Thuaj: “Udhëtoni nëpër tokë e shikoni se si filloi krijimi!” -
Udhëtoni me trup dhe me shpirt. Dhe shikoni se si filloi krijimi. Ju do të zbuloni se kështu është jeta. Popullata njerëzish e kafshësh, që vijnë e ikin nga kjo botë; ata dalin në këtë jetë, rriten dalë ngadalë, dhe pastaj zhduken. Shiko se si edhe bimët dalin e zhduken e kjo përsëritet e përsëritet. Po kështu formohen retë, fryjnë erërat e ndodh çdo gjë në këtë dynja; ndodhin dhe rindodhin në mënyrë të vazhdueshme. Çdo gjë fillon jetën, vazhdon, vdes dhe rifillon nga e para. Madje, mjafton të shohësh gjumin ose “vdekjen e vogël”. Nata i mbulon të gjithë, në errësirën e saj dhe ata bien në qetësi, reshtin lëvizjet, shuhen zërat dhe i sheh në strehët dhe shtretërit e tyre si të vdekur. Kështu vazhdojnë për gjithë natën, derisa çel agimi, kur ata përmenden nga ajo qetësi dhe ringjallen nga vdekja e tyre (e vogël), duke thënë: “El ĥamdu lil-lâhil-ledhi aĥjânâ ba’de mâ emâtenâ ue ilejhin-nushûr! - I gjithë lavdërimi i qoftë Allahut, i Cili na ngjalli pasi na bëri të vdisnim, dhe vetëm tek ai do të tubohemi”. Duke na udhëzuar të shohim rifillimin e krijimit në këtë dynja kohë pas kohe, Allahu na sjell argument për pushtetin e Tij për të ringjallur krijesat Ditën e Gjykimit, prandaj thotë:
Kështu do ta bëjë Allahu krijimin tjetër (Ditën e Ringjalljes). -
Atë ditë, Ai do të na ringjallë për herë të fundit, se nuk ka më vdekje ose gjumë më pas, por do të ketë përjetësi në Xhenet ose në Xhehenem.
Allahu ka fuqi për çdo gjë. -
Asgjë nuk mund t’i shpëtojë dhe fshihet pushtetit të Tij. Ashtu siç është i Plotpushtetshëm që e filloi krijimin, po ashtu edhe rikthimi është nën pushtetin e Tij, madje kjo është edhe më e thjeshtë.