E, nëse ata polemizojnë me ty, ti thuaju: “Unë, me tërë qenien time, i jam dorëzuar Allahut; e po kështu edhe pasuesit e mi. -
Kuptimi: “Thuaju atyre se unë dhe ata që ndjekin rrugën time, i jemi dorëzuar plotësisht dhe vetëm Allahut të Lartësuar. Ne kemi braktisur çdo fe tjetër, veç Islamit, sepse jemi të sigurt për kotësinë e tyre.” Kjo deklaratë ua pret shpresat atyre të cilët duan që ju të lini fenë Islame dhe të përqafoni fetë e tyre të humbura. Ajo shërben, gjithashtu, si rifreskim i besimit tuaj në momente lëkundjesh. Ajo hedh poshtë justifikimet e çdokujt që ndjek rrugët e gabuara për të adhuruar Allahun e Lartësuar. Dikush mund të pyesë: Pse kjo deklaratë hedh poshtë justifikimet e çdokujt që ndjek rrugët e humbjes? Për t’u përgjigjur, duhet të kujtojmë ato që kemi thënë më sipër. Allahu i Lartësuar e argumentoi vërtetësinë e njëshmërisë së Tij në meritën për adhurim me dëshminë e dijetarëve, e cila është argument për të gjitha krijesat. Pas qartësimit të së vërtetës, askush nuk mund të justifikohet para Allahut, nëse nuk i dorëzohet plotësisht Atij. Po ashtu, është e padiskutueshme që më i miri, më i dalluari dhe më i dituri i krijesave rreth Allahut të Lartësuar, ishte dhe mbetet Profeti ynë, Muhamedi (a.s). Pas tij, më të ditur ishin sahabët që e pasuan atë, të cilët kishin grada të ndryshme diturije. Në përgjithësi, mendjet e tyre ishin të ndritura dhe dija e tyre ishte e saktë, e sigurt dhe e padiskutueshme. Askush nuk mund t’u afrohet atyre në këto aspekte, e jo më që të jetë i barabartë me ta. Kështu, meqë njëshmëria e Allahut në meritën e adhurimit është vërtetuar me aq shumë argumente logjike dhe tradicionale, që i përmendëm më sipër, dhe meqë ajo është shpjeguar nga më i dituri dhe më i përsosuri i krijesave, atëherë nuk ka më vend për as më të voglin dyshim në saktësinë e saj. Kjo do të thotë se feja e vetme e pranuar nga Allahu i Lartësuar është feja që ushtroi dhe predikoi ky Profet i ditur dhe umeti i tij. Çdo fe tjetër është e kotë, e papranueshme dhe e pajustifikueshme nga Allahu i Lartësuar. Më tej, i Lartësuari thotë:
Thuaju atyre që u është dhënë Libri dhe injorantëve: “A e pranoni fenë Islame?” –
Pra, Allahu i Lartësuar na udhëzon që t’u drejohemi atyre që u është dhënë Libri (të krishterëve dhe çifutëve) dhe të paditurve, paganëve, idhujtarëve, arabë e joarabë, dhe t’u themi: “Dorëzohuni dhe nënshtrohuni ndaj një Zoti të vetëm, duke e adhuruar me dashuri, madhërim, përkushtim, nënshtrim e bindje!”
Nëse e pranojnë Islamin, atëherë e kanë gjetur të vërtetën, e nëse refuzojnë, ti ke për detyrë vetëm kumtimin. –
Kuptimi: Nëse ata pranojnë që të adhurojnë dhe t’i nënshtrohen një Zoti të vetëm, atëherë ata janë udhëzuar tek e vërteta. Kështu, ata kanë gjetur rrugën e drejtë, ashtu sikurse ju, dhe janë bërë vëllezërit tuaj, duke patur përgjegjësi dhe të drejta të njëjta me ju. Por nëse ata refuzojnë që ta pranojnë Islamin, dhe ndjekin fe të tjera veç tij, atëherë dije (o Profet) se detyra jote është, thjesht, kumtimi i mesazhit të Zotit në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme. Nëse e kryen këtë detyrë, ti do ta marrësh shpërblimin tënd. Askush nuk mund të justifikohet para Zotit, nëse nuk pason rrugën tënde (o Profet). Pas qartësimit të së vërtetës, shpagimi i drejtë i Zotit është i pashmangshëm mbi të padrejtët. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë:
Allahu është Gjithëvështrues i krijesave. –
Që do të thotë se Ai tashmë e ka përgatitur shpagimin, me drejtësinë e Tij absolute.