Thuaju (o Muhammed): “Sikur i Gjithmëshirshmi të kishte fëmijë, unë do të isha i pari adhurues i tij.” -
Kuptimi: O i Dërguari besnik! Ata shpifin se Zoti ka fëmijë, ata shpifin për Atë që është Një, i Vetëm, i Pashoq dhe i Pakrahasueshëm, për Atë që çdokush i drejtohet për nevojat e veta, për Atë që është i Plotë, Jonevojtar e Absolut në çdo drejtim. Atij nuk i takon që të ketë grua e as fëmijë. Askush nuk mund të jetë i barabartë apo i njëjtë me Allahun dhe as mund t’i afrohet madhërisë së Tij. Thuaju këtyre mjeranëve: “Nëse vërtetë Zoti do të kishte fëmijë, unë do të isha i pari adhurues i këtij fëmije, sepse ai do të ishte pjesë e të atit. Nëse kjo do të ishte e vërtetë dhe diçka e dashur për Zotin, unë do ta zbatoja me korrektësi, sepse unë jam i pari zbatues i asaj që Zoti e dëshiron dhe e do. Por çështja nuk është kështu, prandaj unë jam i pari që e mohoj një paturpësi të tillë!” Kjo teori e stisur nga injorantët është diçka e papranueshme për profetët e Zotit. Ata janë njerëzit më të përkushtuar në bindjen dhe adhurimin e Zotit, si dhe në zbatimin e urdhrave dhe veprave të dashura për Të. Po ashtu, ata janë njerëzit më të kujdesshëm për t’u larguar nga çdo gjë e keqe dhe për të qortuar njerëzit nga ato. Nëse Mëshiruesi vërtet do të kishte bir, Muhamedi (a.s.) do të ishte i pari adhurues i tij dhe nuk do të ishin idhujtarët ata që do të mund t’ia kalonin atij në këtë çështje. Por duke qenë se Profeti nuk e bëri këtë gjë, pra, nuk e pranoi se Zoti ka fëmijë, atëherë kjo është diçka jo e vërtetë. Ka mundësi që ajeti të kuptohet edhe në një mënyrë tjetër: “Nëse Mëshiruesi do të kishte fëmijë, atëherë unë do të isha përsëri i pari që do të adhuroja Mëshiruesin. Mënyra kryesore e shprehjes së adhurimit për Allahun është që të pohoj për Të gjithçka që Ai ka pohuar për Veten e Vet dhe të mohoj çdo gjë që Ai e ka mohuar për Veten e Vet, kur flitet për cilësitë, emrat dhe atributet e Tij.” Në këtë rast, pranimi i fëmijës për Zotin do të ishte një prej adhurimeve të shprehura thjesht me fjalë dhe me zemër. Përfundimisht, pretendimet e idhujtarëve janë të gabuara dhe të papranueshme, qoftë nga ana logjike, qoftë nga ana e fakteve hyjnore.