Përse nuk pati ndonjë vend, banorët e të cilit të besonin dhe t’u bënte dobi besimi i tyre, përveç popullit të Junusit? -
Kështu, nuk ka pasur ndonjë popull që ka mohuar profetët dhe që ka besuar në momentet e përjetimit të ndëshkimit, dhe t'i ketë bërë dobi ky besim. Allahu i Madhëruar na tregon rreth Faraonit: "Faraoni tha: “Besoj se nuk ka zot tjetër veç Atij që i besojnë benu israilët! Edhe unë jam musliman!” [Junus 90] Por atij iu tha: "Vallë, tani po beson, ndërsa më parë kundërshtoje dhe ishe shkatërrimtar?!" [Junus 91]. Gjithashtu, i Lartësuari ka thënë: "Dhe kur e panë Dënimin Tonë, thanë: “Ne i besojmë Allahut, që është Një dhe i mohojmë ata që i adhuronim veç Tij”. Por besimi i tyre pasi panë dënimin Tonë, nuk u bëri dobi. I tillë është ligji i Allahut që ka vepruar ndër robërit e Tij. Dhe kështu u shkatërruan mohuesit e Allahut.” [Gafir 84, 85]. Po ashtu: "E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që shpërfilla!” Jo, kurrsesi!” [Muminun 99].
Kur ata besuan, Ne ua larguam dënimin poshtërues në jetën e kësaj bote dhe i lejuam të jetojnë deri në një afat të caktuar. -
Urtësia e këtij vendimi nga Zoti i Gjithpushtetshëm dhe i Urtë është shumë e qartë dhe e kuptueshme. Imani i imponuar nuk është si imani me përzgjedhje të lirë. Ai nuk është iman i vërtetë. Njeriu që beson i detyruar nga kushtet, kur largohen kushtet që e detyrojnë të besojë, menjëherë ai kthehet në mosbesim. Ky është rregulli i përgjithshëm i Zotit: Imani nuk të vlen nëse ndëshkimi ka filluar të zbresë. Përjashtim bën vetëm rasti i popullit të Junusit. Allahu na njofton se atyre u bëri dobi imani, edhe pse filluan të besonin veçse pasi vunë re shenjat e para të ndëshkimit. Ai thotë: "Kur ata besuan, Ne ua larguam dënimin poshtërues në jetën e kësaj bote dhe i lejuam të jetojnë deri në një afat të caktuar." Sigurisht që edhe ky përjashtim për këtë popull ka ndonjë urtësi tek i Gjithëdijshmi që ne nuk e dimë; dhe arsyeja jonë nuk arrin ta kapë. Thotë i Madhëruari: "Edhe Junusi ishte një nga të dërguarit Tanë. Ai hipi në një anije, që ishte e mbushur plot (me njerëz), dhe mori pjesë në një short, por humbi (ndaj e hodhën në det). Atë e gëlltiti peshku dhe e meritoi qortimin. Sikur ai të mos kishte qenë prej atyre që e përmendin shumë Zotin, do të mbetej në barkun e tij (peshkut) deri Ditën e Ringjalljes. Ne e nxorëm atë në një tokë pa bimë (shkretëtirë), ashtu të sëmurë. Megjithatë, bëmë që të mbijë aty për të një bimë kungulli. Ne e dërguam atë te njëqind mijë e më shumë veta, dhe ata i besuan. Ne i lamë ata të jetonin deri në afatin e caktuar." [Safat 139 – 148]. Ndoshta urtësia është se Allahu e dinte që populli i Junusit, nëse do t’u jepej mundësia të jetonin e besonin pas ndëshkimit, ata nuk do të ktheheshin më pas në mohim. Ndërsa popujt e tjerë, edhe nëse do të ktheheshin e t’u jepej mundësia të besonin, ata nuk do të vazhdonin më në besim. Është i Gjithëdituri Ai që gjykon për çdo çështje.