E vërteta vjen vetëm nga Zoti yt -
E vërteta në të tilla raste mund të sqarohet veçse me argumente të sigurta nga Allahu i Lartësuar, që di gjithçka. Kumti i sigurt që na ka ardhur prej Allahut të Lartësuar, është e vërteta e padiskutueshme, sepse ajo është shpallje e Zotit të gjithësisë. Kjo shpallje e sigurt dhe e ruajtur bën pjesë në ato mirësi dhe dhurata të shumta të Allahut të Lartësuar, që tregojnë përkujdesjen e veçantë për Profetin e Tij të zgjedhur dhe pasuesit e tij të denjë. Të tilla janë të gjitha rrëfimet rreth profetëve të Zotit në kohëra. Duke marë parasysh këto, nuk ka asnjë arsye për të dyshuar në vërtetësinë e tyre. Megjithatë, Allahu i Lartësuar e përforcon një gjykim të tillë, kur thotë:
Prandaj ti mos u bëj kurrë nga ata që dyshojnë! -
Pra, asnjëherë mos ki dyshime rreth saktësisë së Shpalljes nga Zoti yt. Të jesh i sigurt se vetëm ajo është e vërteta, ndërsa gjithçka tjetër është mashtrim. Ky ajet dhe të tjerë si ai vërtetojnë rregullin e mrekullueshëm, që thotë: Nëse argumentet e sakta vërtetojnë se një çështje apo një mendim i caktuar është i vërtetë, qoftë në temat e besimit, qoftë në temat e tjera, atëherë është detyrë për njeriun që, çdo mendim tjetër që bie ndesh me këtë mendim të saktë dhe të argumentuar ai ta refuzojë dhe ta gjykojë si të gabuar dhe të papranueshëm. Çfarëdo dyshimi që mund të hidhet rreth asaj çështjeje është i padrejtë dhe i pavlefshëm. Po ashtu, pamundësia e dikujt për të hedhur poshtë dyshimet mbi një çështje të argumentuar saktë, të cilën ai e mbron, nuk tregon se ajo çështje nuk qëndron. Një gjë është e sigurt: gjithçka që kundërshton të vërtetën e sigurt është e kotë dhe e gënjeshtërt (edhe nëse nuk je në gjendje të argumentosh kotësinë e saj). I Lartësuari thotë: “Pas së vërtetës nuk ka asgjë tjetër, veç kotësisë.” [Junus 32]. Me këtë rregull të mrekullueshëm, besimtari gjen prehje dhe qetësi nga shumë dyshime të ngritura nga filozofët. Njeriu nuk është i detyruar që t’u japë përgjigje dhe të zgjidhë çdo dyshim që ata shfaqin. Nëse njeriu u jep përgjigje të gjitha dyshimeve të tyre, kjo tregon për mjeshtërinë e tij në argumentim, por ai nuk e ka detyrë një gjë të tillë. E domosdoshme për njeriun është që të njohë të vërtetën dhe ta sqarojë atë me argumente bindëse dhe të kuptueshme. Po ashtu, ai duhet t’i ftojë të tjerët që ta pasojnë këtë të vërtetë, të mbështetur në argumente të sigurta dhe të qarta.