Allahu u ka premtuar atyre që besuan dhe bënë vepra të mira se do t’i bëjë sundues në tokë, ashtu si i pati bërë sundues ata (besimtarë të mirë) që ishin para tyre. Ai do ta forcojë fenë - atë që Ai e ka zgjedhur për ta - , dhe në vend të frikës do t’u dhurojë siguri dhe paqe. Ata më adhurojnë vetëm Mua e nuk më shoqërojnë askënd e asgjë. -
Ky është një nga premtimet e Zotit, që është sigurisht i vërtetë dhe që Ai e ka përmbushur. Ai është realizuar dhe dëshmuar shumë herë në këtë botë. Ai u ka premtuar atyre që e plotësojnë imanin dhe veprat e mira sipas tij, se do t’i bëjë sundimtarë në tokë, që të jenë ata udhëheqësit që do të vijnë njëri pas tjetrit e brez pas brezi. Ai u ka premtuar që do të jenë ata që do të kenë në dorë të mirat dhe begatitë e tokës. Ai do t’ua mundësojë zbatimin e fesë që ka pëlqyer për ta, pra, të fesë islame, e cila ka triumfuar mbi të gjitha fetë. Allahu e zgjodhi Islamin si fenë e Tij për këtë umet të veçantë për vetë vlerat, mirësitë dhe gradën e lartë të kësaj feje, si dhe për ta plotësuar e përkryer mirësinë e Tij ndaj këtij umeti. Ai do t’u mundësojë atyre që besojnë sinqerisht dhe saktë dhe që bëjnë vepra të mira, që ta zbatojnë lirisht këtë fe madhështore. Allahu do t’u mundësojë që t’i plotësojnë dispozitat e saj. Ai do t’u mundësojë që t’i plotësojnë detyrimet fetare, qoftë ato të fshehurat, qoftë ato të shfaqurat, qoftë për veten e tyre, qoftë për të ftuar të tjerët. Pasuesit e çdo besimi tjetër ose mohuesit do të jenë të mposhtur e të nënshtruar para muslimanëve. Allahu i Madhëruar u premton besimtarëve të mirë se do t’ua zëvendësojë frikën me siguri e paqe. Nëse besimtarët e mirë jetojnë në kohëra frike e terrori, ndonjë prej tyre nuk mund ta shfaqë haptas besimin e vet, sepse vuan dhe heq mundime të shumta nga jobesimtarët. Gjithashtu, ndodh që xhemati i muslimanëve të jetë i vogël, në krahasim me të tjerët. Madje ndodh që e gjithë bota të mblidhen kundër tyre për t’i luftuar, duke kaluar çdo kufi në mizori e padrejtësi. Kështu, Allahu u premton besimtarëve të Tij të sinqertë se, nëse besojnë drejt e punojnë sinqerisht sipas këtij besimi, Ai do t’ua largojë këtë frikë që i rrethon dhe do ta largojë padrejtësinë e botës kundër tyre. Mendohu pak me kujdes! Kur Allahu i Lartësuar bëri këto premtime në këtë ajet, në atë kohë asgjë nga këto nuk ishte realizuar dhe muslimanët akoma nuk ishin bërë udhëheqës, madje as nuk mund ta shfaqnin fenë e tyre haptasi. El temkin është kompletimi e shfaqja e fesë islame me të gjitha shenjat e simbolet e saj, në siguri të plotë dhe paqe. Domethënë, kjo është mundësia për ta adhuruar Allahun si Një të vetëm e të Pashoq, duke mos iu frikësuar askujt tjetër. Brezi i parë i këtij umeti punoi për kompletimin e imanit dhe me punë të sinqerta sipas tij, duke u ngritur shumë lart mbi të gjithë popujt e tjerë, prandaj Allahu i lartësoi mbi të gjithë popujt dhe i bëri sundues dhe mbretërues të tyre. Ata çliruan lindjen dhe perëndimin e botës. Ata përhapën paqen e qetësinë nëpërmjet teuhidit dhe adhurimit të Zotit, duke ngritur lart simbolet e shenjtëritë e Tij. Kjo ishte një përmbushje e plotë e premtimit të Allahut dhe një shenjë e jashtëzakonshme që Ai i dha njerëzimit. Ky premtim do të vazhdojë deri në Kijamet dhe do të përmbushet sa herë që muslimanët e jetësojnë fenë dhe e përkryejnë imanin dhe veprat e mira. Nëse ata besojnë dhe punojnë me këtë besim, premtimi i Allahut është i pakthyeshëm. Nëse ndodh që në ndonjë kohë të marrin forcë dhe terren munafikët dhe mohuesit e Zotit, kjo ndodh për shkak se besimtarët kanë cenuar imanin dhe veprat e mira.
Por, kushdo që mohon pas kësaj, - ata janë të prishur (që kalojnë çdo kufi). -
Ata që mohojnë edhe pas këtij lartësimi dhe force që Zoti u jep muslimanëve, ata janë më të prishurit, janë keqbërës që kanë dalë nga kufijtë e bindjes ndaj Allahut. Ata janë të padenjë për mirësinë e Allahut dhe nuk e meritojnë atë, sepse nëse e braktis Islamin kur je i lirë e krenar dhe askush nuk të ngushton apo mundon, kjo tregon për qëllime të pështira dhe të sëmura, për ligësi të fshehur. Ajeti tregon se Allahu ka ngritur e krenuar edhe popuj para nesh, sikurse i tha Musai popullit të tij: “Mundet që Allahu ta shkatërrojë armikun tuaj dhe t’ju bëjë ta zëvendësoni në këtë vend, e pastaj do t’ju vështrojë se si do të veproni”. Ose: "Ne duam t’i lartësojmë ata që u shtypën në tokë, t’i bëjmë udhëheqës dhe t’i bëjmë trashëgues. Atyre do t’u japim pushtet në tokë." [Kasas 5, 6]. Pra, ky është një rregull i pandryshueshëm i Zotit.