Shumë ajete të kësaj sureje të nderuar i referohen luftës së Tebukut. Në këtë ngjarje, Profeti (a.s)i urdhëroi besimtarët që të bëheshin gati për një betejë kundër romakëve. Ishte mot i nxehtë, furnizimet për udhëtim dhe për luftë ishin të pakta, gjendja ekonomike ishte shumë e rëndë, prandaj disa muslimanë po e shihnin si të vështirë pjesëmarrjen në këtë luftë të vështirë. Ata po shfaqnin njëfarë pakënaqësie dhe hezitimi për të shkuar në betejë. Ky qëndrim i disa besimtarëve bëri që Allahu i Lartësuar t’i qortonte ata përmes këtyre ajeteve. Allahu i Madhëruar dëshironte të nxiste gjallërinë e muslimanëve për t'iu përgjigjur urdhrave të Tij. Duke nxitur besimtarët për të hedhur nga supet e tyre peshën e rëndë të vështirësive të kësaj jete dhe për t'u çliruar nga prangat e saj, e për të dalë në lirinë që ofron lufta në rrugën e Tij, Allahu i Madhëruar thotë:
O ju që keni besuar! Ç’është kështu me ju, që, kur ju thuhet të dilni në rrugën e Allahut juve ju rëndon vendi? -
Fillimisht, Allahu i Lartësuar u drejtohet muslimanëve me cilësinë e besimit, duke u thënë: “O ju që keni besuar!”. Duket sikur Allahu i Lartësuar u drejtohet atyre dhe u thotë: Pse nuk veproni ashtu siç ju udhëzon besimi juaj?! A nuk ju shtyn imani që t’i përgjigjeni ftesës së Allahut të Lartësuar dhe të luftoni?! A nuk janë të mjaftueshme këto nxitje për të qenë absolutisht të sigurt për premtimin e Allahut të Lartësuar dhe ju të nxitoni për të zbatuar urdhrin e Tij? Kjo fjalë e dashur ose ky emërtim i mrekullueshëm, janë mëse të mjaftueshëm që ju të përpiqeni për të kënaqur Zotin tuaj, Allahun e Lartësuar, e të luftoni armiqtë e Tij. Kjo duhet t’ju nxisë për të ndihmuar fenë tuaj, që të fitoni në dynja dhe ahiret. Por, kur ju thuhet që të luftoni në rrugën e Allahut, ju shfaqni dembelizëm, dobësi, pamundësi dhe ju tërheq jeta e kësaj bote, me stoli e rehati.
A mos jeni, vallë, më të kënaqur me jetën e kësaj bote, sesa me Ahiretin? -
Mosangazhimi në rrugën e Zotit është cilësi e atyre njerëzve që janë kënaqur me dynjanë dhe duan vetëm të përmbushin dëshirat e tyre. Ata nuk i japin rëndësi aspak ahiretit, a thua se nuk e besojnë fare atë! Por Allahu i Lartësuar u drejtohet besimtarëve dhe u thotë:
Jeta e kësaj bote, përkundër ahiretit, është diçka shumë e vogël. -
Jeta e kësaj bote, - të cilën ju e doni shumë dhe për hir të së cilës ju braktisni urdhrin e Zotit, por edhe ftesën e Tij të mrekullueshme për të hyrë në Xhenet dhe për të fituar lumturinë në dynja dhe ahiret, - është e pakët dhe e shkurtër, siç thotë edhe Allahu i Madhëruar. Ajo është e papërfillshme dhe e parëndësishme, në krahasim me ahiretin. A nuk ju ka dhënë Allahu i Lartësuar logjikë të shëndoshë dhe aftësi për të gjykuar drejt, që t’i jepni përparësi asaj që është më e rëndësishme? Cila e meriton t’i japësh më tepër rëndësi dhe përkushtim? Dynjaja, që nga fillimi e deri në fund, me gjithçka që përmban, nuk mund të krahasohet me ahiretin dhe nuk vlen as sa një thërrmijë e ahiretit. E sa mendon njeriu se do të jetojë në këtë dynja?! E çfarë vendi ka jeta e njeriut në këtë dynja të përkohshme, që ai t’i japë një rëndësi kaq të madhe, duke e bërë atë si pikësynimin më të madh, pas së cilës duhet të rendë dhe të shpenzojë gjithçka të vyer që zotëron?! Ai rend, lodhet, përpiqet, punon, lufton dhe harxhon të gjitha forcat e veta thjesht e vetëm për të përmbushur kënaqësitë e jetës së shkurtër në dynja, por e kupton shpejt se ajo është e mbushur plot me dëshpërime, shqetësime, lodhje, rreziqe dhe fatkeqësi. Atëherë, me çfarë arsyetimi vazhdon t'i japë përparësi asaj kundrejt ahiretit, i cili është përmbledhësi i të gjitha begative dhe mirësive të përjetshme?! Për mirësitë e ahiretit, Profeti (a.s)ka thënë: "Atje ka gjithçka që e dëshiron shpirti dhe që kënaq syrin". Në ahiret besimtarët do të jenë të përjetshëm, duke u lumturuar pafundësisht mes mirësive dhe freskive të tij. Nuk mund t'i japë përparësi dynjasë kundrejt ahiretit dikush në zemrën e të cilit ka zënë vend drita e besimit të pastër në Allahun e Lartësuar. Askush me arsye të shëndoshë dhe mendje të pjekur nuk e bën këtë përzgjedhje kaq të ulët. Të urtët dhe të mençurit kurrë nuk do të zgjidhnin këtë dështim.[1] Në vijim, Allahu i Lartësuar kërcënon ata që nuk marrin pjesë në luftë, duke mos iu përgjigjur kushtrimit të Tij:
[1] Grada e lartë e dëshmorit në rrugë të Allahut. Ka thënë Profeti a.s.: “Betohem në Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, se çdonjë që plagoset në rrugë të Allahut, - dhe Allahu e di më mirë se kushdo se cili plagoset për hir të Tij, - kur të paraqitet Ditën e Gjykimit, ngjyra e plagës do të jetë si ngjyra e gjakut, ndërsa aroma e saj si aroma e miskut.” Tirmidhiu sjell një hadith të Profetit a.s.: “Nuk ka më të dashura për Allahun e Madhëruar sesa dy lloje pikash dhe sesa dy lloje pasojash: pika e lotit e derdhur nga frika ndaj Allahut të Madhëruar dhe pika e gjakut e derdhur në rrugë të Allahut; pasojat nga lufta në rrugë të Allahut dhe pasojat e mbetura gjatë kryerjes së një prej detyrave ndaj Allahut të Lartësuar.” Është transmetuar saktësisht prej Profetit a.s. se ai ka thënë: “Nuk ka ndonjë që vdes dhe për të cilin Allahu i Madhëruar ka përgatitur mirësi të mëdha, që të dëshirojë të kthehet në dynja, edhe nëse ia falin të gjithë dynjanë dhe ç’ka në të, përveç dëshmorit. Për shkak të mirësisë dhe të gradës së lartë të rënies dëshmor në rrugë të Allahut, ai e dëshiron kthimin në dynja që të vritet edhe një herë tjetër (për Allahun).” Ndërsa sipas dëshmie tjetër, thuhet: “Për shkak të nderimeve të mëdha që i bëhen dëshmorit në rrugë të Allahut, ai do të dëshironte të kthehej dhjetë herë në këtë jetë e të vritej në rrugë të Allahut.” Kur Ummu Haritheja, djali i të cilës u vra në luftën e Bedrit, e pyeti Profetin a.s. se ku ishte djali i saj, ai u përgjigj: “Të jesh e sigurt se ai është në gradën më të lartë të Firdeusit.” Profeti a.s. ka thënë: “Shpirtrat e dëshmorëve janë brenda disa zogjve të gjelbër dhe për ta janë vendosur kandilë të varur poshtë Arshit të Allahut të Madhëruar. Ata shëtisin ku të dëshirojnë në Xhenet, pastaj shkojnë e prehen tek ata kandila. Zoti i tyre i vështron ata dhe i pyet: “A dëshironi gjë tjetër?” Ata thonë: “E ç’mund të duam më tepër, kur ne shëtisim nëpër Xhenet ku të dëshirojmë?!” Zoti i tyre ua përsërit tri herë atë pyetje. Kur e shohin se me patjetër duhet të kërkojnë diçka, përgjigjen: “O Zoti ynë, ne dëshirojmë të na i kthesh shpirtrat në trupat tanë, në mënyrë që të mund të vritemi përsëri në rrugën Tënde.” Kur qartësohet se ata nuk kanë dëshira të tjera që duan t’u plotësohen, atëherë nuk pyeten më.” Gjithashtu Profeti a.s. ka thënë: “Allahu i Madhëruar e ka dalluar dëshmorin mbi të tjerët me disa privililegje:
- Do t’i falen të gjitha gabimet që në currilën e parë të gjakut që derdh;
- do t’i tregohet vendi i vet në Xhenet;
- do të zbukurohet me stolitë e imanit;
- do të martohet me hyritë e symëdha.
- do të ruhet e sigurohet prej ndëshkimit të varrit;
- do të jetë i qetë dhe i sigurt Ditën e Tmerrit të madh (Kijametit);
- mbi kokën e tij do të vendoset kurora e fisnikërisë dhe urtësisë, një smerald i së cilës është më e mirë se dynjaja dhe gjithë ç’ka në të;
- do të martohet me shtatëdhjetë e dy hyri sybukura;
- do t’i jepet leje të ndërmjetësojë për shtatëdhjetë të afërm të tij.” Këtë hadith e ka sjellë imam Ahmedi, ndërsa Tirmidhiu e ka vlerësuar si të saktë.
Profetit a.s. i drejtohet Xhabirit, birit të Abdullahit. “A dëshiron të të tregoj së çfarë i tha Allahu i Lartësuar babait tënd?” – “Po” – u përgjigj Xhabiri. Profeti a.s. i thotë: “Allahu i Lartësuar nuk i ka folur askujt pa një perde në mes, ndërsa babait tënd i foli drejtpërdrejt dhe pa ndërmjetës, duke i thënë: “O adhuruesi Im, kërko prej Meje ç’të duash, e Unë do ta jap!” – “O Zoti im, - i tha Abdullahi, - më kthe edhe një herë në jetë, që të vritem sërish për Ty” – “Por Unë e kam vendosur prerazi që askush nuk mund të rikthehet në dynja.” – “Atëherë, o Zoti im, tregoju atyre që kam lënë pas meje!” E kështu Allahu i Madhëruar zbriti ajetin: “Kurrë mos thoni për ata që bien dëshmorë në rrugën e Allahut: “Janë të vdekur”! Jo. Ata janë të gjallë te Zoti i tyre, duke u kënaqur. Ata janë të gëzuar me atë që u ka dhënë Allahu nga mirësia e Tij. Ata gëzohen edhe për ata që kanë lënë pas dhe që ende nuk u janë bashkuar radhëve të tyre (si dëshmorë), se për ta nuk do të ketë as frikë dhe as nuk kanë pse të brengosen. Ata janë të gëzuar me mirësitë dhe begatitë e Allahut. S’ka dyshim se Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve.” (Al Imran 169-171).”
Profeti a.s. ka thënë: “Vëllezërve tuaj që u vranë në Uhud, Allahu i Madhëruar ua vendosi shpirtrat në brendësi të disa zogjve jeshilë për të shëtitur e për të pirë nga lumenjtë e Xhenetit, si dhe për të shijuar frutat e tij. Pastaj ata shkuan të prehen në disa kandila prej floriri, të varur nën hijen e Arshit. Pasi i shijuan mirë frutat dhe pijet dhe pasi u prehën këndshëm në vendet e bukura dhe të mrekullueshme, ata thanë: “Ah, sikur vëllezërit tanë ta dinin së çfarë nderimi dhe pritjeje të mrekullueshme na dhuroi Zoti ynë! Kështu ata nuk do të heqin dorë kurrë nga lufta në rrugën e Allahut dhe kurrë nuk do t’ia përtojnë luftës dhe betejave.” Atëherë Allahu i Madhëruar i shpalli Profetit të Tij këtë ajet: “Kurrë mos thoni për ata që bien dëshmorë në rrugën e Allahut: “Janë të vdekur”! Jo. Ata janë të gjallë te Zoti i tyre, duke u kënaqur. Ata janë të gëzuar me atë që u ka dhënë Allahu nga mirësia e Tij. Ata gëzohen edhe për ata që kanë lënë pas dhe që ende nuk u janë bashkuar radhëve të tyre (si dëshmorë), se për ta nuk do të ketë as frikë dhe as nuk kanë pse të brengosen. Ata janë të gëzuar me mirësitë dhe begatitë e Allahut. S’ka dyshim se Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve.” (Al Imran 169-170).
Në “Musnedin” e imam Ahmedit, sillet një hadith i Profetit a.s.: “Shehidët ndodhen pranë një lumi të kulluar dhe vezullues pranë portave të Xhenetit. Ata ndodhen në një kube të gjelbër, ku mëngjes e mbrëmje u shkojnë furnizime prej Xhenetit.”
Thotë Profeti a.s.: “Akoma pa u tharë në tokë gjaku i dëshmorit, nxitojnë për tek ai dy gratë (hyritë) e tij. Ato duken si dy zogj që kanë humbur tufën e tyre në një tokë të hapur. Secila prej tyre mban në dorë një veshje të bukur, e cila është më e mirë se e gjithë dynjaja e ç’ka në të.
Në “Mustedrak” dhe te Nesaiu është hadithi i Profetit a.s.: “Të vritem në rrugën e Allahut është shumë më e dashur për mua sesa të kem nën pushtetin tim të gjithë botën.” Në po të njëjtat libra transmetohet se: “Shehidi në momentin e vrasjes nuk ndien më shumë dhimbje sesa dikush që pickohet me dorë.”
Në “Sunen” citohet: “Dëshmori do të ndërmjetësojë për shtatëdhjetë pjesëtarëve të shtëpisë së tij.”
Në “Musned” thuhet: “Dëshmorët më të mirë janë ata që, kur ballafaqohen me armikun në front, nuk e kthejnë mbrapsht kokën e tyre, derisa të vriten. Këta janë ata që lodrojnë e kënaqen nëpër ndërtesat më të larta të Xhenetit, dhe të cilëve Zoti iu buzëqesh. Të jesh i sigurt se, për atë që Zoti i ka buzëqeshur në këtë dynja, nuk ka për të pasur llogari.
Në “Musned” gjithashtu thuhet: “Dëshmorët janë në katër grada:
1. Burrat besimtarë me besim të fortë, të cilët përballen me armikun dhe, duke qëndruar besnikë ndaj Allahut, luftojnë derisa vriten. Këta janë ata drejt të cilëve njerëzit ngrenë kokat për t’i parë. (Profeti a.s. e ngriti kokën lart, sa i ra përtokë edhe takija e tij).
2. Burrat besimtarë me besim të fortë, të cilët kur përballen me armikun, u ngjethet trupi nga frika a thua se u është shpuar lëkura me gjemba, dhe ndërkaq një shigjetë pa adresë, qorre, i godet dhe i vret. Këta janë në gradën e dytë.
3. Burrat besimtarë me besim të fortë, por që kanë përzier vepra të mira dhe vepra të këqija, të cilët përballen me armikun dhe, duke i qëndruar besnikë Allahut, luftojnë derisa vriten. Këta janë në gradën e tretë.
4. Burrat besimtarë që e kanë tepruar shumë ndaj vetes me gabime, të cilët përballen me armikun dhe, duke i qëndruar besnikë Allahut, luftojnë derisa vriten. Këta janë në gradën e katërt.”
Në “Musned” dhe në “Sahihun” e Ibn Hibanit gjendet hadithi: “Të vrarët janë tri llojesh:
1. Besimtarët që luftojnë me pasurinë dhe shpirtin e tyre në rrugë të Allahut, takojnë armikun, luftojnë dhe vriten. Këta janë dëshmorët e përzgjedhur për t’u futur në ndërtesat që Allahu ka përgatitur poshtë Arshit të Tij. Vetëm profetët qëndrojnë një gradë më lart se ata, për shkak të gradës së profetësisë.
2. Besimtarët që kanë frikë e ankth për veten, për shkak të gjynaheve e gabimeve, dhe që dalin e luftojnë në rrug të Allahut me pasurinë dhe veten e tyre derisa takojnë armikun, luftojnë dhe vriten. Kjo luftë shërben për pastrimin e tyre nga gjynahet dhe gabimet. Pa dyshim se shpata është fshirësja e gabimeve. Këta do të futen në Xhenet nga cila portë të dëshirojnë. Xheneti ka tetë dyer, kurse Xhehenemi shtatë. Portat e Xhenetit janë njëra më e mirë se tjetra.
3. Munafikët që dalin me pasurinë dhe veten e tyre, ballafaqohen me armikun dhe luftojnë derisa vriten. Këta do të futen në Zjarr. Shpata nuk mund ta fshijë hipokrizinë.”
Përcillet saktësisht prej Profetit a.s. se: “Allahu i Madhëruar ka vendosur që kurrë nuk mund të bashkohen qafiri dhe vrasësi i tij në Zjarr.”
Është pyetur njëherë Profeti a.s. se cili xhihad është më i miri, dhe ai ka thënë: “I atij që lufton idhujtarët me pasurinë dhe me veten e tij.” E pyetën sërish: “Po cila vdekje në rrugën e Allahut është më e mira?” Ai u përgjigj: “E atij të cilit i derdhet gjaku dhe i vritet kali në rrugë të Allahut.”
Në “Sunenin” e Ibn Maxhes shënohet: “Pa dyshim, xhihadi më i madh është: të thuash fjalën e drejtë në prani të një sunduesi kriminel e të pashpirt.” Ky hadith përmendet tek imam Ahmedi dhe Nesaiu, por zinxhiri i tij shkon deri te sahabët (pra është i gradës mursel).
Përcillet saktësisht prej Profetit a.s. se: “Pa dyshim, në mënyrë të vazhdueshme, një grup nga umeti im, do të vazhdojë betejën dhe luftën për hir të së vërtetës. Ata nuk mund t’i dëmtojnë dot as tradhtarët dhe as kundërshtarët e tyre, derisa të vijë Kijameti.” Dhe sipas një transmetimi tjetër, qëndron: “…derisa i fundmi i tyre do të luftojë kundër Dexhalit.” – Zad el mead vëll 3.