“Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj. Atë adhurojeni, sepse kjo është Rruga e drejtë! -
Isai (a.s.) e provoi njëshmërinë e Allahut të Lartësuar në meritën e adhurimit me faktin se Allahu është Zoti, Krijuesi, Sunduesi i botës. Pra, ai u argumentoi atyre një të vërtetë që ata e mohohin me një fakt që ata e pranonin. Të gjithë e pranojnë se Allahu është Absolut dhe i Vetëm në aspektin e zotërimit, krijimit, furnizimit, sundimit dhe përkujdesjes ndaj krijesave. Atëherë, fjala e Isait (a.s.) kuptohet kështu: Ashtu sikurse e pranojmë dhe e pohojmë faktin që Allahu i Lartësuar është Ai që na krijoi, që na furnizon dhe që përkujdeset për ne, duke na dhuruar shumë mirësi, po ashtu le të besojmë dhe të pohojmë natyrshëm që Ai duhet të jetë i vetmi që meriton adhurimet tona. Vetëm Atij le t’ia përkushtojmë adhurimet tona. Dashuria e plotë le të jetë për Të. Të shpresojmë për faljen dhe shpërblimet e Tij të pakufishme. Frikërespekti për Të të jetë i plotë. Lutjet, mbështetja dhe kërkimi i ndihmës le t’i drejtohen vetëm Atij. Të gjitha mënyrat e adhurimit duhet t’i kushtohen vetëm Allahut. Në ajet gjejmë një argument kundër të krishterëve, të cilët pretendojnë padrejtësisht se Isai (a.s.) është Zoti i tyre, e disa thonë që është biri i Zotit. Këto pretendime boshe dhe të padrejta hidhen poshtë nga vetë dëshmia e Isait (a.s.), që deklaronte se ishte njeri, krijesë dhe adhurues i Zotit të tij. Vetë ai dëshmonte se ishte i nënshtruar e i krijuar, si gjithë krijesat e tjera. Allahu i Lartësuar na e sjell dëshminë e Isait (a.s.) për veten e tij në një vend tjetër në Kur’ân: “Ai (Isai) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë mua Librin dhe më ka bërë profet. Më ka bërë të bekuar kudo që të jem dhe më ka urdhëruar për namaz dhe për zekat sa të jem gjallë. Më ka bërë të dashur ndaj nënës sime e nuk më ka bërë mendjemadh e as të padëgjueshëm. Paqja (e Allahut) është me mua ditën kur u linda, ditën kur të vdes dhe ditën kur të dal (prej varrit) i gjallë.” Kjo është e vërteta për Isanë, birin e Merjemes, për të cilën ata (më kot) rragaten (polemizojnë). Nuk i shkon (madhështisë së) Allahut që të ketë bir. I pastër është Ai (nga çdo mangësi)! Kur Ai vendos për një çështje, vetëm thotë: Bëhu!”, dhe ajo bëhet. (Isai i tha popullit të vet) Dhe Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, prandaj vetëm Atë adhuroni! Kjo është rrugë e drejtë. Por grupet e kundërshtojnë njëri-tjetrin (rreth Isait). Mjerë ata që nuk besuan se ç'kanë për të parë në Ditën e madhe!” [Merjem 30-37]. Ose: “Allahu do të thotë: “O Isa, biri i Merjemes! Ti, vallë, u the njerëzve: “Më besoni mua dhe nënën time si dy zota veç Allahut!?” Ai do të thotë: “Qofsh i lartësuar (o Zoti im)! Kurrë nuk mund ta thosha unë atë për të cilën nuk kam asnjë të drejtë. Po ta kisha thënë atë, Ti do ta kishe ditur. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, ndërsa unë nuk e di atë që është tek Ty. Ti i di të gjitha të fshehtat. Unë nuk u kam thënë atyre asgjë tjetër, veç asaj që Ti më urdhërove: “Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!” Unë isha dëshmitar i tyre, sa isha ndër ta. Por pasi Ti më more mua, ishe Ti mbikëqyrësi i tyre. Ti je Dëshmitar për gjithçka.” Nëse Ti i ndëshkon ata, ata janë robt e Tu. E nëse i fal ata, Ti je i Plotfuqishmi e i Urti. Allahu thotë: “Kjo është dita kur të sinqertëve u sjell dobi sinqeriteti i tyre. Atyre u takojnë kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Ky është shpëtimi i madh.” Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i tokës dhe gjithçka që është ndërmjet tyre. Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka." [Maide 116-120].
...kjo është rruga e drejtë!” -
Adhurimi i Allahut si një i vetëm, devotshmëria ndaj Tij, bindja e plotë ndaj Tij dhe Profetit të Tij, të gjitha këto janë rruga e drejtë dhe e vetmja që të mundëson të arrish tek Allahu i Lartësuar. Çdo rrugë tjetër të çon veçse në zjarrin e Xhehenemit.