Ne i krijuam qiejt e Tokën dhe gjithçka që ekziston ndërmjet tyre, veçse me një qëllim të drejtë dhe për një afat të caktuar. -
Pasi përmendi shpalljen e Librit, i cili përmban ligjin e Tij, Allahu i Madhëruar tregon se është Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën. Në këtë mënyrë, Ai pohon për Veten dy atribute: krijimin e krijesave dhe vendosjen e ligjeve për to. Vetëm Atij i takon çështja e krijimit dhe e vendosjes së ligjit, sikurse thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “Vërtet, Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj qëndroi mbi Fron. Ai e mbulon ditën me natën, që me të shpejtë e kërkon atë sërish. Edhe Dielli, Hëna dhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij. Vetëm Atij i takon Krijimi dhe Sundimi. I madhëruar qoftë Allahu, Zoti i botëve!”. [El ea’raf 54]. Ose: “Allahu është Ai që krijoi shtatë qiej dhe Toka po aq sa ata. Nëpër to zbret vendimi i Tij, për të qenë të bindur se Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka dhe se me të vërtetë, Allahu ka përfshirë gjithçka me dijen e Vet.” [Talak 12]. Ose: “Me urdhrin e Tij ia zbret melekët me shpallje kujt të dojë nga robërit e vet (duke u thënë:) Paralajmëroni se nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Meje, prandaj (vetëm) Mua të ma kini frikën.” [Nahl 2]. Është Allahu i Lartësuar që i krijoi njerëzit e xhindët, që do mbajnë përgjegjësi për veprat e tyre, e krijoi gjithçka tjetër që ekziston. Ai krijoi edhe vendin ku ata jetojnë e banojnë. Përveç kësaj, Allahu i Lartësuar krijoi gjithçka që ndodhet mes qiejve e Tokës, për t’ua vënë në shërbim njerëzve e xhindëve. Pastaj, gjatë kohërave, dërgoi tek ata profetë, të cilëve u shpalli libra qiellorë. Në këto libra, Ai u përcaktoi robërve urdhra dhe ndalesa, u vendosi kufij dhe ligje, sipas të cilëve ata duhet të jetojnë në këtë jetë. Ai i njoftoi, gjithashtu, se kjo jetë është koha kur duhet të punojnë. Kjo është botë kalimtare, e jo vendqëndrimi i përhershëm i tyre. Do të vijë një ditë që ata të largohen nga kjo botë, për të shkuar në botën tjetër, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Atje do ta marrin të plotë shpërblimin për veprat që bëjnë në këtë dynja dhe për mënyrën si iu përgjigjën profetëve dhe si i trajtuan shpalljet që ata sollën. Allahu i Madhëruar ka sjellë fakte të pamohueshme për vërtetësinë e jetës së ahiretit. Ai ka bërë që njerëzit ta provojnë shpërblimin dhe ndëshkimin që në këtë jetë, që t’u shërbejë si nxitës i fortë për të arritur të mirën dhe për t’u ruajtur nga e keqja. I Madhëruari thotë: “Ne i krijuam qiejt e Tokën dhe gjithçka që ekziston ndërmjet tyre, veçse me një qëllim të drejtë dhe për një afat të caktuar.”. Pra, ato nuk u krijuan kot, pa ndonjë qëllim, por me një qëllim shumë të rëndësishëm: që robërit të njohin dhe të binden për madhështinë e Krijuesit, si dhe të gjejnë në to fakte që dëshmojnë se Krijuesi i tyre është i Plotë në çdo aspekt e pa mangësi. Ata duhet të jenë të bindur se Allahu që krijoi këtë gjithësi madhështore dhe kaq të rregullt është tërësisht i Plotfuqishëm që t’i ringjallë krijesat pas vdekjes së tyre, për t’i marrë në llogari dhe për t’i shpërblyer për veprat e tyre. Allahu i Lartësuar na njofton, gjithashtu, se kjo botë do të vazhdojë të jetë deri në një afat të caktuar. Por edhe pse i Madhëruari, i Cili është më i Vërteti në fjalët e Tij, na mëson se cili është qëllimi i krijimit tonë, duke na ndriçuar faktet që e dëshmojnë këtë, përsëri ka disa krijesa që nuk i përgjigjen ftesës dhe porosive të Tij, por u kthejnë shpinën atyre. Ata shpërfillin Shpalljen e Zotit dhe kundërshtojnë, madje luftojnë dhe u përpiqen me të gjitha forcat për të penguar ftesën e profetëve. Duke treguar për gjendjen e këtyre të mjerëve, i Lartësuari thotë:
Megjithatë, ata që nuk besojnë, janë mospërfillës ndaj paralajmërimeve që u bëhen. -
Ndërsa ata që besojnë, kur kuptojnë realitetin dhe gjendjen e tyre, i pranojnë këshillat dhe porositë e Zotit të tyre, madje i dorëzohen plotësisht Atij, me dashuri e drojë. Kështu, ata kanë fituar çdo të mirë dhe kanë shpëtuar nga çdo e keqe.