Më pas Ne dërguam Musanë dhe vëllanë e tij Harunin me mrekullitë dhe Argumentet tona të qarta, te Faraoni dhe rrethi i tij. Por ata u treguan kryeneçë, sepse ishin popull arrogant. -
Musai, i biri i Imranit, është ai të cilit i foli vetë Rrahmani. Haruni ishte vëllai i Musait, të cilin Zoti e bëri profet pas kërkesës së Musait dhe lutjes për këtë. Allahu i Madhëruar i dërgoi ata me mrekulli dhe argumente të qarta, që provonin vërtetësinë e tyre si profetë të dërguar nga Zoti dhe për vërtetësinë e mesazhit hyjnor që ata përcollën. Allahu i Madhëruar i pajisi ata me “sultanun mubin” - domethënë, me argument të qartë, të prerë e të pakundërshtueshëm. Ai lloj argumenti i nënshtronte shpirtrat, nga fuqia e madhe ndikuese në to. Zemrat e besimtarëve nënshtroheshin për adhurimin e Zotit dhe zbatimin e Ligjit të Tij. Ndërsa mohuesit arrogantë nuk kishin justifikim para Zotit për refuzimin e tyre. Kjo i ngjan fjalës së Zotit, kur thotë: "Ne i dhamë Musait nëntë shenja (mrekulli) të qarta." [Isra 101]. Për këtë arsye, kryemohuesi dhe kreu i të gjithë arogantëve, Faraoni, e njohu të vërtetën, por dhe e mohoi atë, edhe pse i sigurt për vërtetësinë e saj. I Lartësuari thotë: "Pyeti (o Muhamed) bijtë e Izraelit, për ngjarjen kur ai (Musai) ishte mes tyre dhe Faraoni i tha: “O Musa, unë mendoj se ti je i magjepsur.” Por Musai i tha: “Ti e di me siguri të plotë se ato (mrekullitë) nuk i zbriti askush tjetër përveç Zotit të qiejve e të Tokës. Ai i zbriti ato të dukshme, e unë besoj, o Faraon, se ti je i shkatërruar!” [Isra 101, 102]. Gjithashtu, thotë i Madhëruari: “Ata i mohuan ato (argumentet) në mënyrë të padrejtë e me mendjemadhësi, edhe pse ishin të bindur dhe të sigurt në to (se ishin nga Zoti). Shikoje atëherë, se cili ishte fundi i shkatërrimtarëve!” [Neml 14]. Ndërsa këtu thotë: “Ne dërguam Musain dhe vëllanë e tij Harunin me mrekullitë dhe argumentet tona të qarta, te Faraoni dhe rrethi i tij...”. Pra, e dërgoi tek Faraoni, Hamani e të tjerë krerë të mohimit. Por ata u treguan kryeneçë. Ata treguan mendjemadhësi dhe arrogancë, prandaj refuzuan besimin në Allahun dhe t’u bindeshin profetëve të Tij. Kështu i përshkruan ata Allahu i Madhëruar, kur thotë: “...por ata u treguan kryeneçë..." Ky ishte përshkrimi i vërtetë i tyre. Ata ishin popull arrogant e kryeneç. Tirania e padrejtësia, shkatërimi i tokës, mizoria e shtypja e njerëzve ishte tipar i pandashëm i tyre, prandaj edhe u treguan kryeneçë ndaj së vërtetës. Ky përshkrim nuk është aspak i tepruar për ta, sepse në vijim Zoti thotë: "... ishin popull arrogant." Me arrogancë dhe të dehur nga mendjemadhësia e pushteti i tyre, duke manipuluar mendjet e pasuesve të tyre injorantë e me logjikë të dobët, ata thanë: