Atë ditë, çdo njeri do të gjejë pranë vetes veprat e mira që ka bërë. -
Çdokush do ta gjejë të plotë atë të mirë që ka bërë. Në një ajet tjetër, i Lartësuari thotë: “Çdokush që bën një të mirë, sado e vogël ajo, ka për ta parë atë.” Fjala ‘ħajrun’ (e mirë), e përdorur në ajet, ka një kuptim të gjerë. Ħajrun quhet çdo vepër që të afron tek Allahu i Lartësuar, e vogël apo e madhe qoftë ajo. Edhe ‘sũun’ (e keqe) ka një kuptim të gjerë. Ajo është e kundërta e fjalës “ħajrun” dhe, si e tillë, ajo përfshin në kuptimin e saj çdo lloj vepre a fjale, e vogël apo e madhe qoftë, që shkakton zemërimin e Allahut.
Ndërsa për të këqijat që ka bërë, do të dëshirojë që, në mes tij dhe tyre, të jetë një largësi shumë e madhe. -
Ai do të dëshironte që, mes tij dhe veprave të këqija, të ishte një distancë shumë e largët, sepse çdo vepër dhe fjalë e keqe do të shkaktojë dëshpërim dhe frikë të madhe atë ditë. Për këtë arsye, njeriu duhet të jetë shumë i kujdesshëm në fjalët dhe veprat që kryen në këtë jetë, sepse prej tyre pritet dëshpërim dhe frikë e madhe Ditën e Gjykimit. Le t’u largohet atyre që në këtë jetë, sepse tani është e mundur një gjë e tillë. Le të jetë i kujdesshëm, para se të vijë dita kur, i tmerruar dhe i dëshpëruar, të thotë pastaj: “O i mjeri unë, që shpërfilla adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut dhe që isha prej atyre që talleshin!”Ose të thotë: “Ah, sikur të më kishte udhëzuar Allahu e të kisha qenë prej atyre që ruheshin!” Apo, kur ta shohë dënimin, të thotë: “Sikur të isha kthyer edhe një herë e të isha bërë prej bamirësve!” Jo, ty të erdhën argumentet e Mia, por ti i mohove ato, u bëre kryeneç dhe ishe prej atyre që nuk besonin.” [Zumer 56-59]. I Lartësuari thotë gjithashtu: “Si do të bëhet kur, për çdo popull Ne do të sjellim dëshmitarë, ndërsa ty (O Muhamed) do të të sjellim dëshmitar për të gjithë ata? Atë Ditë, ata që nuk kanë besuar dhe që kanë kundërshtuar të Dërguarin, do të dëshironin të rrafshohej toka mbi ta, sepse ata nuk do mund t’i fshehin Allahut asgjë." [Nisa 41, 42]. “Atë Ditë, sundimi i vërtetë i takon krejtësisht të Gjithëmëshirshmit. Për jobesimtarët ajo do të jetë një ditë e vështirë. Atë ditë, keqbërësi do të kafshojë duart e veta dhe do të thotë: “Oh, i mjeri unë! Sikur të kasha ndjekur udhën e drejtë së bashku me Profetin!” Ah! I mjeri unë! Sikur të mos e kisha bërë mik aksh njeri! Në të vërtetë, ai më largoi mua prej udhës së drejtë (të Zotit) pasi më pati ardhur (qartësisht dhe plotësisht). Shejtani është veçse tradhëtar për njeriun.” [Furkan 26-29]. “Kush i kthen shpinën përmendjes të Zotit, Ne i shoqërojmë nga një shejtan, i cili nuk i ndahet kurrë. Ai (shejtani) e pengon nga rruga e drejtë, ndërkohë që ai (jobesimtari) mendon se është i udhëzuar mirë. Kur të vijë para Nesh, ai (jobesimtari) do të thotë: “Oh, mjerë për mua! Ah, sikur mes meje dhe teje (o shejtan) të kishte një largësi sa lindja prej perëndimit! Sa shok i keq paske qenë ti!” Ju bënit padrejtësi të shumta (do t’u thuhet), prandaj sot nuk do t’ju lehtësojë aspak fakti se nuk jeni të vetmit që po ndëshkoheni.” [Zuhruf 36-39]. Për Allah! Lënia e çfarëdolloj dëshire apo kënaqësie të kësaj jete është krejt e papërfillshme, në krahasim me vështirësinë që i duhet të përballë njeriu atë ditë të madhe e të frikshme. Porse njeriu, për shkak të injorancës dhe padrejtësisë së tij, vështron veçse gjendjen e tanishme, të afërt. Ai tregohet i pakujdesshëm, mospërfillës dhe nuk denjon të mendohet thellë për të parë përfundimin e çështjeve. Nëse mendohet më gjatë, me siguri që do t’u japë rëndësi gjërave që i sigurojnë lumturinë në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Po të tregohet më i kujdesshëm, ai do të largohet nga çdo vepër e fjalë që shkakton trishtim, dënim, frikë e ankth në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Më pas, Allahu i Lartësuar i rikthehet edhe një herë paralajmërimit ndaj nesh, që t’i ruhemi zemërimit të Tij, duke thënë:
Allahu ju paralajmëron me dënimin që vjen prej Tij. Por Allahu është shumë i Mëshirshëm ndaj robërve . -
Ajeti na këshillon që t’i ruhemi ndëshkimit të të Madhërishmit. Kjo tregon mëshirën dhe butësinë e Tij ndaj nesh, sepse kështu Ai na mbron që të mos të zhytemi në gjynahe aq sa të na ngurtësohen zemrat. Ai na këshillon që të ruhemi dhe të shpresojmë njëkohësisht, në mënyrë që të kryejmë vepra të mira dhe të largohemi nga të këqijat. Në fund, e lusim Allahun e Lartësuar që të jemi të kujdesshëm dhe të druhemi vazhdimisht prej Tij, që të mos veprojmë apo flasim gjëra që sjellin pakënaqësinë dhe zemërimin e Tij.