Atë Ditë ata do të shkojnë pas thirrësit e nuk do të mund t'i largohen atij. - Kjo do të ndodhë Ditën e Kijametit, kur njerëzit do të dalin nga varret dhe do të qëndrojnë në këmbë. Një zë do t’i thërrasë për t’u mbledhur në vendin e tubimit, pas ringjalljes. Të gjithë, pa përjashtim, do ta ndjekin atë zë, duke mos kthyer kokën as majtas, as djathtas. Të gjithë si të shtangur do ta ndjekin atë zë, duke shkuar drejt tij. Askush nuk mund ta shtrembërojë atë thirrje, e cila do të jetë e qartë dhe e kuptueshme nga të gjithë. Të gjithë do ta dëgjojnë thirrjen dhe do të tubohen në vendin e grumbullimit. Zërat e tyre janë të mekur, nga frika e madhe prej Rrahmanit.
Të gjitha zërat do të ulen para të Gjithëmëshirshmit dhe nuk do të dëgjohet asgjë përveçse pëshpërimë. - Do të dëgjohen vetëm zhurmat e këmbëve, që nxitojnë drejt vendtubimit. Nga frika, lëvizin vetëm buzët. Ata i ka pushtuar tërësisht tmerri, prandaj rrinë të heshtur për të pritur gjykimin e Rrahmanit për ta. Fytyrat janë të përulura dhe të frikësuara. Në atë vend do t’i shohësh të gjithë bashkë: të pasur e të varfër, burra e gra, të lirë e skllevër, mbretër e varfanjakë, të gjithë të heshtur, me sy të zgurdulluar nga frika. Qafën do ta mbajnë të përkulur dhe do të qëndrojnë ulur në gjunjë. Ata nuk e dinë se çfarë do të bëhet me ta. Çdokush mendon për veten e vet atë ditë, dhe aspak për të tjerët, madje as për prindërit, as për vëllezër e motra, për të dashur e shokë, siç thotë Allahu: “Kur të vijë ushtima, është dita kur njeriu ikën prej vëllait të vet, prej nënës dhe prej babait të vet, prej gruas dhe prej fëmijëve të vet. Atë ditë, çdo njeriu i mjafton çështja e vet.” [Abese 33 – 37]. Atë ditë, mbi ta do të gjykojë Gjykatësi i Drejtë, që jep drejtësi absolute. Bamirësit do t’i shpërblejë me bamirësinë dhe bujarinë e Tij, ndërsa punëkëqijtë do t’i shpaguajë me drejtësi dhe do t’i privojë nga mirësitë e Tij. Shpresa është e madhe që Zoti Bujar, i Gjithëmëshirshëm dhe Mëshirëplotë t’u tregojë atë ditë krijesave, bamirësinë dhe bujarinë e Tij të madhe. Pritet që Ai të shfaqë faljen dhe mirësinë e Tij, duke mbuluar gjynahet e besimtarëve. Aq të mëdha do të jenë falja, mëshira dhe bujaria e Allahut, saqë nuk mund ta shprehin fjalët dhe nuk mund ta përfytyrojë asnjë krijesë. Duke parë mëshirën e madhe të Zotit, të gjithë krijesat do të shpresojnë. Por Allahu do t’i veçojë me mëshirën e Tij besimtarët. Nëse dikush kërkon arsyen pse mendojmë kështu, u themi se ne e dimë mirë që mëshira e Allahut ia kalon zemërimit të Tij. Ne e dimë se mirësia e Tij është e gjerë dhe ka përfshirë të gjitha krijesat, gjë që ne e shohim në veten tonë dhe në botën që na rrethon. Allahu na ka dhuruar mirësi që në këtë jetë, e më shumë Ditën e Kijametit. Allahu i Madhëruar thotë: “Zëri do të ulet para të Gjithëmëshirshmit...", por thotë gjithashtu: “... Ai është i Gjithëmëshirshmi, të Cilit askush nuk mund t’i bëjë vërejtje. Atë ditë, Xhibrili dhe melekët do të qëndrojnë të rreshtuar. Askush nuk mund të flasë, veç atij që e lejon i Gjithëmëshirshmi dhe që thotë të vërtetën.” [Nebe'e 37, 38]. Ose: “Atë ditë, i tërë pushteti është në dorë të Rrahmanit.” [Furkan 25]. Nga ana tjetër, Profeti (a.s) ka thënë: “Allahu ka njëqind mëshira dhe në Tokë ka zbritur vetëm një mëshirë mes robërve . Prej kësaj mëshire, ata tregohen të butë e të mëshirshëm me njëri-tjetrin, aq sa edhe kafsha e ngre me butësi putrën, për ta ruajtur të voglin e saj se mos e shkelë. Kur të jetë Dita e Kijametit, Ai do ta bashkojë këtë mëshirë me 99 të tjerat, për të mëshiruar robërit e Tij.” Gjithashtu, Profeti (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu është më i mëshirshëm për robin sesa nëna për fëmijën e saj.” Për mëshirën e Allahut mund të flasësh gjatë e, megjithatë, ajo është shumë më e madhe sesa mund ta përshkruash. Çfarëdo që të përfytyrosh, mëshira e Zotit është shumë më e madhe se ajo. I lartësuar dhe i lavdëruar qoftë Ai, që mëshiron edhe kur bën drejtësi me ndëshkimin e Tij, ashtu siç mëshiron kur dhuron mirësitë e Tij! I lartësuar qoftë Ai, mëshira e të cilit ka përfshirë çdo gjë dhe mirësia e Tij është shtrirë në çdo gjallesë! Sa i madhëruar dhe sa jonevojtar është Allahu! Sa të varfër e nevojtarë janë krijesat për mëshirën e Tij në çdo kohë dhe në të gjitha gjendjet e tyre. Për asnjë çast ata nuk mund të jenë të pavarur nga Ai.