Në këto ajete, Allahu i Lartësuar na kujton se dispozita për Kiblën, plotësimi i begative të Tij ndaj nesh dhe udhëzimi në rrugën e drejtë nuk janë as mirësitë e para e as të fundit që Ai u ka falur adhuruesve të Tij.
Ja kështu Ne dërguam mes jush një profet nga gjiri juaj, -
Pra, mirësitë e lartpërmendura janë të ngjashme me mirësinë e dërgimit të një Profeti nga mesi juaj. Allahu i Lartësuar kujdeset për adhuruesit e Tij, duke u falur mirësitë themelore në fillim dhe duke vazhduar më tej me mirësitë plotësuese. Më e madhja mirësi ishte pikërisht përzgjedhja e një Profeti nga mesi i tyre. Ai zgjodhi një Profet, të cilit ata ia dinin prejardhjen dhe përkatësinë farefisnore. Kështu, ata ishin të sigurt për sinqeritetin dhe pastërtinë e tij si njeri, pasi ata e njihnin atë si besnik, të ndershëm, të moralshëm dhe të urtë. Po përse u dërgua ai Profet? Thotë i Lartësuari:
…që t’ju lexojë ajetet Tona… -
Domethënë, t'ju kumtojë ajetet kur’ânore dhe çdo fjalë tjetër të sjellë prej Allahut. Shpjegimi: Profeti i fundit ju kumton juve gjithçka, nëpërmjet së cilës ju do të dalloni të vërtetën nga e kota. Nëpërmjet Shpalljes, ju do të dalloni rrugën e drejtë nga e gabuara. Shpallja hyjnore ju sqaroi fillimisht njëshmërinë e Allahut dhe faktin se Ai është i Vetmi që meriton adhurimet tuaja. Nëpërmjet saj, ju u siguruat plotësisht rreth sinqeritetit dhe vërtetësisë së Profetit të Zotit dhe e kuptuat domosdoshmërinë e besimit dhe të pasimit të rrugës së tij. Po nëpërmjet Shpalljes, ju mësuat ligjin e jetës, të cilin duhet ta zbatoni derisa të takoni Krijuesin tuaj. Ajo ju njohu me gjithçka që ju pret pas vdekjes dhe ju nxiti të punoni për Ditën e Premtuar. Ajo ju pajisi me jaķîn-in, me sigurinë e plotë në premtimin e Zotit, e cila është nxitësja e çdo të mire. Më tej:
…që t’ju pastrojë -
T’ju pastrojë moralin nga çdo cilësi e ulët dhe shpirtin nga çdo gjë e keqe. Allahu do t’ju pastrojë nga idhujtaria, dhe do t’jua mbushë zemrën me teuhid, fillimisht, pastaj do t'ju pastrojë nga cilësitë e këqija, dhe do t’ju pajisë me virtyte të larta. Këto do të bëhen nëpërmjet Profetit dhe mësimeve të tij. Allahu do t’ju nxjerrë nga idhujtaria në teuhid, nga mashtrimi në sinqeritet, nga tradhtia në besnikëri, nga mendjemadhësia në modesti, nga morali më i ulët në moralin më të lartë. Ai do t’ju shpëtojë nga armiqësia dhe urrejtja që keni ndaj njëri-tjetrit, dhe do t’ju fusë në miqësi dhe dashuri mes jush. Mirësi tjetër që Allahu i Lartësuar u bëri adhuruesve nëpërmjet Vulës së profetëve, ishte edhe mësimi i Librit dhe Urtësisë, siç thotë Ai:
…t’ju mësojë Librin dhe Urtësinë -
Libri është Kur’âni. Domethënë, Profeti do t’ju mësojë të lexoni Kur’ânin dhe të kuptoni brendinë e tij. Por ai do t’ju mësojë edhe atë që quhet ĥikmet-in, domethënë urtësinë. Siç kanë thënë disa dijetarë, qëllimi me këtë fjalë është Suneti ose Tradita profetike. Ndërsa disa të tjerë janë të mendimit se fjala “ĥikmet” nënkupton hollësitë e Sheriatit të zbritur nga Allahu i Lartësuar. Kështu, sipas tyre, kuptimi është: Nëpërmjet Profetit, ju do të aftësoheni që, përveç kuptimit të Kur’ânit dhe të Sunetit, të cilët përfshihen në fjalën “Libër”, ju do të mësoni edhe imtësitë e ligjit hyjnor, duke i dhënë çdo gjëje vendin e vet. Me kuptimin e dytë, fjala ‘Libër’ përfshin Kur’ânin dhe Sunetin. Edhe kjo mundësi është e saktë, sepse Tradita profetike është plotësuese dhe shpjeguese e Kur’ânit.
…dhe t’ju mësojë atë që nuk e dini -
Para ardhjes së Profetit të fundit, njerëzit ishin të paditur dhe në humbje të thellë. Ata nuk e njihnin të vërtetën dhe as nuk punonin sipas saj, prandaj çdo mësim i vyer dhe çdo vepër e mirë që ka arritur ky umet, është rezultat dhe fryt i ardhjes së Profetit të nderuar. Profeti (a.s) është mirësia më e madhe që Allahu i Lartësuar u ka falur adhuruesve të Tij, e cila e bën të detyrueshme mirënjohjen e tyre ndaj Tij. Më tej, i Madhëruari thotë: