Allahu i Madhëruar i drejtohet Profetit në radhë të parë, dhe pastaj të gjithë atyre që janë trashëgimtarë të tij, me një porosi të vyer:
Tregoju atyre shembullin e jetës së kësaj bote! -
Jepu njerëzve një shembull të qartë të kësaj bote, që ata ta kuptojnë drejt atë. Duke medituar, ata do të arrijnë të shohin qartë edhe thelbin e kësaj bote. Nëse bëjnë një krahasim të saktë mes kësaj jete dhe jetës së përtejme, do t’i japin përparësi asaj që vërtet e meriton.
Ajo është si uji që Ne e lëshojmë nga qielli dhe bima e tokës e thith atë. -
Kjo botë është si ai shiu i dendur që bie në tokë dhe përthithet me etje nga bimët e saj. Kështu, në tokë çelin larmi lulesh e bimësh. Në këtë gjendje, ajo i kënaq ata që e shohin dhe që presin prodhim prej saj. Madje, ajo tërheq edhe vëmendjen e më të shkujdesurve. Por vjen një çast dhe asaj i ndodh diçka, që duhet të na bëjë të mendojmë mirë. Zoti thotë:
Por më pas ajo bëhet si bar i thatë, që e shpërndajnë erërat. Allahu ka fuqi për gjithçka. -
Në çast, gjithë ajo bimësi e lule të bukura zhduken, toka shkretohet e mbushet me dhé e pluhur, me pamje të shëmtuar. Zemra ndihet e vetmuar dhe e trishtë kur sheh këtë panoramë pa jetë. E tillë është jeta e kësaj bote. Njeriu vetëkënaqet me rininë dhe forcën e tij në një fazë të caktuar. Ai ndien shijen dhe rëndësinë e floririt dhe argjendit dhe jepet pas kënaqësive të kësaj jete. Kështu fillon kjo botë t’ia verbojë pak e nga pak zemrën, derisa ai harrohet pas dëshirave të epshit, të cilat bëhen gjithmonë e më të pangopura. Ky i mjerë mendon se kështu do të vazhdojë e gjithë jeta e tij në këtë botë. Por vjen një ditë dhe ai befasohet nga vdekja ose nga humbja e pasurisë. Kjo ia torturon zemrën dhe ia largon tërësisht kënaqësinë dhe gëzimin. Në këtë moment, ai i harron të gjitha kënaqësitë e tij të dikurshme. Çdo ditë që kalon, ai plaket dhe zemra e tij dëshpërohet. Ai ndihet i vetmuar kur sheh se si po fanitet rinia e tij, si po humbet pasuria e tij. Kështu, ai mbetet i vetmuar me veprat e tij, të mira apo të këqija qofshin. Kur largohet nga kjo botë, zullumqari kafshon duart e veta, pasi kupton se ku po shkon, duke dashur dëshpërimisht që të kthehet në këtë botë. Ai dëshiron të kthehet, jo për të plotësuar dëshirat dhe kënaqësitë e tij, por që të arrijë të kompensojë adhurimet e braktisura dhe atë çfarë kërkohej prej tij në këtë botë. Ai dëshiron që t’i jepet mundësia të pendohet dhe të bëjë vepra të mira. Për këtë arsye, ai që është i urtë, me logjikë të pastër, që ka vullnet të mirë për të gjetur udhëzimin dhe nëse Zoti ia bën mbarë, fillon dhe e mendon këtë çështje. Ai i thotë vetes: “Mendoj se ti tashmë po vdes, - dhe pa dyshim që do të vijë ajo ditë që të gjithë do të vdesin, - atëherë çfarë do të preferoje për veten? A do të parapëlqeje, vallë, vetëmashtrimin me jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj? A do të dëfreheshe e bëje qejf, ashtu siç kënaqen bagëtitë dhe egërsirat? Apo do të preferoje jetën në atë vend të mrekullueshëm, ku ushqimi dhe hijet e freskëta janë të përhershme? Atje ka çfarë syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe as mendja nuk ka shkuar e as përfytyruar. Atje ka çdo gjë që kënaq syrin dhe lumturon zemrën. Kështu dallohet, a e shikon njeriu realitetin apo vazhdon të jetë i verbër; a është duke fituar apo duke humbur? Shiko, o rob i Zotit, se kujt i jep përparësi dhe kujdes me zgjedhjen që bën!