At-Tawbah Ayah 26
ثُمَّ اَنْزَلَ اللّٰهُ سَكِيْنَتَهٗ عَلٰى رَسُوْلِهٖ وَعَلَى الْمُؤْمِنِيْنَ وَاَنْزَلَ جُنُوْدًا لَّمْ تَرَوْهَا وَعَذَّبَ الَّذِيْنَ كَفَرُوْاۗ وَذٰلِكَ جَزَاۤءُ الْكٰفِرِيْنَ ( التوبة: ٢٦ )
Summa anzalal laahu sakeenatahoo 'alaa Rasoolihee wa 'alalmu 'mineena wa anzala junoodal lam tarawhaa wa azzabal lazeena kafaroo; wa zaalika jazaaa'ul kaafireen (at-Tawbah 9:26)
English Sahih:
Then Allah sent down His tranquility upon His Messenger and upon the believers and sent down soldiers [i.e., angels] whom you did not see and punished those who disbelieved. And that is the recompense of the disbelievers. (At-Tawbah [9] : 26)
Sherif Ahmeti:
Pastaj All-llahun zbriti qetësinë e vet në të dërguarin e Tij dhe në besimtarë, zbriti një ushtri që ju nuk e patë, i dënoi ata që mohuan, e ai ishte ndëshkim ndaj mosbesimtarëve (At-Tawbah [9] : 26)
1 Feti Mehdiu
Pastaj All-llahu lëshoi qetësinë e vet në Profetin dhe në besimtarët e vet dhe ju dërgoi një ushtri të cilën ju nuk e patët parë dhe dënoi ata që nuk besuan. Ai ishte shpërblimi për mosbesimtarët
2 Hassan Efendi Nahi
Pastaj, Allahu zbriti qetësinë[1] e Tij mbi të Dërguarin e Vet dhe mbi besimtarët, si dhe zbriti luftëtarë (engjëj), të cilët ju nuk i patë dot e i dënoi jobesimtarët. Kështu u “shpërblyen” mohuesit.
[1] Shih shënimin në vargun 248 të sures 2.
3 Tafsir as-Saadi
Por Allahu zbriti qetësinë Tij mbi të Dërguarin dhe mbi besimtarët. -
‘Es-sekinetu’ (qetësia) është një ndjenjë e dashur, që Allahu e zbret në zemrat e njerëzve në kohë sprove e tronditjesh të mëdha. Kjo i bën njerëzit të gjejnë qetësinë e nevojshme dhe të rimarrin forcat me gjallëri. Kjo është nga mirësitë më të mëdha që Zoti u dhuron robërve të Tij. Përveç këtij ushtari kaq të veçantë, që quhet “Es-sekine”, Allahu i Madhëruar dërgoi edhe:
Ai zbriti një ushtri (melekësh), që ju nuk e patë,... -
Madhëruari zbriti një ushtri melekësh, si ndihmë për besimtarët. Kështu, Ai u dha forcë e shpresë për fitore.
...dhe i dënoi jobesimtarët. -
dënoi duke i mposhtur e shfarosur në fushëbetejë, por edhe duke bërë që pasuritë, gratë dhe fëmijët e tyre të ishin në dorë të muslimanëve.[1]
Ky qe “shpërblimi” i mohuesve. -
Allahu i Madhëruar i ndëshkoi ata që në këtë jetë, por ndëshkimi i ahiretit është shumë më i rëndë dhe i përjetshëm. Megjithatë, për ata që pendohen, i Madhërishmi është Falës i Madh dhe Pranues i pendimit:
[1] Beteja e Hunejnit. Kjo quhet ndryshe edhe beteja e Eutasit. Hunejni dhe Eutasi janë dy vende mes Mekës dhe Taifit, prandaj beteja mori emrin e vendit ku ajo u zhvillua. Ajo quhet ndryshe edhe lufta e Havazinasve, sipas emrit të popullit që u ngrit kundër Profetit (s.a.u.s.).
Ibn Ishaku thotë: “Havazinasit, kur dëgjuan për Profetin (s.a.u.s.) dhe suksesin e madh që Allahu i Lartësuar i dhuroi atij për çlirimin e Mekës, filluan të mobilizonin gjithçka për një luftë kundër
tij. Prej fiseve të Hauazinit, ushtrisë iu bashkëngjit i gjithë Thekifi, Mudari dhe Xhusheru. Gjithashtu me ta u bashkuan edhe fisi i Sad Ibn Bekrit dhe njerëz prej fisit Benu Hilal, por ata ishin të pakët në numër. Nga fisi i Kajs Ajlanit nuk morën pjesë veçse këta të fundit. Ndërsa nga havazinasit nuk mori pjesë Keabi dhe as fisi i Kilabëve. Mes fisit të Xhushamit ishte edhe një plak i shtyrë shumë në moshë. Por ai nuk kishte në dorë gjë tjetër përveç gjykimin e tij dhe përvojës luftarake. Kishte qenë trim, i guximshëm dhe i sprovuar në beteja. Ndërsa mes pjesëmarrësve nga Thekifi ishin edhe dy prijësa të tyre. Në krye të aleatëve ishte Karib Ibn Esuedi dhe në krye të fisit Benu Malik ishte edhe Subej Ibn Harithi dhe i vëllai Ahmer Ibn Harith. Në krye të të gjithë ushtrisë qëndronte Malik Ibn Auf Nasriju, i cili urdhëroi që në fillim të marshimit që të gjithë luftëtarët të merrnin me vete pasuritë, gratë dhe fëmijët e tyre. Kur mbërritën në Eutas, njerëzit u grumbulluan rreth tij. Mes tyre ishte edhe Durajd Ibn Simehi, i cili zbriti dhe pyeti:
- Në ç’luginë jemi këtu?
- Në Eutas.
- Vend i mirë për kuajt. As shkëmb i thepisur dhe as fushë fort e butë. Ç’janë këta zëra që po dëgjoj? Zëra deveje, pëllitje gomarësh, të qara fëmijësh dhe blegërima delesh?
- Malik Ibn Aufi urdhëroi që të merrnim gjithçka me vete: gratë, fëmijët, pasuritë, - i thanë.
- Ku është Maliku?
- Ja atje, – i tha.
- O Malik, – iu drejtua ai, – ti je sot udhëheqësi i këtij populli. Pas kësaj dite do të vijnë edhe ditë të tjera. Çfarë janë këta zëra që dëgjohen? Ç’janë këta zëra deveje, pëllitje gomarësh, të qara fëmijësh dhe blegërima delesh?! – e pyeti.
- Urdhërova unë që ata të merrnin me vete fëmijët, gratë dhe pasuritë e tyre – u përgjigj ai.
- Po pse?
- Mendova se, duke u shoqëruar çdo luftëtar me familjen dhe pasurinë e tij, ai do të luftojë më fort për mbrojtjen e tyre.
- Pasha Allahun, ti je bari delesh! E çfarë mund ta kthejë pas të mundurin në betejë?! Për të arritur fitoren, të hyjnë në punë veçse burrat me shpatë. Por nëse mundesh, ke për t’u shkatërruar me familje dhe pasuri.
Pastaj Duejdi tha:
- Po fisi i Keabit dhe Kulabit?
- Ata nuk morën pjesë në betejë.
- Atëherë, në këtë betejë munguakan trimat këmbëngulës. Nëse do të ishte ditë fitoreje, ata nuk do të mungonin. Do të dëshiroja shumë që edhe ju të vepronit ashtu fisi i Keabi dhe Kulabët. Kush merr pjesë ndër ju?
- Amër Ibn Amiri dhe Auf Ibn Amiri.
- Ata janë dy trungje të Amirit, që nuk sjellin as dëm, as dobi. Më pas tha: O Malik, duke marrë bashkë me ushtrinë gratë, fëmijët dhe pasuritë e Hauazinit, nuk ke gjë në vijë. Largoji ata në një vend të sigurt, diku mes popullit tënd, dhe pastaj nisu të përballësh armikun. Nisuni të armatosur e mbi kuaj. Nëse fitoni, le të vijnë edhe të tjerët që ke lënë pas, e nëse jo, të paktën ke shpëtuar familjen dhe pasurinë tënde.
- Maliku ia ktheu: Për Zotin, nuk bëj unë ashtu si thua ti. Ti dhe mendja jote janë plakur shumë. O fiset e Hauazinit! Ose do të më bindeni mua, ose do të hidhem mbi këtë shpatë dhe të më dalë në shpinën time.
- Të bindemi ty, o Malik! – u përgjigjën ata.
- Atëherë Durejdi tha: Nuk jam dëshmitar i kësaj dite, edhe pse jam i pranishëm.
Ah, i mjeri unë, të qeshë djalë, të luftoja,
Me vrull e mbi kalë të ikja fluturim,
Krifë-bukurin krenar me frerë ta drejtoja,
Majtas e djathtas, i ashpër në luftim.
Maliku iu drejtua ushtrisë: “Kur t’i shihni, thyejini këllëfët e shpatave tuaja dhe lëshohuni si një grusht i vetëm!” Ai dërgoi zbuluesit e vet të kontrollonin zonën. Por, ata u kthyen të këputur nga frika dhe lemeria e madhe. Ai u tha: “Të mjerët ju! Çfarë ju ndodhi?” – “Pamë burra të bardhë mbi kuaj pullali. Vallahi, siç e sheh, u tmerruam aq shume, sa që nuk e mbajtëm dot veten”. Por, – për Allah! – edhe kjo nuk e ktheu mbrapsht Malikun nga drejtimi që kishte marrë.
Kur dëgjoi për ta, Profeti (s.a.u.s.) dërgoi zbuluesin e tij Abdullah Ibn Hadrade el Eslemi, duke e urdhëruar që të hynte në kampin e tyre dhe të merrte informacione. Dhe ai ashtu bëri: hyri mes tyre dhe mori informacionet që dëshironte. Ai mësoi përse ishin mbledhur dhe për planet e tyre për luftë kundër Profetit (s.a.u.s.) Pastaj u kthye te Profeti (s.a.u.s.) dhe ia përcolli të gjitha ç’kishte dëgjuar. Atëherë, Profeti (s.a.u.s.) vendosi të nisej drejt havazinasve. Atij i kishin thënë se Safuani Ibn Umeje kishte plot parzmore dhe armë, prandaj dërgoi dikë që ta thërriste. Në atë kohë Safuani ishte idhujtar. Kur u paraqit, Profeti (s.au.s) i tha: “O Ebu Umeje! Na jep hua armët e tua, sepse na duhen të luftojmë armikun tonë.” Safuani pyeti: “A po m’i rrëmben me forcë ato, o Muhamed?” Profeti (s.a.u.s.) iu përgjigj: “Jo! Po t’i kërkoj hua, për t’i përdorur, duke marr përsipër dëmshpërblimin e plotë, në rast të ndonjë dëmtimi a humbjeje derisa të t’i kthej.” Kur pa këtë përgjigje, Safuani tha: “Mirë! Pse jo?!” Dhe, vërtet, ai dha 100 gjoksore bashkë me armët që shoqërohen me to. Madje disa përmendin se Profeti (s.a.u.s.) i kërkoi atij që të merrte përsipër edhe transportin e armëve, dhe ai e bëri. Më tej, Profeti (s.a.u.s.) u nis bashkë me 2000 luftëtarë mekas dhe 10000 medinas, që kishin shkuar me të për të çliruar Mekën; pra ishin 12000 luftëtarë gjithsej. Si mëkëmbës në Mekë, u emërua Attab Ibn Usejdi.
Ibn Ishaku thotë: “Më ka treguar Asim Ibn Omer Ibn Katade, që përcjell prej Abdurahman Ibn Xhabirit, ky prej babait të tij Xhabir Ibn Abdilahi, i cili tregon: “Kur mbëritëm në luginën e Hunejnit, filluam të zbresim në tatpjetën e saj. Kështu, u varëm me shpejtësi teposhtë në njërën prej luginave të Tihame-s. Por ushtria armike, që kishte mbëritur atje para nesh, na kishin zënë pusi në qafat, shtigjet, kthesat, ngushticat dhe rrugicat e luginës. Ata kishin ngitur kurthin dhe ishin përgatitur mirë me një plan të hollësishëm. Ata ishin të gatshëm të na sulmonin. Kështu, në muzgun e agimit, ndërkohë që ne po zbrisnim, befas skuadrat e ushtrake të armikut na mësyjnë njëherësh. Njerëzit tanë filluan t'ia mbathnin pa e kthyer më kokën pas. Asnjëri nuk e kthente kokën tek tjetri dhe as nuk pyeste për të. Në këtë situatë, Profeti (s.a.u.s.) mori anën e djathtë të luginës dhe pastaj thirri me zë të lartë: “O njerëz! Ku po shkoni?! Ejani tek unë! Unë jam Profeti i Allahut! Unë jam Muhamed Ibn Abdullahi!” Me Profetin (s.a.u.s.) mbetën vetëm një grup muhaxhirësh, ensarësh dhe farefisi i tij. Prej muhaxhirëve që mbetën me të ishin Ebu Bekri dhe Omeri, ndërsa nga familja e tij ishin Aliu, Abasi, Ebu Sufjan Ibn Harithi dhe i biri, ishin El Fadl Ibn Abasi, Rabia Ibn Harithi, Usame Ibn Zejdi dhe Ejman Ibn Umi Ejmani. Ky i fundit u vra atë ditë. Një burrë nga Hauazini qëndronte hipur mbi një deve të kuqe dhe në duar mbante një flamur të zi, të lidhur në majën e një heshte të gjatë. Ai ecte përpara havazinasve, kurse të tjerët qëndronin pas tij. Këdo që e arrinte, e shponte me heshtë; kur i shpëtonin, ai u ngrinte
flamurin me dorë të tjerëve pas tij, që të përparonin. Në një situatë të tillë, drejt tij lëshohet Ali Ibn Ebu Talibi dhe një ensar për ta vrarë. Aliu i shkon nga pas dhe ia pret nyjet e këmbëve devesë së tij, e cila rrëzohet përdhe. Atëherë mbi të lëshohet ensari, që i jep një goditje dhe ia fluturon këmbën që nga mesi i kërcirit. Havazinasi bie nga deveja në tokë. Që këtu filloi dueli me shpata. Dhe, vallahi, kur u kthyen ata që u larguan nga fushëbeteja, gjetën robërit e luftës pranë Profetit (s.a.u.s.)…”.” Përsëri Ibn Is'haku thotë: “Kur muslimanët po pësonin humbje fillimisht, disa të pagdhendur të mekasve që merrnin pjesë në atë betejë me Profetin (s.a.u.s.), filluan të shfrejnë mllefin brenda gjoksit të tyre. Kështu, Ebu Sufjan Ibn Harbi tha: “Ata nuk do të ndalen nga kjo thyerje pa arritur në bregun e detit”. Ai i kishte shigjetat e fallit me vete në trastë. Kurse Xhebeletu Ibn Hanbeli, – ose sikurse thotë Ibn Hishami: Keledetu Ibn Hanbeli, – tha: “Sot u prish magjia që ai ka bërë …”. Safuani, vëllai i tij nga nëna, i cili në atë kohë ishte ende idhujtar i bërtiti: “Hesht, o t’u thaftë goja! Për Zotin, unë parapëlqej më tepër që të udhëhiqem nga një kurejsh, sesa të udhëhiqem nga një havazinas!”.”
Ibn Sadi përcjell prej Shejbe Ibn Othman el Haxhebit rrëfimin e tij: “Ditën e çlirimit, Profeti (s.a.u.s.) hyri në Mekë me forcë. Unë thashë me vete: ‘Do të shkoj me kurejshët në Hunejn. Ndoshta gjatë luftës do të më krijohet mundësia që ta vras Muhamedin pabesisht, duke u bërë unë ai që do të marrë hakun e të gjithë kurejshëve”. Në atë kohë isha shumë i vendosur, saqë gjithmonë thoja me vete: “Sikur të mos mbetej asnjë arab dhe joarab pa e pasuar Muhamedin, unë kurrë nuk do të bëhesha pasues i tij”. Unë rrija i gatshëm, në pritë, sa të më jepej mundësia. Çdo moment që kalonte më shtonte urrejtjen dhe dëshirën për ta vrarë. Kështu, kur filloi beteja (në Hunejn) dhe njerëzit filluan të përzihen, Profeti (s.a.u.s.) u hodh nga mushka dhe hoqi shpatën nga këllëfi për sulm. Unë iu afrova, të plotësoja atë vepër që aq me zjarr e prisja. E ngrita shpatën dhe gati sa nuk e lëshova mbi të, por në çast mu shfaq një valë zjarri, e fortë si vetëtima, e cila gati sa s’më dogji. Ngrita duart të mbuloja sytë, nga frika prej verbimit. Në këtë moment, Profetit (s.a.u.s.) hodhi vështrimin drejt meje dhe më thirri: “O Shejbu, afrohu pranë meje!” Unë iu afrova pranë, ndërsa ai e vendosi dorën e tij mbi gjoksin tim, e pastaj u lut: “O
Allah! Ruaje atë prej shejtanit!” Betohem në Allahun se, që në atë moment, ai u bë njeriu më i dashur për mua. E desha më shumë edhe se dëgjimi, shikimi dhe jeta ime. Allahu i Lartësuar ma largoi atë që ndodhej në gjoksin tim. Pastaj ai më tha: “Afrohu dhe lufto!” Unë dola para tij dhe po kosisja me shpatën time këdo që më dilte përpara. Allahu është dëshmitar që unë isha gati të vetëflijohesha për ta mbrojtur Profetin prej çdo gjëje. Në ato momente, edhe sikur të dilte përpara im atë, do ta godisja me shpatë. Unë i qëndrova pranë bashkë me të tjerët që i qëndruan pranë derisa u kthyen muslimanët dhe iu vërsulën tok armikut. Dikush i afroi mushkën Profetit (s.a.u.s.) dhe ai i hipi. Profeti i ndoqi pas armiqtë gjerësa u shpërndanë në çdo anë dhe ia mbathën. Pastaj ai u kthye në kamp dhe hyri në çadrën e vet. Atje nuk hyri tjetërkush veç meje, dhe kjo nga dashuria për të, nga dëshira e madhe që kisha për ta kundruar dhe gëzimi që më sillte qëndrimi pranë tij. Ai më tha: “O Shejbu! Ajo që Allahu deshi për ty ishte më e mirë sesa ajo që ti doje për veten tënde.” Pastaj filloi të më tregonte imtësisht gjithçka që kisha menduar unë fshehtas, në veten time. Më tregoi gjithë çfarë kisha menduar dhe që nuk ia kisha treguar kurrë askujt. Pastaj unë i thashë: “Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut, dhe se ti je i dërguari i Allahut! Kërkoji Allahut falje për mua.” Ai tha: “Allahu të faltë!”.”
Ibn Ishaku thotë: “Më ka treguar Zubejri, që transmeton prej Kuthejr Ibn Abasit, ky nga i ati, El Abas Ibn Abdil Mutalibi, se ka rrëfyer: "Unë isha pranë Profetit (s.a.u.s.) dhe mbaja fort frerët e mushkës së tij të bardhë. Unë isha trupmadh dhe kisha zë kumbues. Profeti (s.a.u.s.), kur pa muslimanët që po largoheshin, tha: “Ku shkoni, o njerëz?” Por unë pashë se askush nuk e ktheu kokën pas. Atëherë, ai më tha: “O Abas! Thirr fort, me zë të lartë: “O ensarë! O ju që dhatë besën poshtë pemës!”” Atëherë ata u përgjigjën: “Si urdhëron, si urdhëron!” Veç t’i shihje se si vraponin drejt Profetit (s.a.u.s.)! Kur mundoheshin të frenonin dhe të kthenin devetë apo kuajt e tyre drejt Profetit (s.a.u.s.) dhe e shihnin të pamundur, hidhnin gjoksoret në qafë, merrnin shpatën, harkun dhe mburojën, kërcenin prej kafshëve, i lëshonin të iknin dhe vinin me shpejtësi drejt zërit derisa mbërrinin tek Profeti (s.a.u.s.). Pasi u grumbulluan rreth 100 vetë, filloi një luftë e ashpër. Në fillim të betejës, refreni që dëgjohej ishte “Përpara, o ensarë!” Pastaj, nga fundi i saj, dëgjohej “Përpara, o Hazrexh!”. Ata ishin shumë të ashpër dhe të qëndrueshëm në betejë. Profeti hipi mbi kafshën e tij dhe, kur pa njerëzit duke u përleshur shumë ashpër me shpata, tha: “Tani u ndez beteja!”.” Disa shtojnë se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë gjithashtu: “Unë jam Profet, dhe jo mashtrues! Unë jam i biri i Abdul Mutalibit!”
Ndërsa në ‘Sahih’-un e Muslimit thuhet se Profeti (s.a.u.s.) mori në dorë një grusht guralecësh, gjuajti me ta në drejtim të armikut, dhe pastaj tha: “U mundën, pasha Zotin e Muhamedit!” Dhe menjëherë pas goditjes, fillova të shoh se ata po dobësoheshin dhe po shpartalloheshin.
Ndërsa në një transmetim tjetër, po tek Muslimi, thuhet se Profeti (s.a.u.s.) zbriti nga mushka e tij, mori një grusht dheu dhe e flaku në drejtim të tyre, duke thënë: “Të shëmtuara qofshin fytyrat tuaja!” Gjithësecilit prej tyre iu mbushën sytë prej atij dheri dhe, dhe nisën t’ia mbathin.
Ibn Ishaku sjell rrëfimin e Xhubejr Ibn Mutaimit, që ka thënë: “Përpara se të mposhteshin armiqtë, ndërkohë që beteja në Hunejn ishte e ndezur fort, unë pashë diçka si një petk i zi, që po zbriste nga qielli dhe që ra mes nesh dhe armikut. Kur shoh mirë, dallova se ato ishin milingona të zeza, që tashmë ishin përhapur dhe kishin mbuluar luginën. Nuk vonoi shumë, e armiku u thye. Unë nuk dyshova aspak se ata ishin melekët.”
Ibn Ishaku thotë: “Idhujtarët, pas humbjes që pësuan, u nisën për në Taif. Së bashku me ta ishte edhe Malik Ibn Aufi. Një pjesë e tyre e ngritën kampin ushtarak në Eutas, ndërsa të tjerët shkuan drejt Nahles. Profeti (s.a.u.s.) dërgoi në ndjekje të atyre që u qëndruan në Eutas Ebu Amir el Eshariun. Kur Ebu Amiri i zuri, ata filluan të shigjetonin muslimansët prej së largu dhe një shigjet gjuhet në drejtim të Ebu Amirit dhe e vret. Pas tij, flamurin e mori djali i vëllait të tij, Ebu Musa el Eshariu, i cili i lufoi armiqtë. Allahu i Lartësuar ia mundësoi t’i shpartallonte. Mes idhujtarëve të vrarë ishte edhe vrasësi i Ebu Amirit. Pas ngjarjes, Profeti (s.a.u.s.) u lut: “O Allah, fale Ubejd Ebu Amirin dhe familjen e tij dhe lartësoje atë Ditën e Gjykimit në gradë të lartë, mbi shumë prej krijesave të Tua!”. Ai kërkoi falje gjithashtu edhe për Ebu Musa el Eshariun.”
Malik Ibn Aufi vazhdoi rrugën, derisa u strehua në kështjellat e Thekifit. Profeti (s.a.u.s.) urdhëroi që të grumbulloheshin të gjithë robërit, robëreshat dhe plaçka e luftës dhe të dërgoheshin në El Xhiranete. Numri i robërve dhe robëreshave ishte rreth 6.000. Pati 24.000 kokë deve dhe mbi 40.000 kokë dele të kapura. Ndër pasuritë e fituara ishin edhe 4.000 ukije argjend.
Profeti (s.a.u.s.) i priti ata, se ndoshta vinin të dorëzuar si muslimanë, për mbi 10 ditë e net. Pastaj filloi të shpërndajë plaçkën e luftës. Të parëve u dha atyre që kërkonte t’u fitonte zemrat për përqafimin ose forcimin e Islamit. Ebu Sufjan Ibn Harbit i dha 40 ukije argjend dhe 100 deve. Ebu Sufjani tha: “Po djalit im, Jezidit?” – “Jepini edhe atij 40 ukije argjend dhe 100 deve!” – tha Profeti (s.a.u.s.). Por Ebu Sufjani tha përsëri: “Po djalit tim, Muavijes?” – “Jepini edhe atij 40 ukije argjend dhe 100 deve!” – urdhëroi Profeti (s.a.u.s.).
Edhe Hakim Ibn Hizamit iu dhanë 100 deve. Ky kërkoi edhe 100 të tjera, dhe Profeti (s.a.u.s.) i dha edhe 100 të tjera. Ai i dha gjithashtu Nadir Ibn Harith Ibn Katades 100 deve, Ata Ibn Harithe el Thekafiut 50 deve. Kështu morën edhe disa të tjerë nga 100 deve ose 50 deve.
Pas këtyre, Profeti (s.a.u.s.) i dha Abas Ibn Mirdasit 40 deve, por Abasi, nëpërmjet një vjershe, shprehu dëshirën për më shumë, dhe Profeti (s.a.u.s.) ia plotësoi numrin me 100 deve.
Më tej, Zejd Ibn Thabiti u urdhërua që të llogariste të tërë plaçkën e luftës dhe njerëzit që do t’i merrnin. Pas llogaritjes Profeti (s.a.u.s.) ua shpërndau, duke i dhënë çdo këmbësor 4 deve dhe 40 bagëti të imëta, ndërsa çdo kalorësi 12 deve dhe 120 bagëti të imëta.
Ibn Ishaku tregon: “Më ka treguar Asim Ibn Omer Ibn Katade, që përcjell prej Mahmud Ibn Lebidit, ky prej Ebu Seid el Hudriut, se: “Kur Profeti (s.a.u.s.) shpërndau ato pasuritë e mëdha disa kurejshëve dhe krerëve të disa fiseve arabe dhe ensarët nuk morën asgjë prej tyre, diçka filloi të vërtitej në zemrat e ensarëve. Ata u mërzitën dhe nisën të flisnin me njëri-tjetrin, krejt të turbulluar. Dikush thoshte: “Për Zotin, Profeti (s.a.u.s.) tani u takua me popullin e tij”, e të tjera fjalë si këto. Atëherë Sad Ibn Ubade shkoi tek Profeti (s.a.u.s.) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Ensarët se ç’ndiejnë në zemër, pas ndarjes së plaçkës së luftës! Vërtet, disave prej popullit tënd dhe disa krerëve të fiseve arabe iu bëre dhurata të mëdha prej plaçkës së luftës, ndërsa asnjëri prej ensarëve nuk ka marrë dhuratë të tillë…”.
Profeti (s.a.u.s.) i tha Sadit: “Po ti vetë, o Sad, çfarë mendon?” – “Edhe unë jam pjesëtar i popullit tim, o i Dërguari i Allahut…”. Atëherë, Profeti (s.a.u.s.) tha: “Shko e mblidhe popullin tënd këtu, në këtë vend të rrethuar!” Me ta erdhën edhe një grup muxhahirësh, të cilët u lejuan të qëndronin. Më pas u afruan edhe të tjerë, por ata u ndaluan. Kur u grumbulluan të gjithë, Sadi njoftoi Profetin (s.a.u.s.) dhe ai erdhi. Pasi falënderoi Allahun e Lartësuar dhe e lavdëroi ashtu si e meriton i Madhërishmi, ai (s.a.u.s.) tha:
– “O ensarë! Çfarë janë ato fjalë që kam dëgjuar prej jush? Ç’janë ato ndjenja mërzitje që vërtiten në zemrat tuaja?! Kur erdha unë tek ju, a nuk ishit ju të humbur nga Rruga e Drejtë dhe Allahu i Lartësuar ju udhëzoi nëpërmjet meje! A nuk ishit ju të varfër dhe Allahu ju pasuroi me mua? A nuk ishit ju armiq të njëri-tjetrit dhe Allahu ju bashkoi zemrat nëpërmjet meje?”
– “Bamirësia e Allahut dhe e Profetit të Tij mbi ne është e madhe dhe meriton mirënjohje”, – thanë njerëzit.
Pastaj tha: “A nuk po më përgjigjeni, o ensarë?” – “E çfarë përgjigje të të japim, o i Dërguari i Allahut! Pa dyshim, bamirësia e Allahut dhe e Profetit të Tij mbi ne është e madhe dhe meriton mirënjohje.”
Profeti (s.a.u.s.) vijoi: “E pra, vallahi! Ju mund të thoni diçka që është shumë e vërtetë, dhe të gjithë do t’ju besonin. Ju mund të thoni: “Ti erdhe tek ne i mohuar nga të tjerët dhe ne të besuam, erdhe i tradhtuar nga të gjithë dhe ne të mbështetëm e të ndihmuam, erdhe i dëbuar dhe ne të strehuam, erdhe i varfër dhe ne të përkrahëm me pasuritë tona”.
O ensarë! Vërtet menduat dhe ndjetë për mua pakënaqësi, për shkak të atyre palo pasurish që unë u dhurova disa njerëzve për t’u afruar zemrat në Islam?! Ndërsa juve nuk u bëra dhurata të tilla me bindjen se ju keni aq besim të fortë islam sa që nuk keni nevojë për gjëra të tilla. A nuk jeni të kënaqur, o ensarë, që njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre me deve dhe bagëti, ndërsa ju të ktheheni me Profetin e Allahut në vendqëndrimet tuaja?! Betohem në Atë në dorë të të Cilit është shpirti i Muhamedit, se ju po ktheheni në shtëpitë tuaja me diçka më të mirë sesa ajo me të cilën ata do të kthehen në shtëpitë e tyre.
Sikur të mos ishte mirësia e hixhretit, unë do të preferoja të isha një prej ensarëve. Nëse njerëzit do të ndiqnin një qafë mali apo luginë, dhe ensarët të ndiqnin një qafë mali apo luginë tjetër, unë do të ndiqja grykën dhe luginën e ensarëve. Ensarët janë miqtë dhe rrethi im i ngushtë, ndërsa njerëzit e tjerë janë më larg.
O Allah! Mëshiroji ensarët, fëmijët e ensarëve dhe fëmijët e fëmijëve të ensarëve!”.
Ata filluan të qajnë, sa lagën mjekrat e tyre me lot, dhe thanë: “Jemi të kënaqur që Profeti i Allahut të jetë pjesa dhe fati ynë!”. Pastaj Profeti (s.a.u.s.) u largua dhe ata u shpërndanë.”
Te Profeti (s.a.u.s.) shkoi edhe Shejma Bintu el Harith Ibn Abdil Uzza, motra nga gjiri e Profetit (s.a.u.s.), e cila tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë jam motra jote nga gjiri.” – “E çfarë shenje sjell si argument?” – e pyeti Profeti (s.a.u.s.). – “Kam një të kafshuar në kurrizin tim, që ma ke bëre ti i vogël kur unë po të mbaja.” Dhe, vërtet, Profeti (s.a.u.s.) e njohu shenjën. Ai i shtroi asaj mantelin e tij dhe e ftoi të ulej në të. Pastaj i dha mundësi të zgjidhte, duke i thënë: “Nëse dëshiron të qëndrosh me mua, qëndro, dhe do të jesh e dashur dhe e respektuar. Nëse dëshiron të kthehesh te familja jote e unë të të dhuroj pasuri, ashtu vepro, se do të të jap.” Ajo tha: “Atëherë, më jep pasuri dhe më lër që të rri me familjen time.”
Fisi i Benu Sadit thonë se asaj iu dha një shërbëtor dhe shërbëtore, të cilët i martoi me njëri-tjetrin. Djali quhej Mekhul. Ata patën shumë pasardhës në këtë fis, deri shumë vonë. Ebu Omeri tregon se ajo pranoi Islamin dhe se Profeti (s.a.u.s.) i dhuroi asaj tre robër, një shërbyese, si dhe mjaft deve e bagëti. Ai e quajti atë Hudhafe, ndërsa Shejma qe llagapi i saj.