kaluar 40 ditë, nga pesëdhjetëditëshi,, erdhi një korrier nga Profeti a.s. që më tha: “Profeti a.s. të urdhëron që të largohesh nga gruaja jote!” – “Ta divorcoj, – e pyeta, – apo çfarë?” – “Jo, – më tha, – por largoju asaj
dhe mos iu afro.” Edhe dy shokëve të mi u çoi të njëjtin mesazh. Atëherë i thashë gruas: “Shko te familja jote dhe qëndro atje, derisa Allahu të japë gjykimin për këtë çështje!” Gruaja e Hilal Ibn Umejes shkoi te Profeti a.s. dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Hilal Ibn Umeje është i shtyrë në moshë dhe nuk ka shërbëtorë. A më lejon që t’i shërbej atij?” Profeti a.s. tha: “Mirë, por nuk duhet të të afrohet.”" Ajo i tha: “Betohem në Allahun se ai nuk lëviz nga vendi. Ai vazhdon të qajë që nga dita që ndodhi ajo që ndodhi.”Disa njerëz të familjes më thanë: “Po sikur t'i kërkoje leje Profetit a.s. që të të shërbejë gruaja jote, ashtu siç lejoi gruan e Hilal Ibn Umejes.” Unë thashë: “Vallahi, nuk i kërkoi leje Profetit a.s. për këtë. Kush e di se çfarë më thotë nëse i kërkoj leje, sepse unë jam i ri.” Kështu qëndrova dhjetë net, derisa u plotësuan 50 net që nga dita e parë. Një ditë, pasi fala namazin e sabahut mbi tarracën e një prej shtëpive tona, po qëndroja i ulur në një gjendje sikurse e përshkruan Allahu i Lartësuar: I ngushtuar në shpirt dhe me një pikëllim aq të madh sa që toka me gjerësinë e saj më dukej e ngushtë. Në këto çaste, dëgjoj zërin e dikujt që ishte ngjitur mbi kodrën Sel’a e që thërriste me zë të lartë: “O Kab Ibn Malik! Gëzohu!” Atëherë unë rashë menjëherë në sexhde, se ndjeva që çlirimi sapo kishte ardhur. Profeti a.s., pas faljes së sabahut kishte njoftuar që Allahu na e kishte pranuar pendimin. Njerëzit u nisën drejt nesh për të na përgëzuar. Drejt dy shokëve të mi u nisën disa përgëzues, ndërsa një kalorës, duke i rënë kalit me shkelma në bark për të nxituar, ishte nisur drejt meje për të më uruar, por dikush tjetër nga Eslemi ishte ngjitur në majë të kodrës dhe zëri i tij qe më i shpejt se kali. Në momentin që ky i fundit erdhi tek unë, unë hoqa dy rrobat e mia dhe ia dhurova atij. Për Zotin, nuk kisha rroba të tjera veç tyre, aq sa për veten time mora rroba borxh te dikush tjetër. U nisa te Profeti a.s. Ndërkohë njerëzit më dilnin përpara grupe-grupe të më uronin për pendimin e pranuar. “Gëzohu me pendimin e pranuar prej Allahut!” ishin fjalët e tyre.Kur hyra te Profeti a.s. i cili po qëndronte i ulur me njerëzit përreth, Talhai vrapoi drejt meje dhe më uroi me përzemërsi. Asnjë muhaxhir tjetër nuk u ngrit për mua, veç Talhës, veprim që unë nuk do t’ia harroj kurrë Talhës. Kur i dhashë selam Profetit a.s., vura re që fytyra e tij vezullonte nga gëzimi. Ai, me ngrohtësi, më tha: “Gëzohu për ditën më të mirë që ke kaluar, prej ditës kur të ka lindur nëna!”
Unë e pyeta: “Kjo është prej teje, o i Dërguari i Allahut, apo prej Allahut?” Ai tha: “Veç prej Allahut.” Kur gëzohej, Profetit a.s. i shkëlqente fytyra si të ishte një copë hëne e shndritshme. Këtë e dallonim qartë prej tij. U ula para tij dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Në shenjë pendese unë e jap të gjithë pasurinë time si sadaka për hir të Allahut.” Ai tha: “Mbaj një pjesë për vete. Kështu është më mirë për ty.” – “Mirë, – i thashë – atëherë po mbaj pjesën që fitova në Hajber. O i Dërguari i Allahut, – vazhdova – Allahu më shpëtoi mua për shkak të sinqeritetit tim. Në shenjë pendimi, unë që sot e tutje, për sa kohë do të jetoj, do të them veçse të vërtetën.” Për Zotin, nuk njoh ndonjë musliman që Allahu e ka begatuar për thënien e të vërtetës ashtu siç më ka begatuar mua, që kur ia përmenda këtë fjalë Profetit a.s e deri më sot. Për Allahun, që nga ajo ditë e deri më sot, nuk kam synuar asnjëherë të gënjej me fjalët e mia, e tani shpresoj që Allahu të më ruajë këtë edhe për pjesën e jetës që më ka mbetur. Allahu i Lartësuar i shpalli Profetit të Tij ajetet: “Allahu ua pranoi pendimin Profetit, si edhe muhaxhirëve dhe ensarëve që e ndoqën pas në ato çaste të vështira, kur zemrat e disave prej tyre gati u lëkundën. Allahu i fali ata. Ai është i Butë dhe Mëshirëplotë me ta. (Allahu ua pranoi pendimin) Edhe atyre të treve, që mbetën mbrapa, aq sa edhe toka iu ngushtua, me gjithë gjerësinë e saj (nga ndjenja e fajit). Edhe shpirtrat e tyre u ngushtuan dhe u bindën se nuk mund të gjesh strehim gjetiu, veçse tek Allahu. Ai i mëshiroi ata që të pendoheshin. Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë. O ju që keni besuar! Jini të devotshëm ndaj Allahut dhe jini gjithmonë me ata që janë të drejtë (në fjalë dhe në vepra)! Nuk do të ishte me vend për banorët e Medines e as për beduinët përreth, që të mos e ndiqnin pas të Dërguarin e Allahut dhe të kursenin veten, në vend të atij. Nuk do të ishte me vend, sepse sa herë që ata i kapte etja, lodhja dhe uria në rrugën e Allahut, sa herë që shkelnin ndonjë rrugë që i hidhëronte jobesimtarët, sa herë që arrinin çfarëdolloj fitoreje kundër armikut - të gjitha këto do t’u shkruhen si vepra të mira. Allahu nuk ua humb shpërblimin vepërmirëve.” (Teube 117-120). Betohem se Allahu nuk më ka falur mirësi më të madhe, pas udhëzimit në Islam, sesa sinqeritetin që tregova ndaj Profetit të Tij. Ishte Allahu i Madhëruar që më dha sukses që të mos e mashtroja Profetin e Tij dhe ashtu të shkatërrohesha, sikurse u shkatërruan ata që e mashtruan atë. Për ta Allahu i Lartësuar zbriti ajete shumë të frikshme, si: “Kur të ktheheni tek ata, do t’ju betohen në Allahun, për të mos i qortuar. Kthejuni shpinën atyre! Ata, me të vërtetë janë të ndyrë dhe vendi i tyre do të jetë Xhehenemi, si shpërblim për ata (padrejtësi) që bënë. Ata do t'ju betohen që të jeni të kënaqur me ta. Por edhe nëse ju shprehni kënaqësi, Allahu nuk është i kënaqur me ata që i shkelin kufijtë e Tij.” (Teube 95, 96). Allahu i Lartësuar na përmendi ne të treve në mënyrë të veçantë, për sa i përket pranimit të pendimit. Për të tjerët, të cilët u justifikuan dhe i dhanë besën, Profeti a.s. kërkoi falje, ndërsa çështjen tonë ai e la në dorë të Allahut. Prandaj Allahu i Lartësuar flet pikërisht për ne të tre, kur thotë: “Ai ua pranoi pendimin edhe atyre të treve të cilëve u qe shtyrë çështja e pranimit të teubes (hul-lifû) …” Pra Allahu i Lartësuar e përmend faktin që gjykimi për ne u vonua për njëfarë kohe. Disa janë të mendimit se fjala “hul-lifû” ka kuptimin: “që nuk morën pjesë në luftë”. Pra, sipas tyre, kuptimi i ajetit do të ishte: “Ai ua pranoi pendimin edhe atyre të treve, të cilët nuk morën pjesë në luftë”, por – thotë Kabi, fjala hul-lifû nuk ka të bëjë aspak me mospjesmarrjen tonë në luftë. Ajo nënkupton pikërisht vonimin e gjykimit për ne. Pra kuptimi i saktë i ajetit do të ishte: “Ai ua pranoi pendimin edhe atyre të treve, pranimi i teubes së të cilëve u shty për më vonë.” Othman Ibn Seid el Darimi thotë: “Na ka treguar Abdullah Ibn Salihi, e këtij Muavije Ibn Salihi, prej Ali Ibn Ebu Talhas, e ky prej Ibn Abasit, i cili ka shpjeguar fjalën e Allahut të Lartësuar në suren Teube, ajeti 102: “Ka edhe të tjerë, që janë të vetëdijshëm për gjynahet e veta. Ata kanë edhe vepra të mira edhe vepra të këqija. Allahu do t’i falë ata, sepse Ai është Pranues i madh i pendimit e Mëshirëplotë.” Këtu flitet për dhjetë burra, – thotë Ibn Abasi, – që nuk morën pjesë në luftën e Tebukut. Kur Profeti a.s. u kthye në Medinë, shtatë prej tyre lidhën vetet nëpër shtyllat e xhamisë. Kur Profeti a.s. kaloi pranë tyre dhe i pa, tha: “Kush janë këta që kanë lidhur vetveten nëpër shtyllat e xhamisë?” Njerëzit i thanë: “Ky është Ebu Lubabe me disa shokë të tij, të cilët nuk morën pjesë me ty në luftë. Ata lidhën veten dhe nuk pranojnë t'i zgjidhë kush veç Profetit a.s., nëse i justifikon.” Profeti a.s. tha: “Edhe unë betohem në Allahun se nuk i liroj dhe nuk i justifikoj, derisa të jetë vetë Allahu Ai që t’i lirojë ata, sepse ata nuk më
mbështetën mua, duke mos marrë pjesë në luftë me muslimanët.” Kur të shtatëve u shkoi ky lajm, thanë: “Edhe ne nuk kemi për t’i zgjidhur vetet tona, derisa të jetë Allahu të na çlirojë.” Atëherë u shpall ajeti: “Ka edhe të tjerë që i pranojnë gjynahet e veta. Ata i përzien veprat e mira, me vepra të këqija. Allahu du t’ua pranojë atyre pendimin. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” Me këtë ajet, Profeti a.s. dërgoi njerëz që t'i zgjidhnin. Pasi u çliruan dhe pasi ishte pranuar pendimi i tyre, ata shkuan te Profeti a.s. me pasuritë e tyre dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut, këto janë pasuritë tona. Jepi sadaka për ne dhe kërko falje për ne!” Profeti a.s. tha: “Nuk jam urdhëruar që të marr pasuritë tuaja!” Atëherë u shpall ajeti vijues: “Merr prej pasurisë së tyre sadaka, që t’i pastrosh dhe t'i dëlirësh, dhe lutu për ta, sepse me të vërtetë lutja jote është burim qetësie për ta. Allahu dëgjon dhe di gjithçka. " (Teube 103). Kështu pra, Profeti a.s. i pranoi sadakatë e tyre dhe kërkoi falje për ta. Ndërsa tre të tjerët, që nuk u lidhën në shtyllat e xhamisë, u afatizuan dhe nuk dihej a do të ndëshkoheshin apo Allahu do t'ua pranonte pendimin. Për këtë zbresin ajetet e tjera:“ “Allahu ua pranoi pendimin Profetit, si edhe muhaxhirëve dhe ensarëve që e ndoqën pas në ato çaste të vështira, kur zemrat e disave prej tyre gati u lëkundën. Allahu i fali ata. Ai është i Butë dhe Mëshirëplotë me ta. (Allahu ua pranoi pendimin) Edhe atyre të treve, që mbetën mbrapa, aq sa edhe toka iu ngushtua, me gjithë gjerësinë e saj (nga ndjenja e fajit). Edhe shpirtrat e tyre u ngushtuan dhe u bindën se nuk mund të gjesh strehim gjetiu, veçse tek Allahu. Ai i mëshiroi ata që të pendoheshin. Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.” (Teube 117-118).” Të njëjtin transmetim ka sjellë edhe Atije Ibn Sadi. Zadul Mead, vëll 3.