“Unë jam dëshmues i vërtetësisë së Teuratit, që është shpallur para meje, dhe do t’ju lejoj disa gjëra që i keni pasur të ndaluara. -
Isai (a.s.) i bën të qartë popullit të tij se ai ishte miratues dhe përforcues i ligjit të sjellë më parë prej Musait (a.s.). Pra, libri hyjnor që po i shpallej atij (Ungjilli), ishte i të njëjtit burim me Teuratin. E përbashkëta e shpalljeve hyjnore është se të gjitha ato përmbajnë kumte të vërteta e të sigurta dhe sjellin dispozita të drejta. Ato nuk kanë asnjë kundërthënie mes njëra tjetrës. Nëse do të dallosh sharlatanët dhe shpalljet e rreme, shiko përmbajtjen e tyre dhe se për ku i ftojnë njerëzit. Ata do të jenë në kundërshtim me linjën e profetëve të Zotit dhe të shpalljeve të Tij. Mashtruesve gjithmonë u del fytyra, sepse ata bien ndesh me lajmet e vërteta dhe me shumë ligje të pandryshueshme të Zotit. Ky është tregues i mëshirës së madhe të Allahut të Lartësuar dhe i përkujdesjes së Tij për udhëzimin e krijesave, duke u mundësuar atyre dallimin e së vërtetës nga e kota. Nëse përdorin kriteret e mësipërme, krijesat nuk do të bien kurrë pre e sharlatanëve dhe profetëve të rremë. Është e vërtetë që disa çështje dytësore mund të ngatërrohen dhe njeriu mund të gabojë, por kjo është e pamundur nëse bëhet fjalë për të dalluar profetin e vërtetë nga i gënjeshtërti. Kriteret dalluese për këtë çështje janë shumë të qarta dhe të kuptueshme për këdo, dhe të tilla duhet të jenë, nëse njohim urtësinë dhe mëshirën e Allahut për krijesat. Nëse nuk do të ishte kështu, të gjitha krijesat do të devijonin. Është e pamundur që Zoti të vështirësonte dallimin e profetëve të vërtetë, ndërkohë që prej kësaj zgjedhjeje varet lumturia apo ndëshkimi i përjetshëm, Xheneti apo Xhehenemi. Profeti i vërtetë është shumë thjesht i dallueshëm nga sharlatani. Profeti i vërtetë është një nga krijesat më të mira, ndërsa profeti i rremë është nga njerëzit më të ulët dhe më të fëlliqur. Me urtësinë dhe mëshirën e Tij, Allahu i Lartësuar ka bërë të mundur që mes tyre të ketë dallime të dukshme, në mënyrë që mund t’i kuptojë çdokush që ka logjikë e di të mendojë. Pastaj Isai (a.s.) e mëson popullin e tij se Ungjilli përmban një ligj, i cili ka lehtësime:
Unë kam ardhur me argumenta (të qarta) nga Zoti juaj,. –
Kuptimi: Unë erdha me mrekulli nga Zoti juaj, që dëshmojnë se unë jam vërtet Profet i Allahut. Këto shenja të qarta e bëjnë të detyrueshme për ju të pasoni rrugën time dhe t’u bindeni udhëzimeve të mia, që unë i sjell prej Zotit tim. Të gjitha këto shenja kanë qëllim të kuptueshëm. Kjo këshillë ka qenë fjala e Allahut të Lartësuar për të gjithë profetët, që ata t’ua përcillnin popujve të tyre:
...prandaj kijeni frikë Allahun... -
Pajisuni me devotshmëri ndaj Allahut, duke zbatuar urdhëresat dhe duke iu larguar ndalesave.
...dhe bindmuni mua!” –
M’u bindni mua në çdo porosi që ju jap, sepse bindja ndaj Profetit është bindje ndaj Allahut.