Në fillim të sures, Allahu i Madhëruar përshkroi se si do të jenë tri grupet në ahiret: të zgjedhurit, të djathtët dhe mohuesit. Tashmë përshkruhet se si është fundi i jetës së tyre në dynja, e pikërisht në momentin e vdekjes:
E nëse ai është prej të zgjedhurve, atëherë do të ketë mëshirë, kënaqësi dhe (përjetësi në) Xhenetin e mirësive. -
Nëse i vdekuri është prej të zgjedhurve (mukarabin), ai do të ketë një pritje të mrekullueshme. Të zgjedhurit janë ata që i kanë plotësuar të gjitha detyrimet fetare e veprat e pëlqyeshme dhe u janë larguar harameve e veprave të papëlqyeshme. Gjithashtu, ata nuk e kanë tepruar me të lejuarat, duke u treguar të përmbajtur me to. Si rezultat, Allahu i Madhëruar tregon se ata do të priten me mirësi të mrekullueshme. Ata do të kenë kënaqësi të zemrës dhe të shpirtit, si lumturi, qetësi e prehje. Gjithashtu, do të kenë edhe “rejhan”, domethënë çdo lloj kënaqësie fizike, qoftë ajo prej ushqimeve, pijeve etj. Disa kanë thënë se fjala ‘rejhan’ në ajet tregon bimën e njohur aromatike të borzilokut. Me këtë kuptim, një mirësi tjetër që do të kenë në Xhenet të përzgjedhurit, do të jetë aroma e mirë. Për ata është përgatitur edhe Xheneti i mirësive, ku do të shijojnë të gjitha mirësitë trupore dhe shpirtërore. Në të do të gjejnë atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe zemra e robit kurrë nuk e ka imagjinuar. Për përgëzimin e kësaj kategorie njerëzish në momentet e agonisë së vdekjes, i Madhëruari thotë: “S’ka dyshim se atyre që thonë “Allahu është Zoti ynë” dhe pastaj qëndrojnë të palëkundur në këtë, do t’u zbresin melekët (e do t’u thonë): “Mos u frikësoni e mos u pikëlloni, por gëzohuni me Xhenetin, që ju është premtuar! Ne jemi miqtë tuaj, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në Botën Tjetër. Atje ju do të keni atë që dëshirojnë shpirtrat tuaja dhe gjithçka që kërkoni. Kjo është dhuratë nga Ai që është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” [Fussilet 30 – 32]. Ose: “Nuk ka dyshim se të dashurit e Allahut nuk kanë aspak frikë dhe as brengosje; Ata besojnë dhe janë të devotshëm. Atyre u jepen përgëzime në jetën e kësaj bote dhe në Jetën Tjetër. Premtimet e Allahut nuk mund të ndryshohen. Kjo është fitorja e madhe.” Junus 62 – 64. Është shpjeguar se ky përgëzim u jepet atyre që në jetën e dynjasë, para ahiretit.