Dhe kujtoni kur Allahu e sprovoi Ibrahimin me disa urdhërime, dhe ai i përmbushi ato, … -
Në këto ajete, Allahu i Lartësuar na flet rreth Profetit dhe të dashurit të Tij, Ibrahimit (a.s.), për gradën e lartë të të cilit pajtohen të gjithë njerëzit. Të gjitha grupet fetare pretendojnë se janë pasues të tij: çifutët, të krishterët, madje edhe politeistët. Allahu i Lartësuar e sprovoi atë me disa fjalë, pra, me disa dispozita. Ai e sprovoi duke e ngarkuar me disa urdhra dhe duke e ndaluar me disa ndalesa. Në këtë mënyrë i ka sprovuar njerëzit Allahu i Lartësuar gjithmonë, për t'u dalluar i sinqerti dhe gënjeshtari. Përballë sprovave, gënjeshtari poshtërohet sepse ai thyhet para tyre dhe nuk tregon durimin e kërkuar prej Allahut. Nga ana tjetër, i sinqerti lartësohet dhe nderohet, sepse qëndron i palëkundur dhe i duruar. Veprat e tij të mira tregojnë sinqeritetin që fshihet në zemrën e tij. Ndër të përzgjedhurit më të mirë është Ibrahimi (a.s.), i dashuri i Zotit të botëve. Ai e çoi në vend amanetin e ngarkuar prej Zotit të tij. Ai i plotësoi me përpikmëri të gjitha dispozitat e ngarkuara. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e shpërbleu përkushtimin e lartë që ai kishte, saqë edhe sot e kësaj dite vazhdon të ndihet ky shpërblim. I Madhëruari thotë:
Ai (Allahu) tha: “Unë po të bëj ty imam të njerëzimit.” -
Allahu i Lartësuar e bëri Ibrahimin (a.s.) udhëheqës të njerëzimit. Kështu, fjalët që Allahu i Lartësuar i thotë atij kanë këtë kuptim: “Të gjithë duhet të ndjekin udhëzimin dhe rrugën tënde. Të gjithë duhet të ecin pas teje, pas gjurmëve të tua, për të arritur lumturinë e përjetshme. Kjo do të jetë fama dhe lavdia jote ndër breza. Të gjithë do të të duan dhe do të të respektojnë. Ky do të jetë shpërblimi yt në përjetësi.” Betohem në Allah se kjo është grada më e lartë, për arritjen e së cilës punojnë garuesit dhe ata që përpiqen. Ajo qe shkalla më e lartë, të cilën e arritën profetët më të shquar dhe pasuesit e denjë të rrugës së Allahut. Atë shkallë e kanë synuar të gjithë ata që ftuan njerëzimin në rrugën e lumturisë. Ibrahimi (a.s.), pasi u gëzua me këtë gradë që ia dhuroi atij Zoti i gjithësisë, e dëshiroi atë edhe për pasardhësit e tij:
Ai tha: “Edhe prej pasardhësve të mi (bëj të tillë)!” -
Pra, e kërkoi një gradë të tillë edhe për pasardhësit e tij, që të lumturoheshin më tepër edhe ai, edhe ata. Ky është një tregues tjetër i madhështisë së këtij Profeti, i cili kërkonte të mirën për njerëzimin, duke e dëshiruar me ngulm udhëzimin e tyre në rrugën e drejtë. Ai dëshironte që të shtoheshin të mirët dhe të udhëzuarit. I lavdëruar qoftë Allahu i Lartësuar, për këta njerëz që ka krijuar dhe për këta gjigandë që ka sjellë në jetë! Më pas, Allahu i Ditur dhe i Mëshirshëm i përgjigjet, duke thënë:
Tha (Allahu): “Premtimin Tim nuk mund ta gëzojnë të padrejtët.” -
Kuptimi: Statusin e udhëheqësit të botës dhe të udhëzuesit të saj në rrugën e drejtë nuk do ta meritojnë ata që janë të padrejtë, zullumqarë. Çdokush që e dëmton vetveten duke kryer padrejtësi, nuk ka për ta aritur kurrë atë gradë të lartë, sepse janë dy gjëra krejt të kundërta. Ajo mund të arrihet veçse me dy cilësi: me durim dhe me siguri. Durimi duhet për zbatimin e ligjeve hyjnore, ndërsa siguria, e cila ndërtohet mbi diturinë e vërtetë dhe të saktë, sjell qetësinë dhe shpresën e fortë në premtimin e Allahut. Kësisoj, kjo gradë kërkon besim të lartë, vepra të mira, cilësi të bukura të moralit, drejtësi, dashuri totale vetëm për të Madhëruarin, frikë ndaj Tij dhe rendje pas çdo gjëje që e kënaq Atë. E si mund t'i afrohet kësaj grade, i padrejti ndaj vetvetes dhe ndaj gjithçkaje që e rrethon?! I padrejti as që mund ta mendojë këtë lloj nderimi. Nëse e shohim ajetin anasjelltas, kuptojmë se kush nuk është i padrejtë do ta arrijë këtë gradë. Me fjalë të tjera, pasojat kanë nevojë për shkaqet, dhe kjo gradë nuk mund të arrihet pa realizuar shkaqet që e sjellin atë. Pastaj Allahu i Lartësuar na sjell një shembull, që shpjegon përse Ibrahimi (a.s.) ishte prijësi i njerëzimit. Është pikërisht Shtëpia e Lashtë, Qabja, e cila u rindërtua nga Ibrahimi (a.s.). Vizita e saj përbën një nga shtyllat mbi të cilat ngrihet Islami dhe një nga mënyrat më të mira për fshirjen e gjynaheve dhe faljen e tyre nga Allahu i Lartësuar. Në të ndodhen gjurmët e të dashurit të Allahut, Ibrahimit (a.s.), dhe të pasardhësve të tij. Më tej, i Madhëruari thotë: