Të gjitha llojet e ushqimeve ishin të lejuara për bijtë e Israilit, përveç atij (ushqimi) që Israili ia ndaloi vetvetes, para se të zbriste Teurati. -
Çifutët pretendonin se shfuqizimi i një norme është diçka e papranueshme kur bëhet fjalë për normat e caktuara dhe të sjella nga Zoti i gjithësisë. Për hir të këtij “parimi” të tyre, që në fakt edhe ata vetë nuk e pranojnë dhe zbatojnë plotësisht, ata mohuan Isain dhe Muhamedin (a.s.) si profetë, sepse këta të dy, me ligjin hyjnor që sollën, shfuqizuan disa dispozita të përcaktuara në Teurat. Pra, judejtë e justifikuan mospranimin e dy profetëve të mëdhenj nga ana e tyre me faktin që ata anuluan disa norma të përcaktuara prej Zotit në Teurat. Por Allahu i Lartësuar ua hodhi poshtë këtë pretendim të tyre për të justifikuar refuzimin e dy profetëve të mëdhenj. Mënyra më e mirë për të hedhur poshtë pretendimin e kundërshtarit është që të përdorësh të njëjtat kritere dhe rrugë argumentimi që përdor ai. Me këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar sjell një pjesë nga historia e Jakubit (ose Israilit) (a.s.). Allahu i Lartësuar na tregon se për bijtë e Israilit ishin të lejuara të gjitha ushqimet deri në momentin kur Jakubi (a.s.) ia ndaloi vetvetes mishin e devesë dhe qumështin e saj. Shkak për këtë vendim të Jakubit u bë një sëmundje që atij iu shkaktua nga mishi dhe qumështi i devesë. Gjatë kësaj sëmundjeje, Jakubi iu betua Zotit se do t’ia ndalonte vetes këtë ushqim dhe pije, të cilat ishin nga më të dashurat për të, dhe ashtu veproi. Edhe pasardhësit e tij e pasuan atë në këtë ligj, të cilin ai ia imponoi vetvetes. E gjithë kjo ndodhi para shpalljes së Teuratit. Pastaj, pas shpalljes së Teuratit në kohën e Musait (pra, shumë vjet pas Jakubit), u ndaluan edhe shumë gjëra të tjera, të cilat më parë kishin qenë të lejuara për bijtë e Israilit. Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë: “Për shkak të padrejtësisë së hebrejve dhe për shkak se ata penguan shumë nga rruga e Allahut, Ne ua bëmë haram disa të mira, që më parë ishin të lejuara. Edhe për shkak të përfitimit nga kamata, ndërkohë që e kishin të ndaluar atë, si dhe për shkak të ngrënies së pasurisë së njerëzve në mënyrë të padrejtë. Ne kemi përgatitur dënim të dhembshëm për ata prej tyre që nuk besuan.” [Nisa 160, 161]. Atëherë, kuptimi i ajetit është: A nuk është ky një shembull i mirë që tregon se shfuqizimi i disa dispozitave të Zotit është diçka e pranueshme edhe nga vetë ju? Atëherë, përse sillni si justifikim për të mohuar dy profetë të mëdhenj faktin se ata kanë bërë shfuqizime të disa normave të mëparshme, ndërkohë që kjo pranohet edhe në librat që ju i besoni?! Nëse e kundërshtojnë një fakt të tillë, atëherë i Madhëruari thotë:
Thuaju: “Silleni, pra, Teuratin dhe lexojeni atë, nëse jeni njerëz të së vërtetës!” -
Por ata vazhduan me arrogancë e kokëfortësi në qëndrimin e tyre, edhe pse e vërteta ishte shumë e qartë. Prandaj Allahu i Lartësuar kërcënon dhe thotë: